Kronike24 Shkurt 2024, 17:03

Krimi që tronditi Durrësin: Nga konfliktet, te vrasja, zhdukja e kufomës dhe dëshmitë, dinamika si fëmijët ekzekutuan të atin!

Shkruar nga Pamfleti
Krimi që tronditi Durrësin: Nga konfliktet, te vrasja, zhdukja e
Krimi që tronditi Durrësin

Dinamika e plotë, si vajza me dy vëllezërit arritën deri te vrasja e të atit...

Qyteti i Durrësit, por edhe e gjithë Shqipëria u tronditën dje nga një ngjarje rëndë, e ndodhur në familjen Meta në Shënavlash.

Pëllumb Meta u denoncua fillimisht i zhdukur nga djali i tij, 24-vjeçari Hysen Meta. Që prej datës 10 shkurt ai kishte humbur kontaktet. Pas kërkimeve, policia gjeti mjetin e tij të parkuar në sektorin Rinia, por kishte dyshime se mund të bëhej fjalë për një ngjarje më të rëndë. Për këtë arsye familja u vu e gjitha nën përgjim dhe në kuadër të bisedave, por dhe provave në banesë, u ngrit dyshimi i arsyeshëm se Pëllumb Meta mund të ishte vrarë nga familjarët e tij.

E para që u thye ishte vajza e tij, Hygerta Meta, 19-vjeç. Ajo pranoi para efektivëve se e kishte vrarë ajo të atin. Vajza tha se shkak ishte një konflikt i vazhdueshëm me të, pasi i ati donte ta fejonte pa dëshirën e saj. E reja kishte fituar të drejtën e studimit në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja në Tiranë ku dhe po vijonte studimet dhe nuk donte që ëndrra t’i ndërpritej në mes ashtu si motrës së saj të madhe. Vajza tha se e vrau dhe më pas e varrosi të atin në një gropë të hapur te një kasolle pranë banesës. Po ashtu ajo tha se armën e kishte hedhur në det.

Mësohet se vajza ka dëshmuar për grupin hetimor se motra e madhe kishte humbur shkollën, pasi babai e martoi pa dëshirën e saj. Ajo do të mbaronte shkollën dhe më pas do të gjente vetë dikë.

Mesditën e djeshme policia e riktheu në vendin e ngjarjes 19-vjeçaren për të treguar sie kishte kryer ekzekutimin dhe më pas si e kishte bërë transportimin e kufomës drejt kasolles ku dhe ishte groposur i ati.

Fakti që Pëllumb Meta, kishte një peshë trupore prej 90 kg ishte e pamundur për një vajzë me trup të imtë si ajo që të bënte e vetme të gjitha lëvizjet, prandaj Prokuroria ka zgjeruar hetimet te familjarët e tjerë.

Hetuesit kanë verifikuar më pas lëvizjet e fëmijëve dhe është faktuar që djali i madh ka dërguar makinën në sektorin Iliria, në pyll, në një vend pa kamera. Ndërsa telefonin e të atit e kanë hedhur diku, në banesë. Në banesë policia gjeti dhe një predhë, e cila nuk ishte pastruar nga autorët e krimit. Po ashtu falë dëshmive të vajzës, u gjet më pas edhe arma e krimit.

Dëshmia e 19-vjeçares

Përballë fakteve vajza ndryshoi dëshminë. Sipas dosjes, në vijim të marrjes së deklarimit nga shtetasja Hygerta Meta, referuar provës predhë armë zjarri gjetur te divani, ajo deklaron faktin që nuk ishin të vërteta të gjitha deklarimet që kishte dhënë më parë, por që vrasjen e babait e kishte realizuar ajo së bashku me vëllanë e madh, Hysenin. Ajo tha se kishin kohë që kishin problem me babanë dhe nga shqetësimi që u krijonte duke i fyer e bullizuar menduan ta vrisnin atë.

Sipas dosjes, ditën e shtunë, datë 10.02.2024, rreth orës 15:00, kur babai ka shkuar në banesë ka filluar të konfliktohet me të vëllanë. Më pas babai është shtrirë duke pushuar në një divan të kuzhinës, e Hyseni ka marrë armën pistoletë TT, të cilën në banesë e ka pas sjellë i ati, dhe me të në dorë ka hyrë në kuzhinën ku pushonte babai dhe e ka qëlluar katër herë. Gjatë kryerjes së këtyre veprimeve nuk kanë qenë të pranishëm vëllai i vogël, Amarildo dhe as mamaja, Blerina. Më pas vëllai ka dalë nga banesa duke e lënë kufomën aty, e ajo ka vijuar më pas me sistemimin e kufomës, duke e lidhur atë me lidhëse në këmbë e në duar, duke e fashuar e vendosur dhe në një çarçaf të zi. Ka gjetur katër gëzhojat dhe i ka lënë sipër tavolinës në cep.

E ka mbështjellë kufomën me plastmas të zi dhe e ka lënë në divan, ku gjatë mbështjelljes ka harruar në trupin e viktimës dhe një palë gërshërë. Faktin e vrasjes e ka mësuar dhe e ëma dhe vëllai i vogël kanë ardhur në banesë, ku e ëma ka ngelur e tronditur nga ajo që kishin bërë. Në mbrëmje dy vëllezërit janë marrë me hapjen e gropës dhe fshehjen e kufomës, dhe më pas me armën dhe gëzhojat. Po ashtu dy vëllezërit kanë larguar dhe makinën nga banesa. Të nesërmen ajo ka parë që te kasollja ishte lëvizur dheu dhe ka mësuar se aty ishte varrosur kufoma. Vendit përsipër i ka hedhur disa pllaka betoni dhe kashtë që të mos dukej vendi i gërmuar nëse vinte për kontroll policia.

Pas dy ditësh vëllai ka bërë denoncim në polici për humbjen e babait. Kanë biseduar me njëri-tjetrin që nëse do të zbuloheshin nga policia ajo do të merrte përsipër fajësinë e autorësinë e ngjarjes. E ëma pas kësaj ka pastruar dhomën si dhe divanin mbi të cilin ishte shtrirë Pëllumbi kur u qëllua dhe e kanë ngjitur në katin e dytë.

Dëshmia e Hysen Metës

Pas dëshmisë së vajzës dhe provave të siguruara, hetuesit u përballën me Hysen Metën. Djali 24-vjeçar i viktimës, fillimisht hezitoi, por më pas pranoi se ka qenë ai personi që ka kryer qitjen. Ai ka qëlluar me 4 plumba ndaj të atit.

Ai tha se gjithçka ishte e planifikuar. Sipas dëshmisë së tij, ata kishin vendosur ta vrisnin babanë e këtë zgjodhën ta bëjnë ditën e shtunë, pasi që të tre do të ishin në shtëpi.

Ndërkohë që babai ishte i shtrirë në divan, Hysen Meta dëshmon se i ka thënë të ngrihet, e në atë moment e ka qëlluar katër herë me armë.

Ai shprehet se në dhomë me ta ka qenë edhe e motra, e cila fillimisht mori fajin përsipër, ndërsa vëllai tjetër është futur në dhomë vetëm pasi ka dëgjuar të shtënat e armës.

Në mëngjes bëmë planin për ta vrarë, pasdite babai ishte shtrirë në divan dhe po pushonte. I thashë çohu dhe kur u çua në këmbë unë e qëllova 4 herë me pistoletë. Në dhomë me mua ishte dhe motra. Pasi e vramë, e zhveshëm dhe e mbështollëm me plastmas. E transportuam te kasollja dhe aty e varrosëm.

Më vonë larguam dhe makinën e tij. Shkuam me dy makina në sektorin Rinia. Unë me makinën e babait, kurse vëllai me një makinë tjetër që ja morëm një shokut tonë. E lamë makinën e babait atje dhe u kthyem me makinën e shokut.

Planin e hartuam së bashku me motrën. Ai ishte bërë i padurueshëm në familje, sepse për gjithçka duhej të vendoste ai. Ishte e pamundur që ta kundërshtoje. Kupa u mbush kur vendosi të fejonte motrën me një person që nuk e kishim idenë se kush ishte”, thuhet në dëshmi.

Dëshmia e familjes që kishte kërkuar dorën e vajzës

Hetuesit kanë marrë dëshminë dhe të familjes që kishte kërkuar dorën e vajzës. Në dëshmitë e tyre thuhet se Pëllumb Meta kundërshtonte, pasi vajza donte të vazhdonte shkollën.

Në interes të hetimeve u janë marrë deklarime dhe shtetasve O Q, R. Q, E. Q, ku shtetësja E. Q ka deklaruar se ka pasur dëshirë që të lidhte krushqi me familjen e viktimës, por që ky i fundit nuk ka pranuar, pasi vajza do të vazhdonte shkollën dhe nuk ka pasur plane për ta fejuar”, thuhet në dosje.

Aktualisht në pranga kanë rënë vajza e viktimës, Hygerta Mata, 19-vjeç dhe dy djemtë Hyseni 24-vjeç dhe Amarildo 21-vjeç. Sipas informacioneve, policia po heton në gjendje të lirë edhe nënën, Blerina Meta, e dyshuar se kreu veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës. Ajo u mor në mbrojtje nga policia, teksa nuk u prit sot në varrimin e burrit të saj. /Pamfleti