TAGS-AT E JAVËS

Kronike18 Nëntor 2025, 18:34

“O më vranë”, zbardhen dëshmitë e kambistëve që u grabitën nga Nuredin Dumani: Erdhën me një Benz të vjetër...

Shkruar nga Pamfleti

“O më vranë”, zbardhen dëshmitë e

Në Gjykatën e Posaçme është mbajtur sot seanca e radhës për aksionin “Plumbi i Artë”. Sot dëshmoi  Aredin Behari, i cili u shpëtoi dy atentateve nga njerëzit e Nuredin Dumanit.

Pas dëshmisë së tij, u dëshmua edhe për dy grabitje. Një prej tyre ishte ajo e kambistit Astrit Ademi në vitin 2013, një ngjarje kriminale e zbardhur edhe nga i penduari i drejtëisë, Nuredin Dumani.

Vetë kambisti Astrit Ademi rrëfeu momentet e grabitjes së tij, por dëshmia e tij u kundërshtua nga prokurorët e SPAK për shkak të mospërputhjes me dëshminë e dhënë para organit të akuzës, raporton "Shqiptarja.com".

Astrit Ademi: Në 2013 punoja kambist në rrugë. Kam qenë vetëm në një varrezë makinash në Marikaj, punoja aty. Ishte dhe një roje, një burrë i vjetër. Më morën lekët që kisha në makinë. Nuk pashë njeri, nuk njoha njeri. Ishin njerëz të maskuar, erdhën me makinë me një Benz të vjetër. Unë pashë një person, nuk e di sa ishin në total. I pashë kur më erdhën përballë, nuk e njoh kush është. Më tha mos lëviz, e falënderoj që nuk më bëri gjë, mund dhe të me vrisnin. E falënderoj me gjithë zemër. Më mori disa lekë, nuk mbaj mend sa ishin, kanë kaluar vite. I thashë urdhëro çelsin e makinës, që të mos ma thyenin makinën. Mua dhe rojes na kontrolluan nëpër xhepa. Më morën rreth 30 mijë euro në makinë. Në xhep kisha dy mijë euro. Unë për çerek ore nuk e ngrita kokën, nuk i pash fare as kur u larguan. Një person mori një balestër në tokë dhe më tha mos lëviz, kaq. Poshtë sediles së shoferit kisha një marsup të vogël dhe pak lekë kisha në bagazh.

Prokuroria kundërshton pjesërisht dëshminë e Ademit: Më herët ka deklaruar se kanë qenë 3 persona me maska në fytyrë dhe të armatosur.

Prokuroria citon pjesë nga dëshmia: Njëri prej tyre na tha mos lëvizni se ju vrava dhe mbante në dorë një kallashnikov.

Prokuroria: Kundërshtoj dëshminë edhe për shumën e parave. “Na kontrolluan xhepat dhe mua më morën 7 mijë euro që kisha. Personi që drejtonte automjetin hapi bagazhin dhe më mori 9 mijë euro dhe 760 mijë lekë të reja.”

Një tjetër ngjarje e bujshme e 13 viteve më parë, grabitja e kambistit Xhemal Liçi, e zbardhur falë dëshmisë së Nuredin Dumanit, ishte pjesë e seancës së sotme gjyqësore të dosjes “Plumbi i Artë”.

Bardhyl Zeneli, një nga të pranishmit në vendngjarje, dha dëshminë e tij për rastin, por nuk dha asnjë informacion orientues për zbardhjen e autorëve.

Dëshmitari 2, Bardhyl Zeneli: Xhemali Laçin e njoh. Në 2012 kam punuar në një shkollë, ndërsa Xhemaliu kishte një dyqan të vogël aty. Dëgjova në një moment të bërtiste “O më vranë”. U mblodhëm për ti dhënë ndihmën e parë, ishte te një shtyllë aty. Xhemaliu ishte dëmtuar në qafë, ishte i gjakosur. Nuk kthente përgjigje kur e pyesja se çfarë ndodhi. Të gjithë komshinjtë u mblodhën aty, po nuk morëm vesh gjë ça ndodhi. Më mbrapa mora vesh që i kishin vjedhur lekët. Më njoftoi një roje e gjimnazit. Policia erdhi shpejt nuk vonoi, na mori dhe ne na pyeti. Ngjarja ndodhi në 19.12.2012. Unë isha brenda një klase në shkollë, na thërrisnin për të riparuar kufjet që përdornin fëmijët. Pashë 4 veta që ishin afër Xhemaliut, pasi u plagos. Nuk pash njeri të vraponte, as ndonjë makinë. Policia u njoftua me telefonin Fix të sekretarisë së shkollës. Me mbiemër Sharra ka shumë në Elbasan. Gentjan Sharrën e kam dëgjuar në televizor, nuk e njoh as nuk e kam parë atë ditë në vendin e ngjarjes.

Sipas dëshmisë së Nuredin Dumanit, grabitja e kambistit Xhemal Liçi ishte porosi e Talo Çelës. Ngjarja në fjalë ndodhi më datë 19 nëntor të vitit 2012 në Elbasan, ndërkohë që Liçit, i cili ishte kambist, iu vodh një shumë prej 12 300 000 lekësh.

Pasi qëlluan me armë në drejtim të ‘objektivit’ të tyre, autorët e ngjarjes janë larguar me një mjet të bardhë i markës opel në drejtim të panjohur. Asokohe Liçi mbeti i plagosur, ndërsa u dërgua me urgjencë në spital ku iu mbijetoi plagëve të marra.

Lini një Përgjigje