50-vjeçari rezulton bashkëaksioner në një kompani të licencuar në Maqedoninë e Veriut. Nëse kjo pistë konfirmohet, ngjarja mund të rikthejë në qendër të debatit rreziqet që shoqërojnë këtë industri.
Një javë pas ekzekutimit të Edmond Sulës në Bërxullë, autori i krimit mbetet ende i paidentifikuar, ndërsa hetuesit vijojnë të punojnë mbi disa pista, mes tyre edhe ajo e aktivitetit të tij në fushën e kanabisit mjekësor.
Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se Antikrimi në Policinë e Tiranës ka siguruar informacione sipas të cilave Edmond alias Ali Sula ishte bashkëaksioner në një kompani të licencuar për kultivimin e kanabisit mjekësor në Maqedoninë e Veriut, ku ky aktivitet është i ligjshëm dhe funksionon prej vitesh.
Hetuesit po verifikojnë nëse mes aktivitetit të tij në këtë sektor dhe ekzekutimit mund të ketë ndonjë lidhje. Deri tani nuk ka prova që e mbështesin këtë pistë, por autoritetet shqiptare pritet t'u kërkojnë zyrtarisht homologëve maqedonas informacion mbi aktivitetin e kompanisë dhe rolin e Sulës në të. Përgjigjja pritet të përcaktojë nëse kjo pistë do të marrë më shumë peshë në hetim.
Paralelisht, vijojnë verifikimet edhe për konfliktet e tjera që 50-vjeçari dyshohet se kishte, përfshirë mosmarrëveshje në biznesin e shitblerjes së pronave, dyshime për fajde dhe konflikte të tjera të mundshme.
Nga hetimet e deritanishme rezulton se autori ka vepruar i vetëm dhe ka planifikuar me kujdes atentatin. Kamerat e sigurisë nuk kanë fiksuar asnjë automjet të përdorur për largimin, ndërsa dyshohet se autori ka qëndruar i fshehur pas bimësisë pranë vendit të ngjarjes dhe, pas ekzekutimit, është larguar në këmbë përmes arave dhe një zone të pyllëzuar, duke shmangur rrugët e mbuluara nga kamerat.
Ky element ka krijuar dyshime se autori njihte shumë mirë terrenin dhe kishte studiuar paraprakisht itinerarin e largimit. Ndryshe nga atentatet e tjera, ku autorët shpesh përdorin dhe më pas djegin automjetin e krimit, në këtë rast nuk është gjetur asnjë makinë e djegur, çka ka shtyrë hetuesit të mos përjashtojnë mundësinë që autori të mos jetë një vrasës me pagesë, por një person i lidhur me konfliktet e viktimës.
Pista e kanabisit mjekësor merr rëndësi edhe për faktin se Shqipëria ka hyrë tashmë në fazën e zbatimit të ligjit për këtë industri. Qeveria ka miratuar hartën me 10 zona kultivimi në 10 qarqe të vendit, me gjithsej 138 parcela, si dhe kriteret e licencimit dhe masat e sigurisë që duhet të plotësojnë operatorët. Megjithatë, pavarësisht kuadrit ligjor, kultivimi në terren ende nuk ka nisur.
Nëse hetimet do të provonin se vrasja e Edmond Sulës lidhet me aktivitetin në sektorin e kanabisit mjekësor, kjo do të ishte një sinjal alarmi për rreziqet që mund të shoqërojnë një industri me interes të lartë ekonomik, e cila sapo ka marrë dritën jeshile në Shqipëri. Deri në këtë fazë, megjithatë, bëhet fjalë vetëm për një nga pistat që po verifikohen nga grupi hetimor dhe jo për një lidhje të provuar mes krimit dhe këtij aktiviteti.
Lini një Përgjigje