TAGS-AT E JAVËS

Kronike 9 Qershor 2026, 14:24

Prej 1 jave i zhdukur, Eglant Koçi mund të jetë ekzekutuar; skenari tronditës

Shkruar nga Pamfleti
Prej 1 jave i zhdukur, Eglant Koçi mund të jetë ekzekutuar;
Rrëmbimi i Eglant Koçit

Sipas dyshimeve të deritanishme, i riu mund të jetë vrarë, ndërsa autor i dyshuar është shoku i tij i ngushtë, Armand Shakaj, i cili është shpallur në kërkim.

Pesë ditë pas zhdukjes së 34-vjeçarit Eglant Koçi, hetimet e Policisë së Tiranës kanë marrë një tjetër drejtim. Sipas dyshimeve të deritanishme, i riu mund të jetë vrarë, ndërsa autor i dyshuar është shoku i tij i ngushtë, Armand Shakaj, i cili është shpallur në kërkim.

Familjarët denoncuan zhdukjen e Koçit më 4 qershor, duke vënë në lëvizje strukturat hetimore. Nga këqyrja e kamerave të sigurisë rezulton se 34-vjeçari është parë për herë të fundit teksa lëvizte nga zona e Sheshit Wilson drejt Bulevardit “Zhan D’Ark”, ku shkoi pranë lokalit të një miku të tij. Sipas hetuesve, ai nuk është parë më të largohet nga aty.

Nga analizimi i pamjeve filmike dhe veprimet hetimore në terren, policia ka siguruar prova që kanë forcuar dyshimet se Koçi është vrarë dhe se trupi i tij është transportuar e fshehur me automjet.

Në kuadër të hetimeve është arrestuar edhe Enea Zyferi, kamarier në një lokal në pronësi të Armand Shakajt dhe pranë vendit ku dyshohet se ndodhi ngjarja. Ai akuzohet si bashkëpunëtor, pasi dyshohet se ka qenë dëshmitar gjatë transportimit të trupit.

Ndërkohë, autori i dyshuar vijon të jetë në arrati dhe policia nuk ka ende gjurmë të vendndodhjes së tij.

Burime nga hetimi bëjnë me dije se për të fshehur gjurmët, Shakaj dyshohet se ka lëvizur motorin e viktimës nga zona ku ndodhi krimi drejt zonës së 5 Majit, ku mjeti u gjet dy ditë më vonë.

Policia ka sekuestruar gjithashtu automjetin që dyshohet se është përdorur për transportimin e 34-vjeçarit. Gjatë ekspertimit të mjetit janë konstatuar njolla gjaku, të cilat dyshohet se mund t’i përkasin Koçit. Mostrat janë dërguar për analiza laboratorike.

Aktualisht, kërkimet për gjetjen e trupit vijojnë në disa zona periferike të Tiranës, përfshirë Dajtin dhe akset në drejtim të Elbasanit.

Hetuesit po verifikojnë edhe aktivitetin e 34-vjeçarit. Ndonëse rezultonte i punësuar në një mobileri, një nga pistat ku është fokusuar hetimi lidhet me përfshirjen e mundshme të tij në aktivitetin e kriptomonedhave.

Policia dhe prokuroria po vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

 

rrëmbimi i eglant koçit vrasje shoku i ngushte

1 Komente

  1. V
    Viktori

    Si u katandisem,Po ju hane paret koken!

    Lini një Përgjigje