
3 shqiptarë janë ekstraduar nga Greqia, Belgjika dhe Serbia, pasi ishin shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Të ekstraduarit janë të dënuar me burg për prostitucion, pastrim parash, kultivim droge dhe trafik mjetesh motorike. Të tre iu dorëzuan policisë shqiptare në aeroportin e Rinasit nga shërbimet partnere ditën e sotme.
I pari u dorëzua tek agjentët e Interpol Tiranës personi me dy identitete, Mikel Hoxha (Papa), i kapur në Greqi, që Gjykata e Beratit e ka dënuar me 4 vite burg, për veprën penale “pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
Ndërsa 40-vjeçari Armando Gropa, i kapur në Belgjikë, është dënuar nga Gjykata e Apelit Tiranë me 3 vjet e 4 muaj burgim, për veprën penale “kultivimi i bimëve narkotike”.
I fundit u ekstradua Suard Onuz, i kapur në Serbi, pasi Gjykata e Kukësit, në vitin 2023, i ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg”, për veprën penale “trafikimi i mjeteve motorike”. Ai akuzohet se ka trafikuar në Shqipëri, 1 automjet tip “Mercedez Benz”, të denoncuar të vjedhur në Francë.
“Finalizimi i procedurave të ekstradimit, rezultat i bashkëpunimit konsistent të shërbimeve të Interpol Tiranës, me homologët në Athinë, Bruksel dhe Beograd. Konkretisht, u ekstraduan në Shqipëri, shtetasit shqiptarë:
-M. H. alias M. P., i kapur në Greqi, pasi Gjykata e Beratit e ka dënuar me 4 vjet burgim, për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”. Ai ka investuar për blerjen e pasurive të paluajtshme dhe ka transferuar shuma të mëdha parash te të afërmit e tij, të ardhura të cilat i ka përfituar nga veprimtaria kriminale e shfrytëzimit për prostitucion, për të cilën është dënuar në Itali. Nga dënimi, shtetasit M. H. alias M. P. i duhet të vuajë 3 vjet e 9 muaj burgim;
-A. G., 40 vjeç, i kapur në Belgjikë, pasi Gjykata e Apelit Tiranë e ka dënuar me 3 vjet e 4 muaj burgim, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”. Në vitin 2021, ai kultivoi 140 bimë narkotike Cannabis Sativa, në sipërfaqen e tokës që kishte në pronësi në fshatin Grizë;
-S. O., i kapur në Serbi, pasi Gjykata e Kukësit, në vitin 2023, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Trafikimi i mjeteve motorike”. Ai akuzohet se ka trafikuar në Shqipëri, 1 automjet tip “Mercedez Benz”, të denoncuar të vjedhur në Francë”, njoftoi policia.
Lini një Përgjigje