Gjyqtari Erjon Bani caktoi masat arrest me burg për 5 prej tyre, por njëri u la i lirë pasi ishte arrestuar gabimisht.
Kanë dalë sot para GJKKO për t’u njohur me masat e sigurisë, gjashtë pjestarët e grupit kriminal i cili u shkatërrua nga SPAK.
Gjyqtari Erjon Bani caktoi sot masat 'arrest me burg' për 5 prej tyre, por njëri u la i lirë pasi ishte arrestuar gabimisht. Bëhet fjalë për Ilir Lloshin, i cili u arrestua në Elbasan.
Në seancën gjyqësore, Lloshi deklaroi se nuk kishte asnjë lidhje me çështjen në fjalë, duke theksuar se “nuk kam dalë asnjëherë jashtë shtetit”.
Ballafaqimi me bashkëpunëtorin e drejtësisë Erion Alibej, si dhe verifikimi i fotove, konfirmoi se nuk bëhej fjalë për të njëjtin person që dyshohet si i përfshirë në trafikun ndërkombëtar të drogës.
Ndërkohë, GJKKO ka konfirmuar masat e sigurisë “arrest me burg” për pesë të ndaluar të tjerë: Artur Hoxhosmani, Klevis Hoxhosmani, Ermir Ndrejaj, Erion Alibej (bashkëpunëtor i drejtësisë) dhe Plarent Dervishaj të dy aktualisht në burg edhe për dosjen Plumbi i Artë.
Ndërkohë, është zbardhur edhe emri i personit të shpallur në kërkim, i cili dyshohet se fshihet në Dubai. Bëhet fjalë për biznesmenin Elidon Skëndaj, i njohur dhe me emrat Devid Patrut dhe Devid Boraj. Ai rezulton pronar i një bar kafeje tek zona e Ujit të Ftohtë në qytetin e Vlorës si edhe i një kompanie ndërtimi, Erking shpk.
Burime nga seanca bëjnë me dije se vëllezërit Hoxhosmani dhe Ndrejaj kanë mohuar përfshirjen në veprimtari kriminale dhe kanë deklaruar se nuk kanë përdorur aplikacionin SKY ECC. Ndrejaj ka kërkuar gjithashtu një masë më të butë sigurie, për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore.
Plarent Dervishaj është larguar nga salla e gjyqit përpara shpalljes së vendimit, pasi gjykata i tërhoqi vëmendjen të mos fliste pa leje.
Grupi kriminal është zbuluar si rezultat i të dhënave të përfituara nga aplikacioni SKY ECC, si dhe deklarimeve të bashkëpunëtorit të drejtësisë, Erion Alibej.
Si u zbulua banda e kokainës?
Nga hetimi rezultoi se ky grup ishte aktiv në vitet 2020-2021 në disa shtete europiane, përqendruar në trafikimin e kokainës dhe hashashit nga Kolumbia dhe Ekuadori drejt BE-së dhe Mbretërisë së Bashkuar. Droga fshihej mes konteinerëve, në paleta druri, kuti me banane ose në thasë me kakao. Gjatë kësaj periudhe u dokumentuan dhjetëra episode trafikimi e sekuestrimi droge, në total mbi 6 ton dhe kapte vlerën e 411 milionë eurove.
Shumica e drejtuesve jetonin midis vendeve të Bashkimit Evropian dhe Britanisë së Madhe. Anëtarët e grupit komunikonin në “Sky ECC”. Kur dyshonin se droga do kapej, telefonat i shkatërronin. Por, SPAK ra në gjurmët e tyre, pikërisht këto biseda të zbërthyera me ndihmën e francezëve.
Ndreaj u arrestua teksa shijonte rrezet e diellit në një skaf luksoz në Palasë, ndërsa policia ushtroi kontrolle në vilën e tij në jug dhe në një apartament luksoz në një zonë rezidenciale në Tiranë. Po në Palasë u arrestuan edhe vëllezërit Artur dhe Klevis Hoxhosmani, ndërsa Ilir Lloshi u kap në Elbasan.
Nga operacioni u sekuestruan 43,470 euro dhe 5,000 franga zvicerane, si dhe 3 makina, përfshirë një luksoze, Mercedes Benz AMG G63. U bllokua gjithashtu një skaf luksoz, prodhim i vitit 2025. Nga kontrollet u gjetën edhe 2 orë luksoze, Rolex dhe Richard Mille, 16 celularë, 19 karta bankare ndërkombëtare dhe të dhëna llogarish të huaja bankare në Dubai, Gjermani, Itali dhe Panama. U sekuestrua gjithashtu një dron profesional, 8 hard disqe dhe pajisje të tjera elektronike të sofistikuara. Ndërsa në shtëpinë e Artur Hoxhosmanit u gjetën 3 pistoleta pa leje.
Lini një Përgjigje