Kronike 1 Qershor 2023, 12:05

Atentati ndaj Arjan Ndojës, Plarent Dervishaj ofroi 300 mijë euro për të fshirë shenjat e ADN-së së Redjan Rrajës nga makina e autorëve

Shkruar nga Pamfleti


 Atentati ndaj Arjan Ndojës, Plarent Dervishaj ofroi 300 mijë euro
300 mijë euro do të paguheshin në laboratorin e Policisë Shkencore për të shkatërruar ADN-në e Redjan Rrajës, i cili akuzohet si një nga ekzekutorët e atentatit ndaj ish prokurorit Arjan Ndoja ku mbeti i vdekur shoferi i tij, Andi Maloku.

Ky fakt u bë i ditur nga vetë SPAK gjatë leximit të konkluzioneve përfundimtare para gjykatës.

Sipas burimeve, Plarent Dervishaj i cili akuzohet si organizatori i atentatit ndaj ish prokurorit Arjan Ndoja në Durrës, do të bënte pagesën prej 300 mijë eurosh.

Sipas SPAK, kjo gjë do të bëhej për ti lehtësuar Rrajës pozitën në gjykatë. Ndërsa prokurorët kanë zbuluar se kjo bisedë për shkatërrimin e ADN-së së Rrajës është bërë në komunikimet që ka pasur grupi kriminal në aplikacionin ‘SKY’.

Shenjat e gishtërinjve të Redjan Rrajës u gjetën në një palë syze të cilat ndodheshin në makinën e autorëve.

Ditën e djeshme u kërkuar burgim i përjetshëm për Redjan Rrajën me akuzën se ka qenë një nga ekzekutorët e atentatit ndaj ish prokurorit Arjan Ndoja ku mbeti i vrarë shoferi i tij Andi Maloku dhe u plagos Landi Muharremi.

Redjan Rraja është në burg dhe akuzohet për vrasje, armëmbajtje pa leje, grup kriminal, vjedhje dhe kryerja e veprave penale si grup kriminal.

Ngjarja ndodhi më 1 nëntor të vitit 2019 në autostradën Tiranë-Durrës në afërsi të mbikalimit të Shkozetit. Ditën e ngjarjes prokurori Ndoja ishte në automjet me një person me precedentë penalë, të njohur si i "forti i Sukthit", Landi Muharremi nga Sukthi, dhe me Andi Malokun, ish-punonjës i policisë në komisariatin e Krujës, shofer i prokurorit, i cili mbeti i vdekur.

Makinës 'Benz' me targë AA 333 ZD (që rezultoi në pronësi të Fadil Çallikut) dhe në përdorim nga Prokurorit Ndoja, ju bë atentat pranë mbikalimit të Shkozetit kur u qëllua ndaj tyre me breshëri automatiku nga një tjetër automjet. Pas breshërisë së tetë plumbave makina doli nga rruga, ndërsa të plagosurit u transportuan me makinë private. Në spital humbi jetën shoferi i prokurorit, Andi Maloku 30 vjeç, i cili kishte marrë një plumb në gjoks dhe nuk mundi t'i mbijetonte plagëve.

Si u arrestua Redjan Rraja?

34-vjeçari Rraja, me profesion stomatolog u ‘gozhdua’ nga gjurmët e gishtave dhe pështyma në maskën që u gjetën në makinën tip “Benz” gri, që autorët e atentatit ndaj prokurorit lanë të padjegur në Ishëm.

Ai u arrestua teksa po tentonte të arratisej nga Shqipëria. Policia e shoqëroi atë fillimisht si të dyshuar, por pas krahasimit të gjurmëve të gishtave që iu morën në polici dhe atyre që u gjetën tek “Benz-i”, ai u ndalua zyrtarisht si një nga autorët e atentatit të 1 nëntorit në Shkozet.

atentati ndaj arjan ndojës plarent dervishaj redjan rraja