Kronike31 Maj 2023, 12:24

Tentativa për atentat në Berat, zbardhen emrat e anëtarëve të grupit kriminal

Shkruar nga Pamfleti

Tentativa për atentat në Berat, zbardhen emrat e anëtarëve

Detaje të reja janë zbardhur nga tentativa për atentat nga një grup kriminal ndaj një personi në Berat . Në kërkim janë shpallur 3 anëtarët e grupit kriminal të identifikuar si Hamit Berisha, 55 vjeç, banues në Kosovë; Arli Shehu, 30 vjeç, banues në Korçë; Ermal Gora, 43 vjeç, banues në Tiranë.

Sipas policisë, sapo morën informacione se do kryhej vrasja e një personi, identiteti i të cilit nuk dihen, ngritën pika kontrolli me shërbime grackë në disa rrugë dhe fshatra ku dyshohej se mund të kryhej kjo ngjarje kriminale.

Anëtarët e grupit kriminal që kishin planifikuar këtë atentat, në pamundësi për të realizuar qëllimin e tyre, të gjendur nën presionin e Policisë, kanë fshehur automjetin brenda të cilit kishin mjetet për kryerjen e krimit, dhe duke përfituar nga errësira, janë larguar në zona të pyllëzuara.  Shërbimet e Policisë, si rezultat i kontrolleve të imtësishme dhe informacioneve policore të siguruara, kanë bërë të mundur gjetjen e automjetit, të një motomjeti të vjedhur, me 2 skafandra, të veshjeve të kamuflazhit (xhup meshini), të një arme zjarri automatik me silenciator, të një pistolete me silenciator dhe  të një sasie municioni luftarak”, njofton policia.

Në vijim, në kuadër të operacionit policor të koduar “Objektivi”, nga kontrolli në banesën e njërit prej shtetasve të shpallur në kërkim, konkretisht në banesën e shtetasit E. G., u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 2 radio marrëse-dhënëse, dylbi, dorashka dhe lëndë djegëse.. 

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat, për veprat penale "Sigurimi i kushteve dhe mjeteve për të kryer vrasje" dhe "Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit luftarak".

tentativa për atentat në berat