TAGS-AT E JAVËS

Kronike24 Korrik 2025, 16:27

Vrasja e Gentian dhe Nezir Beqirit, Gjykata e Lartë rrëzon rekursin e Florenc Çapjas

Shkruar nga Pamfleti

Vrasja e Gentian dhe Nezir Beqirit, Gjykata e Lartë rrëzon rekursin e

Gjykata e Lartë ka rrëzuar rekursin e Florenc Çapjas, duke lënë në fuqi masën “arrest me burg” të caktuar nga GJKKO dhe të konfirmuar nga Apeli.

Çapja, i ekstraduar nga Dubai më 2 maj 2025, akuzohet për përfshirje në dosjen e njohur ‘Plumbi i Artë’, ku dyshohet se ka siguruar kushte për një vrasje të mbetur në tentativë, në dëm të Sokol Sanxhaktarit, dhëndrit të ish-kryebashkiakut të Elbasanit, Qazim Sejdini.

Sipas SPAK, plani kriminal nuk u realizua, por Çapja u identifikua si pjesë e skemës pas dëshmive të penduarve të drejtësisë, Nuredin Dumanit dhe Henrik Hoxhajt. Vetë Çapja, përmes avokatit të tij, ka pretenduar se akuzat bazohen vetëm në dëshmi dhe se nuk ka përdorur komunikimet e enkriptuara SkyEcc.

Florenc Çapja është dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e bujshme të Gentian dhe Nezir Beqirit në vitin 2012, atentat mafioz i kryer në banesën e tyre në Elbasan, ku Gentian Beqiri (alias Ardian Meta) ishte në arrest shtëpie dhe ruhej nga policia. Beqiri ishte akuzuar më parë për ekzekutimin e biznesmenit Sokol Çapja në vitin 2005, vrasje që dyshohet se ishte porositur nga grupi rival i Çelajve.

Në janar të këtij viti, SPAK kërkoi konfiskimin e 10 pasurive të familjes Çapja, nga të cilat 8 në pronësi të prindërve të tij, të gjitha në lagjen “Emin Matraxhiu”, një zonë që konsiderohet bazë e grupit kriminal të Çapjave.

Florenc Çapja tashmë përballet me dy dosje të rënda njëkohësisht; njëra e mbyllur me burgim të përjetshëm dhe tjetra që e lidh me dosjen më të bujshme të viteve të fundit, ‘Plumbi i Artë’.

Lini një Përgjigje