Kronike 1 Tetor 2023, 08:55

Rrëfeu 6 vrasjet e bujshme të Laert Haxhiut/ Artan Tafani dhe 11 të arrestuarit njihen sot me masën e sigurisë, ‘blindohet’ gjykata e Elbasanit

Shkruar nga Pamfleti
Rrëfeu 6 vrasjet e bujshme të Laert Haxhiut/ Artan Tafani dhe 11
Artan Tafani

Gjykata dhe prokuroria e Elbasanit është blinduar ditën e sotme pasi pritet të jepet masa e sigurisë për anëtarët e bandës së Laert Haxhiut të arrestuar në kuadër të operacionit “Never Forget” (Kurrë mos harro).

Në pritje të zhvillimit të seancës për masën e sigurisë një territor i gjerë rreth e rrotull gjykatës së Elbasanit është bllokuar.

Sakaq mësohet se seanca e sotme do të drejtohet nga Prokuror Kreshnik Ajazi dhe gjyqtare Megi Strakosha.

Në 28 tetor policia arrestoi 12 persona dhe shpalli në kërkim 4 të tjerë, si të dyshuar për 6 vrasje, 3 përpjekje për vrasje, 5 shpërthime të pronave me dinamit, 2 grabitje me dhunë, si dhe zbardhje e dy vrasjeve të kryera në Greqi.

Vrasjet me paramendim dhe për gjakmarrje, si dhe krime të tjera janë kryer në Korçë, Elbasan, Peqin, Lushnje, Tepelenë, Durrës dhe Tiranë në vitet 2021-22.

Të arrestuarit janë:

-Artan (Marjus) Tafani,

-Lulzim Spahija (Arapi),

-Ligor Romacka,

-Erisiano Abedini,

-Bledar Berberi,

-Maringlen Topuzi,

-Bujar Abedini,

-Enriko Xhahysa,

-Klea Gjata,

-Idriz Manej,

-Fatjon Veliu,

-Laert Haxhiu.

Ky i fundit përmendet nga policia si pjesëmarrës i dyshuar në pothuaj të gjithë vrasjet dhe episodet e dhunshme, që janë renditur në njoftimin zyrtar për këtë grup.

Artan Tafani "ushtari" i Laert Haxhiu është bërë dhe bashkëpunëtor i drejtësisë duke zbardhur mbi 19 ngjarje kriminale mes tyre dhe 6 vrasje të cilat sipas prokurorisë së Elbasanit ekzistojnë të gjitha provat se janë kryer nga banda e Laert Haxhiut.

Tafani është arrestuar mbrëmjen e së shtunës 23 shtator 2023 në darkë në një hotel pranë një karburanti në autostradë në territorin e Lushnjes.

Drejtuesit e policisë pohuan se tashmë janë zbardhur një sërë ngjarjesh të rënda kriminale kundër personit dhe pronës, të ndodhura më parë brenda dhe jashtë vendit.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Drejtues Madhor Muhamet Rrumbullaku, tha para mediave se operacioni rriti sigurinë publike dhe ndriçoi një seri krimesh prej angazhimit të një policie përherë e më profesionale.

Ministri i punëve të brendshme, Taulant Balla, vlerësoi policinë për “zbardhjen e 16 ngjarjeve të rënda kriminale”, dhe ftoi qytetarët të bashkëpunojnë me forcat e rendit për të goditur së bashku paligjshmëritë dhe për rritur nivelin e sigurisë në komunitet.

artan tafani rrëfeu 6 vrasjet e bujshme të laert haxhiut