TAGS-AT E JAVËS

Kronike 5 Shtator 2025, 07:01

Në kërkim për trafikimin e 11 tonëve kokainë, arrestohet në Santo Domingo shqiptari; kush është 'Zhuu' dhe çfarë i gjeti policia

Shkruar nga Pamfleti

Në kërkim për trafikimin e 11 tonëve kokainë,

Në dosjen e SPAK, që bazohet në komunikimet përmes aplikacioneve Sky Ecc, Pepa njihej me nofkën ‘Zhuu’...

Një shqiptar, i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga SPAK, u arrestua në Santo Domingo, ndërsa dyshohet si i lidhur me trafikimin e 11 tonë kokainë.

Bëhet fjalë për shtetasin Soni Pepa, për të cilin autoritetet shqiptare kanë dyshime se i përket një rrjeti ndërkombëtar të trafikimit të narkotikëve. Në momentin e arrestimit, shqiptarit iu gjetën 5 telefona celularë të koduar, si dhe dokumente shqiptare dhe italiane.

Në një njoftim zyrtar thuhet se Policia Kombëtare, nëpërmjet Byrosë Qendrore Kombëtare (NCB) të INTERPOL-it në Santo Domingo, arrestoi shtetasin shqiptar Soni Pepa, 40 vjeç, i cili kërkohej nga autoritetet gjyqësore në vendin e tij sipas Njoftimit të Kuq Nr. A-11907/8-2025 për përfshirje të dyshuar në trafik ndërkombëtar droge.

Pepa është i lidhur me një ngarkesë prej 11 tonësh kokainë, përfshirë 600 kilogramë të sekuestruar në Roterdam të Holandës, në nëntor 2020, dhe financimin e 10 kilogramëve të tjerë në të njëjtin qytet. Raportet ndërkombëtare tregojnë se ai i përkiste një rrjeti kriminal transnacional që vepronte në Evropë dhe Amerikën e Jugut, duke përdorur portin Villetas të Paraguait si pikë nisjeje për ngarkesat me destinacion Belgjikën.

Ai u arrestua në Distriktin Kombëtar, ndërsa iu gjet një pasaportë shqiptare, disa dokumente italiane, pesë telefona celularë të koduar dhe para cash.

Pas kapjes së tij, ai iu dorëzua Drejtorisë së Përgjithshme të Imigracionit për procedurat e deportimit në koordinim me OCN-INTERPOL Santo Domingo.

Në dosjen e SPAK, që bazohet në komunikimet përmes aplikacioneve Sky Ecc, Pepa njihej me nofkën ‘Zhuu’.

“Kam shumë lek në Holandë, s’po i nis dot. Nga konteksti i bisedës dyshohet se me nofkën “shijaksi”, Ervis Cela i referohet shtetasit Fadil Balla, për të cilin pyet vëllain tij nëse ka dorëzuar ndonjë shumë parash.

Të njëjtën pyetje ka dhe për shtetasin Soni Pepa, të cilit i referohet me nofkën “Zhuu””, thuhet ndër të tjera në dosjen e SPAK, publikuar pak kohë më parë.

Emri i Soni Pepës ka rezultuar në komunikimet mes anëtarëve të organizatës që dyshohet se ka trafikuar kokainë dhe vlerë disa milionë euro.

Referuar publikimeve të mëparshme, Soni Pepa, ortak me Ervis Çelën në trafikun e kokainës në Itali dhe në tregun europian sillte paratë në Shqipëri.

Në datën 6.11.2020, Ervisi i shkruan Soni Pepës: Ke shofer gati?

Takimet me shoferët shqiptarë bëheshin në Ankona ose Bari. Shoferët udhëzoheshin qartë, ndërkohë që duhej të dorëzonin pakot në destinacion.

Në një bisedë të datës 22. 07. 2020 Elidoni i tregon Soni Pepës se ai dërgon vetëm lekë e merr porosi dhe i dërgon nga një vend në tjetrin ‘nuk ngatërrohet me mall’

Soni Pepa: Punon me mall ti apo me autobus?

Elidon Çela: Une vetëm lekë çojm nuk ngatërrohem me mall. i bëj tulla tulla.. Lidhem direkt me robin dhe ja dorëzoj në dorë.. se s’kan pa lekë me sy në Shqipëri.. i bie të fikët po panë thesin.

Më 26 korrik 2020 Soni Pepa i shkruan Albin Çelës se 250 (dyshohet 250 mijë euro) nisen me Kujtimin ndërsa 250 mijë të tjera me tjetrin.

Më 8 gusht 2025, Prokuroria e Posaçme deklaroi se goditi një ndër organizatat më të mëdha të trafikut të kokainës nga Amerika Latine në vendet e BE-së, e cila i pastronte paratë në Shqipëri me kompani biznesi, resorte dhe pasuri të patundshme. Në krye ishin Franc Çopjes, alias Franc Gergely, aktualisht i arrestuar në Belgjikë për vepra penale të trafikut të drogës dhe grupit të strukturuar kriminal dhe Ervis Çela i cili në atë kohë jetonte në Paraguaj. /Pamfleti/

Lini një Përgjigje