TAGS-AT E JAVËS

Kronike 2 Maj 2025, 12:32

Ekstradohet nga Dubai Florenc Çapja

Shkruar nga Pamfleti
Ekstradohet nga Dubai Florenc Çapja
I shumëkërkuari Florenc Çapja

Florenc Çapja, mësohet se është hipur në një avion nga autoritetet e Dubait dhe po deportohet në Shqipëri.

I shumëkërkuari nga drejtësia, Florenc Çapja do të ekstradohet pasditen e sotme nga Dubai drejt vendit tonë.

Florenc Çapja, është dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e babë e bir, në Elbasan. 44-vjeçari është marrë i pandehur dhe në dosjen penale “Plumbi i artë” për sigurim të kushteve me qëllim vrasjen e Sokol Sanxhaktarit, dhëndrit të Qazim Sejdinit.

Prokuroria e Posaçme ka kërkuar në janar 2025 konfiskimin e pasurive të Florenc Çapjas pasi dyshohet se rrjedhin nga aktiviteti i tij kriminal.

Florenc Çapja, i cili prej kohësh fshihej në Dubai, është i dyshuar për një sërë veprash penale, mes tyre porosi vrasjeje dhe përfshirje në aktivitete kriminale që shtrihen përtej kufijve të Shqipërisë.

Policia e Shtetit konfirmoi se do e kryejë sot operacionin e ekstradimit nga Emiratet e bashkuara Arabe. Më tej, në njoftim thuhet se për informacione më të detajuara, do jepet njoftim në momentin e finalizimit të operacionit të ekstradimit në Rinas, dinamika e të cilit mbahet sekret për arsye sigurie.

“Policia e Shtetit, në vijim të bashkëpunimit mjaft të mirë me partnerët, si në aspekte hetimore, ashtu dhe në ato operacionale, dhe si rezultat i shkëmbimit të menjëhershëm të informacionit mes strukturave të specializuara për lokalizimim dhe kapjen e shtetasve në kërkim ndërkombëtar, me qëllim ekstradimin, pasditen e sotme, do të finalizojë me sukses një tjetër fazë të operacionit ndërkombëtar të koduar “The Wanted”.

Në kuadër të këtij operacioni, pritet që pasditen e sotme, të finalizohet me sukses ekstradimi nga Dubai, i të shumëkërkuarit F. Ç., 44 vjeç, banues në Elbasan.

Për informacion më të detajuar, do të japim njoftim në momentin e finalizimit të operacionit të ekstradimit në Rinas”, njoftoi policia.

Ekstradohet nga Dubai Florenc Çapja
Florenc Çapja

Kush është Florenc Çapja?

Florenc Çapja dhe Ardian Çapja akuzohen si drejtuesit e një organizate kriminale, teksa ky i fundit është i arrestuar dhe burgosur prej disa vitesh. Florenci mundi t'i shpëtonte arrestimit gjatë operacionit të koduar "Plumbi i Artë", pas rrëfimeve të kreut të grupit të vrasësve me pagesë, Nuredin Dumani, duke u fshehur në Dubai, ku dhe nisën procedurat për arrestim dhe ekstradim.

Vitet e fundit grupi "Çapja" sipas përgjimeve, hetimeve dhe rrëfimeve të Dumanit, kishte hyrë në konflikt të përgjakshëm edhe me organizatën e Suel Çelës, po në Elbasan.

Një prej dosjeve penale në ngarkim të tij është edhe ajo e atentatit të vitit 2006 me motive hakmarrjeje ndaj të ndjerit Fadil Mema, ish-shefit të Rrugores së Elbasanit, që mbeti i plagosur. Çapja ishte arrestuar dhe hetuar atëkohë si i dyshuar, por Gjykata e liroi më pas për mungesë provash.

Mema u vra në Torino të Italisë më 2015 teksa shpërndante gazeta dhe si organizatorë dhe porositës dyshohet po fisi Çapja, edhe pse nuk ka ende prova direkte.

Gjithashtu Florenc Çapja, bashkë me Ardianin, akuzohen si porositësit e atentatit të dyfishtë ndaj babë e bir, po për hakmarrje, Gentian dhe Nezir Beriqi, në Elbasan, më 12 gusht 2012, teksa i pari ishte lënë në arrest shtëpie nga gjykata për shkak të paralizimit nga plumbi që kishte marrë gjatë operacionit policor për arrestimin në kufi, në vitin 2007. Gjykata e ka rihapur këtë hetim dhe proces ndaj tij pas provave të reja.

Vrasjet janë bërë për hakmarrje, pasi Gentjani, i afërm i oficerit të ndjerë Mema, dyshohej nga familja Çapja si një nga atentatorët në vrasjen e Sokol Çapjas, vëllait të Florencit dhe Ardianit. për këtë ngjarje, Ardian Çapja ka marrë burgim të përjetshëm, teksa janë dënuar edhe 5 persona të tjerë të përfshirë direkt si autorë dhe ndihmës.

Prej disa vitesh, SPAK dhe GJKKO vijojnë procesin e hetimit pasuror, duke sekuestruar disa asete të tij në Pogradec dhe Elbasan.

Si ndodhi vrasja e Gentian dhe Nezir Beqirit? 

Babë e bir u vranë në banesën e tyre, ku Gentian Beqiri allias Ardian Meta ishte në ‘arrest shtëpie’ dhe ruhej me dy policë në derën e shtëpisë, pasi akuzohej si autor i vrasjes së biznesmenit të njohur Sokol Çapja, ngjarje kjo e ndodhur në dhjetor të vitit 2005, i cili dyshohet se u pagua nga fisi i Çelajve.

Vrasja e Gentian Beqirit, është kryer në ambientet e brendshme të banesës së tij, që ndodhet në lagjen “Sporti i vjetër” në Elbasan, ku teksa qëndronte i shtrirë në krevat pasi ishte i paralizuar është qëlluar për vdekje me 7 plumba të një pistolete me silenciator dhe më pas mbytën edhe babanë e tij Nezir Beqiri. Kjo ndodhi ndërkohë që jashtë derës së shtëpisë ruanin dy efektivët e policisë, të cilët u akuzuan më pas për “Shpërdorim detyre”. Të arrestuar për këtë ngjarje janë i penduari dhe bashkëpunëtori i drejtësisë Ervis Bardhi, Olsi Leku, Etjen Cani, Klajdi Dokoli.

Ardjan Çapja, Florenc Çapja, Ervis Bardhi, Etien Cani, Klajdi Dokolli dhe Olsi Leku akuzohen nga Prokuroria e Posaçme se në vitin 2012 kanë vepruar si grup i strukturuar kriminal, duke ekzekutuar në shenjë hakmarrje brenda shtëpisë së tyre, Gentian Beqirin dhe të atin e tij, Nezir Beqiri.

Arrestimi në Dubai në vitin 2022 dhe refuzimi i ekstradimit

Gjykata e Apelit në Dubai, me një vendim në shkurt të vitit 2022, rrëzoi kërkesën e Shqipërisë për ekstradimin e të shumëkërkuarit Florenc Çapja për vrasje të dyfishtë.

Autoritetet shqiptare paraqitën kërkesën në fillim të vitit 2021 për ekstradimin e tij me akuzën e vrasjes, armëmbajtjes pa leje si dhe pjesëmarrës në krimin e organizuar.

Avokatja e tij, Awatif Mohammed, shpjegoi në atë kohë kërkesa ishte refuzuar sepse Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Shqipëria nuk kishin një marrëveshje ekstradimi dhe se Çapja sipas saj, nuk ishte në Shqipëri kur është kryer krimi për të cilin akuzohet.

Hetuesit shqiptarë, në atë kohë, në kërkesën e tyre drejtuar autoriteteve të Dubait theksuan se Florenc Çapja, në vitin 2012 kishte paguar dy vrasës me një shumë prej 50,000 eurosh për të vrarë Nezir dhe Gentian Beqirin. Lidhur me këtë ngjarje është vënë në pranga xhaxhai i tij Ardian Çapja.

Policia e Dubait e arrestoi në vitin 2021 dhe 44-vjeçari u mbajt në paraburgim kur zbriti në Aeroportin Ndërkombëtar të Dubait më 31 maj të atij viti, por i mohoi të gjitha akuzat.

Avokatja shpjegoi gjithashtu se për lirimin e tij gruaja e Florencit kishte paguar 200,000 Dhah, (monedha e Dubait) ose rreth 55 mijë dollarë, dy muaj pas arrestimit. Megjithatë, çështja e tij vijonte të ishte pjesë e hetimit, shkruan The National News. 

“Klienti im u ndalua për gati 60 ditë. Të dhënat vërtetuan se ai ishte në Maqedoni kur krimi u krye në Shqipëri”, u shpreh avokatja.

Nga ana e tij, vetë Florenc Çapja, i tha gjykatës se akuzat dhe kërkesa për ekstradim kishin për qëllim dëmtimin e reputacionit të familjes së tij, e cila ishte pjesë e garës së zgjedhjeve në Shqipëri.

“Një nga familja e tij kandidoi në zgjedhjet elektorale në Shqipëri dhe klienti im beson se kërkesa për ekstradim për vrasjen që nuk e ka kryer, është një përpjekje për të shtrembëruar dhe dëmtuar reputacionin e familjes së tij dhe për të ndikuar në opinionin publik”, tha avokatja Mohammed.

ekstradohet nga dubai florenc Çapja

Lini një Përgjigje