TAGS-AT E JAVËS

Kronike12 Shkurt 2026, 11:03

Nuk raportuan ndërtimin e paligjshëm, Prokuroria pezullon nga detyra 2 inspektorët e IMT dhe përgjegjësin

Shkruar nga Pamfleti

Nuk raportuan ndërtimin e paligjshëm, Prokuroria pezullon nga detyra 2

Prokuroria e Tiranës ka pezulluar nga detyra tre zyrtarë të Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit (IMT), të akuzuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, kryer në bashkëpunim.

Bëhet fjalë për inspektorët e terrenit Egnant Musaj dhe Shkëlqim Gaçi, si dhe përgjegjësin e sektorit Virgjil Shehaj. Sipas Prokurorisë, ata nuk kanë pasqyruar si të paligjshëm një ndërtim të kryer në rrugën “Valentina Pistoli”, në zonën e Selitës dhe nuk kanë ndjekur procedurat ligjore përkatëse.

Nga hetimet ka rezultuar se në këtë zonë po kryheshin punime pa leje nga shtetasi me iniciale D.G. Sipas Prokurorisë, inspektorët përgjegjës për territorin nuk informuan Kryeinspektorin për vendosjen e masës administrative, gjobës, marrjen e vendimit për prishjen e ndërtimit dhe depozitimin e kallëzimit penal.

Ndërtimi i paligjshëm ka nisur më 1 nëntor 2021 dhe ka përfunduar më 19 prill 2025. Ndërkohë, një kontroll nga punonjësit e IMT-së është ushtruar më 2 prill 2025. Prokuroria vlerëson se mosveprimet e konstatuara përbëjnë elementë të veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”, parashikuar nga nenet 248 dhe 25 të Kodit Penal.

Me kërkesë të Prokurorisë, gjykata ka caktuar ndaj tre zyrtarëve masën e sigurimit personal “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, bazuar në nenin 242 të Kodit të Procedurës Penale. Ndërsa hetimet për çështjen vijojnë.

Njoftimi i Prokurorisë:

Me kërkesën e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë u pezulluan nga ushtrimi i detyrës e shërbimi publik shtetasit E.M., Sh.G., dhe V.Sh. inspektorë terreni dhe përgjegjës të Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit (IMT), të dyshuar për veprën penale ‘Shpërdorimi i detyrës kryer në bashkëpunim’ parashikuar nga neni 248 e 25 të Kodit Penal.

Nga hetimet mbi procedimin penal nr.777, të vitit 2025, rezultoi e provuar se në rrugën "Valentina Pistoli", në Selitë, Tiranë, po kryheshin punime të dyshuara pa leje nga shtetasi D.G.

Inspektoret e terrenit për këtë zonë, ku u ndërtua banesa pa leje janë shtetasit E. M. Sh.G. si dhe përgjegjësi i sektorit, shtetasi V.Sh. Nga hetimet, rezultoi se këta persona nuk pasqyruan faktin se në rastin konkret kishim të bënim me një ndërtim të paligjshëm, dhe nuk e informuan Kryeinspektorin se duhej të vendosej masë administrative, gjobë, të merrej vendim për prishje të këtij ndërtimi dhe më pas të depozitohej kallëzim penal në Prokurorine pranë Gjykatës së Shkallës Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.

Nga hetimet rezultoi se ndërtimi i paligjshëm ka filluar të kryhet nga data 01.11.2021 dhe ka përfunduar në datë 19.04.2025 kur ndërkohë në datë 02.04.2025, u ushtrua kontroll nga punonjësit e IMT-së duke konsumuar në këtë mënyrë elementet e veprës penale të ‘Shpërdorimi i detyrës’ kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 248 e 25 të K.Penal.

Sa më sipër u vlerësua caktimi i masës së sigurimit personal ’Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik’, parashikuar nga neni 242 i K.Pr.Penale.

Lini një Përgjigje