
Shkak i atentatit në lokalin e Fatjon Muratit në zonën e ‘Don Boskos’, ku mbeti e vrarë banakierja dhe u plagosën gjashtë të tjerë dyshohet se është përplasja mes bandave. Në momentin e atentatit në lokal ka qenë vëllai i Fatjon Muratit dhe xhaxhai i tij, i cili mbeti i plagosur si edhe djali i xhaxhait. Vëllai i Fatjonit kishte pak kohë që ishte kthyer në vend. Hetuesit dyshojnë se është një përplasje mes bandave. Përqendrimet janë fokusuar te grupi i Ervis Martinajt në hakmarrje për vrasjen e Brilant Martinajt në Fushë-Krujë.
Kamerat e sigurisë kanë filmuar dy persona nga një distancë që futen brenda mjetit që dyshohet se janë autorët. Nga veprimet paraprake, dyshohet që dy nga autorët kanë dalë nga makina dhe një herë kanë qëlluar nga brenda në ecje.
Fatjon Murati është mik i ngushtë me Endrit Doklen, e ndërsa njihej për armiqësinë me grupit tjetër, atë të Ervis Martiaj (i zhdukur që në 9 gusht 2022). Murati është një person me precedentë të theksuar kriminal. Ai ka qenë një ndër personat që është kërkuar nga Prokuroria Kurbin për t’u marrë në pyetje lidhur me masakrën me tre të vrarë në Fushë-Krujë, për shkak të dyshimeve se ka qenë një nga organizatorët e atentatit. Po për të njëjtën ngjarje është pyetur edhe Indrit Dokle i cili ka deklaruar se nuk ka asnjë lidhje atentatin dhe më pas është lënë i lirë. Nisur nga kjo, mendohet se e gjitha ka ardhur si pasojë e një përplasjeje mes grupit të tij dhe atij të Ervis Martinajt. Ka edhe një pistë tjetër që thuhet se shenjestër e këtij atentati ka qenë xhaxhai i tij, Shehat Murati, një prej të plagosurve më rëndë nga ky atentat i ditës së djeshme, mirëpo ky detaj nuk është konfirmuar ende nga burime zyrtare.
Si ndodhi ngjarja?
Në momentin e atentatit në lokal ka qenë vëllai i Fatjon Muratit dhe xhaxhai i tij, Shehat Murati si dhe djali i xhaxhait të tij (djali i Shehat Muratit). Kamerat e sigurisë nga një distancë kanë filmuar dy persona që futen brenda mjetit që dyshohet se janë pikërisht autorët e ngjarjes. Nga veprimet paraprake dyshohet që dy nga autorët kanë dalë nga makina dhe 1 tjetër ka qëlluar nga brenda në ecje. Gëzhojat e gjetura në lokal janë saktësisht 17 copë dhe janë të qëlluara nga 3 armë të ndryshme, njëlloj siç u gjetën të djegura në makinë.
Si u lirua Fatjon Murati?
Fatjon Murati u arrestua më 8 tetor nga Policia e Tiranës, pasi ishte shpallur në kërkim se zotëronte një arsenal armësh, në një apartament në zonën e Farkës, bashkë Kristjan Gjinin të kapur nga policia më 13 korrik. 2 muaj pas arrestimit, atij iu ndryshua masa e sigurisë nga “Arrest në burg” në “Arrest shtëpie. Vendimi për ndryshimin e masës së sigurisë është marrë nga gjyqtarja Migena Laska, në gjykatën e shkallës së parë të Tiranës, ndërkohë që Prokuroria ka qenë kundër. Çështja për “armëmbajtje pa leje” është dërguar për gjykim dhe pritet që në datën 15 mars, pra pas 2 ditësh, prokuroria do të japë konkluzionet. Mirëpo, në një kohë kur Fatjon Murati ishte në masën e sigurisë ‘Arrest shtëpie’, ai nuk e ka respektuar, por është arratisur nga banesa e tij pak ditë para ngjarjes. Mendohet se Murati deri para dy ditësh rezulton të ketë qenë në Tiranë, por ilegalisht dyshohet se ka kaluar kufirin për në Prishtinë. Hetuesit dyshojnë se ai është larguar në drejtim të Turqisë, detaje të cilat po verifikohen.