
Policia shqiptare do të kontaktojë autoritetet spanjolle për shkëmbim informacioni lidhur me lëvizjet e Gilmando Danit dhe Mustafa Sheqerit, të cilët udhëtuan drejt Barcelonës më 7 nëntor dhe kur u kthyen në Rinas më 11 nëntor ranë pre e një atentati.
Gazetari Igli Çelmeta, ka mësuar se hetuesit kanë dyshime të forta se planifikimi dhe organizimi i atentatit ka nisur që nga Barcelona atje ku qëndruan tre ditë Dani dhe Sheqeri.
Grupi hetimor dyshon se Dani ndiqej prej shumë kohësh nga autorët madje është ndjekur edhe kur është nisur drejt Spanjës më datë 7 nëntor.
Si ndodhi krimi?
Gilmando Dani u ekzekutua në rrethrrotullimin para hyrjes së Aeroportit të Rinasit, pasi sapo ishte kthyer nga Barcelona. Mbi makinën ku ai po udhëtonte me mikun e tij Mustafa Shaljani (Sheqeri) u lëshuan një breshëri plumbash, duke e lënë të vdekur në vend Danin, i cili njihet si njeriu më i afërt i Emiljano Shullazit.
Makina tip Benz ku ndodhej viktima Dani humb kontrollin dhe te rrethrrotullimi i Rinasit ecën drejt. Më pas, mjeti Toyota i autorëve i del para dhe njëri prej tyre zbret nga makina dhe qëllon nga shumë afër. Autori që ka zbritur nga makina ka qenë i maskuar.
Para makinës ku ndodhej Gilmando Dani dhe Mustafa Sheqeri ishte një taksi që po kalonte në ato momente. Në automjetin e djegur të autorëve në fshatin Halil janë gjetur 3 kallashnikovë dhe një pistoletë. Armët janë dërguar për ekzaminime të mëtejshme.
Lini një Përgjigje