TAGS-AT E JAVËS

Kronike24 Korrik 2025, 17:25

E rëndë në Fier, vajza 26-vjeçare mbyt me tel babanë; nëna e ndihmon për të fshehur krimin

Shkruar nga Pamfleti
E rëndë në Fier, vajza 26-vjeçare mbyt me tel babanë;
Banesa ku ndodhi krimi

Policia ka arrestur 26-vjeçaren, vijojnë verifikimet për të ëmën...

Një ngjarje e rëndë është shënuar në Fier, pasi vajza ka vrarë babanë.

Sipas policisë, 26-vjeçarja Emanilda Rama dyshohet se ka vrarë dje të atin dhe pastaj me ndihmën e nënës e kanë raportuar si ngjarje aksidentale.

Ngjarja ka ndodhur në fshatin Frashër dhe viktima është Anesti Rama, 56-vjeç. Policia bën me dije se ka qenë vetë e reja që ka bërë denoncim në polici, duke raportuar se babai i saj kishte humbur jetën në mënyrë aksidentale.

Por dëshmia e saj nuk i ka bindur efektivët e policisë, të cilët pas këqyrjes së kufomës kanë ngritur dyshime të arsyeshme se bëhej fjalë për vrasje.

Si rezultat i hetimeve profesionale dhe të shpejta, të kryera nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Rënda të Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, në bashkëpunim me Prokurorinë e Fierit, pas kallëzimit të shtetases E. R., 26 vjeçe, rreth orës 23:00 të datës 23.07.2025, se babai i saj, shtetasi A. R., 56 vjeç, kishte humbur jetën aksidentalisht, në banesën e tyre, në fshatin Frashër, u finalizua operacioni “Inskenimi”. Shërbimet e Policisë, gjatë deponimit të 26-vjeçares dhe gjatë veprimeve të para hetimore, kanë krijuar dyshim se humbja e jetës së 56-vjeçarit nuk ishte aksidentale dhe për këtë arsye kanë vijuar hetimet e thelluara.

Gjatë këtyre veprimeve të kryera në koordinim me Prokurorinë e Fierit, ka rezultuar se shtetasja Emanilda Rama ka vrarë babanë e saj, shtetasin Anesti Rama, për motive të dobëta, me mjet strangulues (mbytur me tel)”, shprehet policia.

Më pas, 26-vjeçarja, dyshohet se në bashkëpunim me nënën e saj, shtetasen V. R., 53 vjeçe, kanë tentuar të pengojnë zbulimin e së vërtetës, duke pastruar trupin e 56-vjeçarit. Pas këtyre veprimeve, e reja ka njoftuar policinë.

Bëhet me dije se policia ka arrestuar 26-vjeçaren, ndërsa e ëma e saj aktualisht e shoqëruar në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, ku po kryhen veprime të thelluara hetimore për të përcaktuar shkallën e përgjegjësisë së saj në lidhje me këtë rast.

Gjithashtu, vijojnë hetimet, në drejtimin e Prokurorisë, me qëllim dokumentimin me prova ligjore të të gjitha rrethanave të këtij rasti. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Fierit, për veprime të mëtejshme.

Lini një Përgjigje