
Një ngjarje e pazakontë është regjistruar ditën e djeshme në qytetin e Elbasanit, ku shoferi i një Prokurori të SPAK është vënë nën hetim për sjellje të papranueshme ndaj strukturave të policisë.
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka proceduar në gjendje të lirë shtetasin Mateo Ademi, 25 vjeç, me gradën Inspektor pranë Gardës së Republikës, i cili shërben si shofer i Prokurorit të Posaçëm Alfred Shehu.
Paraditen e djeshme, pranë godinës së Postës në qytetin e Elbasanit, Ademi ka pasur një përplasje verbale me Shefin e Qarkullimit Rrugor të DVP Elbasan, duke e kanosur për shkak të detyrës.
Në lidhje me ngjarjen, ku është përfshirë Besmir Likaj, Shef Sektori i Trafikut Urban dhe Interurban në DVP Elbasan dhe shtetasi Mateo Ademi, punonjës i Gardës së Republikës dhe njëherazi shofer i një prokurori të SPAK, bëhet me dije se punonjësi i policisë rrugore Besmir Likaj ka qenë duke ushtruar patrullim në vijim të detyrës së tij, përgjatë segmentit rrugor nga rrethi i 1 Majit deri te rrethi i Postës, në Tiranë.
Në momentin që ai ndodhej pranë rrethit të Postës, është sinjalizuar nga shtetasi Mateo Ademi të ndalonte mjetin. Oficeri Likaj ka ndaluar mjetin dhe menjëherë pas kësaj, është përballur me një komunikim verbal kërcënues nga ana e Ademit, i cili dyshohet të ketë përdorur fjalor kanosës.
Sipas deklarimeve dhe pamjeve filmike të qarkulluara në rrjetet sociale, Mateo Ademi ishte i veshur me të zeza dhe mbante në brez, në krahun e djathtë, një armë zjarri (pistoletë), e cila ishte e dukshme dhe e pambuluar gjë që ka krijuar ndjesinë e intimidimit dhe përshkallëzimit të situatës.
Nga materiali filmik i publikuar në rrjete sociale dallohet qartë se oficeri Besmir Likaj është distancuar nga çdo sjellje konfliktuale apo provokim, duke ruajtur profesionalizmin në ushtrimin e detyrës së tij.
Ngjarja është në ndjekje nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP), e cila ka marrë në administrim të gjithë dokumentacionin përkatës, përfshirë edhe deklaratat e palëve dhe materialin video.
Policia e Shtetit mbetet e angazhuar për transparencë të plotë dhe zbatim të ligjit për çdo person, pavarësisht funksionit apo pozicionit të tij./Ora News
Lini një Përgjigje