Një konflikt i ndodhur pasditen e së premtes në ambientet e një berberhaneje në Ishull-Lezhë ka përfunduar me plagosjen e lehtë të dy personave me mjet prerës. Autori i dyshuar, një 40-vjeçar, është shoqëruar në Komisariat për veprime të mëtejshme procedurale.
Sipas informacionit zyrtar, shtetasi me iniciale D. K., 40 vjeç, është konfliktuar me pronarin e berberhanes, shtetasin R. Sh., 24 vjeç. Gjatë përplasjes janë përfshirë edhe shtetasi B. D., 35 vjeç, daja i pronarit, si dhe shtetasi A. Z., 52 vjeç, i cili ndodhej si klient në momentin e ngjarjes.
Në kulmin e konfliktit, 40-vjeçari dyshohet se ka përdorur një mjet prerës (thikë), duke plagosur në dorë pronarin e lokalit dhe klientin. Shtetasi B. D. nuk ka pësuar dëmtime.
Të plagosurit janë transportuar në Spitalin Rajonal të Lezhës, ku kanë marrë ndihmën e nevojshme mjekësore. Më pas, ata janë paraqitur në Komisariat për të bërë kallëzim lidhur me rastin.
Sipas të dhënave paraprake, dëmtimet janë të lehta dhe jashtë rrezikut për jetën.
"Lezhë/Plagosi lehtë në dorë me mjet prerës dy shtetas gjatë një konflikti për motive të dobëta, kapet dhe shoqërohet në Komisariat autori i dyshuar.
Në ishull-Lezhë, në ambientet e një berberhane, shtetasi D. K., 40 vjeç, është konfliktuar me pronarin e objektit, shtetasin R. Sh., 24 vjeç.
Gjatë konfliktit janë përfshirë edhe shtetasi B. D., 35 vjeç (daja i pronarit), si dhe shtetasi A. Z., 52 vjeç, i cili ka qenë klient në momentin e ngjarjes.
Shtetasi D. K. ka plagosur me mjet prerës (thikë) shtetasit R. Sh. dhe A. Z., të cilët kanë marrë dëmtime në pjesën e dorës, ndërsa shtetasi B. D. nuk ka pësuar dëmtime.
Të dëmtuarit janë transportuar në Spitalin Rajonal të Lezhës, ku kanë marrë ndihmën mjekësore dhe më pas janë paraqitur në Komisariat për të bërë kallëzim lidhur me rastin.
Autori i dyshuar, shtetasi D. K., është shoqëruar në Komisariat për veprime të mëtejshme procedurale.
Gjithashtu, është sekuestruar në cilësinë e provës materiale mjeti prerës (thika).
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave dhe dokumentimin ligjor të ngjarjes."-njofton policia.
Lini një Përgjigje