
Një çift bashkëshortësh shqiptarë që sapo kishin lënë punën e tyre në furrën e bukës në Selanik dhe po ktheheshin për në banesë, u goditën nga një kamion në rrugë. Të plagosur rëndë mbetën një burrë 47-vjeçar dhe gruaja e tij.
Ngjarja e rëndë ndodhi në orën 06:00 të mëngjesit të sotëm në aksin Selanik-Kavala, pranë vendit të njohur si “Titan”, kurse dy të plagosurit morën plagë dhe fraktura të shumta, duke u dërguar në spital për mjekim.
Policia është vënë në kërkim të shoferit të kamionit. Ngjarja e rëndë ndodhi pak pasi mjeti i të aksidentuarve ishte ndaluar për shkak të një defekti. Dhe pikërisht sapo hapën krahun në korsi, janë përplasur nga kamioni, shoferi i të cilit u arratis nga vendngjarja.
“Sapo hipën në makinë, duket se ajo ka pasur një problem mekanik dhe kështu kanë ndaluar në rrugën anësore të Egnatias”, informon “Protothema”.
Të dy ndodhen aktualisht në spitalin Papageorgiou.
Shoferi i makinës përshkruhet nga mjekët si pacient me trauma të shumëfishta pasi ka lëndime në legen dhe këmbë. Sipas informacioneve, ai po i nënshtrohet një ndërhyrjeje kirurgjikale me mundësinë e ndërhyrjeve të tjera, pa qenë në rrezik për jetën.
Edhe gruaja e tij po trajtohet në të njëjtin spital, ndërsa nuk dihet gjendja e saj shëndetësore.
Duke folur për “Protothema”, kunati i 47-vjeçarit tha se çifti sapo kishte mbaruar punën dhe po largoheshin për në shtëpi në atë kohë. Megjithatë, ata zbuluan se makina ishte prishur dhe kështu dolën për të parë se çfarë kishte ndodhur.
Përveç kësaj, ai thekson se policia duhet të gjejë shoferin e kamionit që i tërhoqi zvarrë dhe i la të pafuqishëm në asfalt. Sipas informacioneve, Policia greke po mbledh deklaratat e dëshmitarëve dhe ka “skanuar” zonën për kamera sigurie që mund të kenë regjistruar mjetin e rëndë dhe targën e tij.



Lini një Përgjigje