Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë ka përfunduar hetimet dhe ka kërkuar dënimin me burgim të përjetshëm për Arsen Muskurtin, i akuzuar për vrasjen e vëllait të tij, Dritan Muskurtit dhe kunatës, Nora Muskurtit.
Ngjarja e rëndë ndodhi më 31 gusht 2022, brenda agjencisë së udhëtimeve “Nour Tours” në Tiranë, ku autori hyri i armatosur dhe qëlloi për vdekje dy viktimat.
Gjatë hetimeve, është provuar se Muskurti kreu aktin makabër për shkak të konflikteve të vazhdueshme me vëllain. Në deklarimet para hetuesve, ai ka pohuar se prej kohësh kishte probleme me të ndjerin, të cilin e akuzonte për shantazh dhe presion ndaj tij dhe prindërve të tyre.
Konfliktet mes vëllezërve kishin degjeneruar në përplasje të shpeshta, madje ishin trajtuar edhe nga gjykata, por pa zgjidhje, çka çoi në krimin e dyfishtë që tronditi opinionin publik.
Si ndodhi ngjarja?
Krimi i rëndë në familje tronditi kryeqytetin mesditën e 30 gushtit të vitit 2022, kur Arsen Muskurti hyri brenda agjencisë turistike “Nour Tours” dhe qëlloi për vdekje me armë të vëllanë dhe kunatën e tij.
Sipas Prokurorisë, i pyetur për ngjarjen, Arsen Muskurti është shprehur se drejt vrasjes e çuan problematikat e vazhdueshme me të vëllain, të cilin e akuzoi se shantazhonte atë dhe prindërit prej kohësh.
“Me Dritanin dhe Nora Muskurtin kam pasur problematika te vazhdueshme prej vitit 2017, për shkak se ai ka qenë një person që nuk pranonte kërkesë llogarie dhe shpesh ishte kërcënues ndaj meje. Për këtë shkak unë kam bërë edhe kallëzim në komisariat”, deklaroi Arsen Muskurti.
Ai deklaroi se ditën e ngjarjes së rëndë i kishte mbërritur një fletëthirrje nga gjykata, pasi i vëllai Dritan Muskurti kishte kërkuar urdhër mbrojtje prej tij. Autori i dyshuar pretendon se me të vëllanë ishte në proces gjyqësor për një shumë të konsiderueshme parash, ku kishte kërkuar ekspertim të firmës, me pretendimin se ia kishin falsifikuar.
“Duke u mbledhur në të gjitha këto probleme, pësova tronditje. Mora armën dhe shkova në agjenci për t’u sqaruar. Sapo kam hyrë i kam drejtuar armën dhe i thashë: “Pse më shantazhon mua, fëmijët e mi, nënën dhe babën. Ai mu përgjigj me fjalët “dua me e bë”.
Atëherë kam qëlluar me armë drejt Dritanit dhe nuk di ç’kam bërë me tej. Jam larguar për tek dyqani im që e kam aty pranë dhe kam futur armën në kasafortë. Më pas kam shkuar në shtëpinë time në Rrugën ‘5 Maji’. Jam ndërruar dhe kam thirrur avokatin tim. Rrobat e krimit i kam hedhur në një kazan plehrash”, tha ai.
Lini një Përgjigje