
Policia e Shtetit ka publikuar pamjet nga operacioni i gjerë antidrogë në qarkun e Elbasanit, të koduar “First Day”, i cili çoi në pranga 30 persona, shpalli në kërkim 14 të tjerë dhe la 1 nën hetim. Ky është një nga aksionet më të mëdha të zhvilluara muajt e fundit në Shqipëri kundër shpërndarjes dhe tregtimit të lëndëve narkotike.
Në videot e bëra publike, dallohet momenti kur forcat e RENEA-s dhe të FNSH-së, të armatosur dhe me maska, hyjnë me forcë në banesa duke thirrur: “Policia, hape derën”. Pamjet tregojnë bastisje në disa apartamente dhe shtëpi private, ku uniformat blu kanë gjetur armë dhe sasi të ndryshme droge.
Operacioni është zhvilluar njëkohësisht në disa bashki të qarkut të Elbasanit, me mbështetje logjistike dhe informacion të përpunuar më parë nga hetimet disa mujore. Sipas burimeve, policia kishte ndjekur aktivitetin e personave të përfshirë, të cilët dyshohet se kishin krijuar një rrjet të shpërndarjes së drogës në qytet dhe në zonat rurale përreth.
Gjykata e Elbasanit ka lëshuar në total 45 masa sigurie, prej të cilave 30 u ekzekutuan ditën e operacionit, ndërsa 14 persona rezultojnë ende në arrati. Për një tjetër person është urdhëruar hetim në gjendje të lirë. Të arrestuarit janë transferuar në paraburgimin e Tiranës dhe pritet të përballen me akuzat për trafik dhe shpërndarje të lëndëve narkotike, si dhe armëmbajtje pa leje.
Lini një Përgjigje