TAGS-AT E JAVËS

Kronike 4 Nëntor 2025, 13:32

Vrasja e Elvis Dedajt, dëshmon në GJKKO ish e dashura e viktimës: Konflikti nisi për karburantin

Shkruar nga Pamfleti

Vrasja e Elvis Dedajt, dëshmon në GJKKO ish e dashura e viktimës:

Dëshmon në GJKKO ish e dashura e Elvis Dedajt, e cila ka treguar detaje nga lidhja e tyre dhe konfliktet që viktima kishte me shokun e tij, Festim Qoli, për një pikë karburanti në Shkozet.

Ajo rrëfen se ditën e ngjarjes, Elvisi ishte i shqetësuar për çështjen e karburantit, të cilin e kishte vënë në emër të Festimit dhe donte ta vendoste në emër të mamasë.

Ish-partnerja thotë se konflikti mes Elvisit dhe Festimit ka ndodhur dy-tre muaj para ngjarjes.

“Me Elvis Dedajn jam njohur në mars të vitit 2011 dhe lidhja me të ka zgjatur deri kur ai ka ndërruar jetë. Kam qenë në universitet. Me të u njoha përmes shoqes time, që kishte shok Festim Qolin. Elvis Dedja sapo kishte ardhur nga jashtë kur jam njohur me të. Ai kishte qenë në Holandë. Në Shqipëri po diskutonte të hapte një pikë karburanti me Festim Qolin. U hap karburanti, ka qenë në Shkozet. Nuk kam qenë ndonjëherë te karburanti me Elvisin. Festimi merrej me menaxhimin.

Elvisi jetonte me mamanë në Durrës dhe pjesën tjetër jetonim bashkë në Golem, herë pas here. Ditën e ngjarjes ai më solli në Tiranë sepse kisha provim. Unë bëra provimin, më çoi në Durrës dhe pastaj iku. Ka qenë ora 14:00–15:00. E pashë nga televizioni ngjarjen.

Ditën e ngjarjes ishte i shqetësuar për çështjen e karburantit, që e kishte vënë në emër të Festimit. Donte ta vendoste në emër të mamasë. Festimi ishte në dijeni të lidhjes time me Elvisin. Nënën e Elvisit e kam takuar për herë të parë kur u bë morti i tij. Kam takuar disa njerëz me të cilët shoqërohej Elvisi. Gjendja e tij ekonomike ishte normale. Për të ardhurat nga karburanti nuk diskutonim ndonjëherë.

Karburanti ishte i Elvisit, por ai e kishte vënë në emër të Festimit dhe konflikti ndodhi sepse donte ta kalonte në emër të Fatmires. Dy-tre muaj para ngjarjes ndodhi konflikti mes Elvisit dhe Festimit. Raporti mes tyre nuk ishte si më parë. Pseudonimi i Elvisit ishte “Loshi”.

Kam qenë në varrimin e Elvisit, Festim Qolin nuk e kam parë aty. Mesa kam marrë vesh, ai s’ka qenë i pranishëm. Elvisi kishte disa celularë, por me mua komunikonte vetëm me një numër. Pas vrasjes së Elvisit, kam kontaktuar me Fatmirën. Unë kam qenë shumë e vogël dhe shumë e tronditur për ngjarjen. Me nënën e tij u takova rreth 40 ditë më pas, kur i kam shkuar në shtëpi”, tha ajo.

Lini një Përgjigje