
Në momentin e arrestimit, Kleanth Bylyku po qarkullonte me një automjet Audi. Automjeti i tij u rrethua nga makina ku ndodheshin agjentë civilë të policisë, që e nxorrën nga mjeti e shtrinë në tokë dhe i vunë prangat.
Kleanth Bylyku alias Armando Gega, 42 vjeç, u arrestua nga policia si i dyshuar për vrasjen e 58-vjeçarit Renato Hoxhaj, ngjarje e ndodhur më 27 prill në qytetin e Vlorës.
Bylyku u arrestua në kuadër të operacionit ‘Në gjurmë’ . Personazhi me dy identitete, sipas një njoftimi zyrtar nga Policia e Vlorës, njihet si pjesëtar i një grupi kriminal dhe më parë i dënuar për armëmbajtje pa leje.
“Operacioni i koduar “Në gjurmë” u zhvillua nga Seksioni për Hetimin e Krimeve të Rënda në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale të Policisë së Shtetit, nën drejtimin e Prokurorisë së Vlorës. Në kuadër të tij u arrestua shtetasi Kleanth Bylyku alias Armando Gega, , 42 vjeç, banues në Vlorë, i njohur si pjesëtar i një grupi kriminal dhe më parë i dënuar për armëmbajtje pa leje.
Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, me vendim të datës 30.07.2025, ka caktuar ndaj tij masën e sigurisë “arrest në burg”, për veprën penale “Vrasje me paramendim”, kryer në bashkëpunim.

Ngjarja ndodhi mëngjesin e 27 prillit, rreth orës 06:20, pranë Poliklinikës së qytetit, ku mbeti i vrarë me armë zjarri shtetasi R. H., 58 vjeç.
Policia bën me dije se hetimet vijojnë për identifikimin dhe kapjen e bashkëpunëtorëve të tjerë të dyshuar. Materialet procedurale janë referuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë”, thuhet në njoftimin zyrtar të Policisë së Vlorës.
Në momentin e arrestimit, Kleanth Bylyku po qarkullonte me një automjet Audi. Automjeti i tij u rrethua nga makina ku ndodheshin agjentë civilë të policisë, që e nxorrën nga mjeti e shtrinë në tokë dhe i vunë prangat.
Lidhur me këtë vrasje në fund të muajit prill u arrestua edhe shtetasi Eris Mehmetaj. Ky I fundit ka mohuar përfshirjen në krim, ndërsa u arrestua me dyshimin se ka përkrahur autorët.
Ndërkohë që mbeten ende mister shkaqet e krimit, ka dyshime se viktima u ekzekutua pasi kishte dyshime se ai bënte një lojë të dyfishtë mes grupeve kriminale.
Hoxhaj u qëllua me të paktën dy plumba mëngjesin e 27 prillit në lagjen Hajro Çakërri në Vlorë.
Lini një Përgjigje