Kronike11 Gusht 2023, 10:18

I dështoi plani për atentat në Vlorë, Amarildo Nikolli del sot para gjykatës

Shkruar nga Pamfleti

I dështoi plani për atentat në Vlorë, Amarildo Nikolli del

Ka mbërritur në Gjykatën e Vlorës Amarildo Nikolli, i cili përfundoi në pranga të policisë ditën e hënë në Lungomare.

Nikolli u arrestua duke lëvizur në qytet teksa iu gjet edhe një armë me silenciator.

Policia konfirmoi se ai kishte udhëtuar nga Shkodra për në Vlorë për të kryer vrasje me pagesë.

Targeti sipas burimeve të policisë i kësaj ngjarje ishte Inez Hajrulla një prej figurave të njohura të policisë së Vlorës në qytet.

Kujtojmë se, Amarildo Nikolli, 35-vjeçari i cili u arrestua në Vlorë, dyshohet së është një vrasës me pagesë dhe se në Vlorë kishte mbërritur për të kryer vrasje në afërsi të kompleksit “Oslo”.

Shkodranit i’u sekuestrua nga policia arma e krimit, një pistoletë me silenciator.

Sipas dosjes hetimore ai është arrestuar në ambjentet e një pastiçerie që ndodhet afër komplesit “Oslo” në Vlorë, zonë kjo ku vepron grupi i Edison Harizajt.

Gjuajtësi me pagesë rezulton të jetë me precedent të mëparshëm penal në Itali, ndërsa në Shqipëri nuk ishte i skeduar.

Në momentin e kapjes ai ishte me pantallona të shkurtra dhe një bluzë. Ndërkohë në çantë ju kapën një palë rroba të tjera, arma me silenciator një kapuç dhe doreza plastike. Këto sende kanë krijuar dyshimin dhe bindjen te policia se “Shkodrani”, kishte mbërritur në Vlorë për të bërë vrasje dhe nëse do kryente krimin në ikje e sipër të ndërrohej.

Efektivët e policisë që realizuan arrestimin e Amarildo Nikollit, thanë se gjuajtësi shoqërohej në pastiçeri dhe nga dy persona të tjerë ende të paidentifikuar. Pamjet e tyre duken në kamera, por ende nuk dihen emrat e dy personave që shoqëronin Shkodranin e armatosur gati për të kryer vrasje.

Në momentin e ndërhyrjes nga policia, dy shoqëruesit janë larguar me vrap. Megjithëse efektivët e policisë i kanë ndjekur, nuk kanë mundur t’i arrestojnë.

Ky aksion është në vijim e sipër, pasi ka dyshime të forta se dhe dy personat që kanë mundur të largohen kanë pasur rol të posaçëm në goditjen kriminale që do bënte njeriu i mbërritur nga Shkodra në Vlorë.

Gjatë marrjes në pyetje, Amarildo Nikolli nuk ka pranuar të flasë. Ndërsa prokuroria e Vlorës ka përcjellë në gjykatë materialin duke kërkuar caktimin e masës “arrest në burg”.

amarildo nikolli gjykate atentat