TAGS-AT E JAVËS

Kronike14 Maj 2025, 11:40

Zhvatën 3 milionë euro nëpërmjet mashtrimit me call center, në pranga organizatori dhe 6 operatorë në Tiranë 

Shkruar nga Pamfleti
Zhvatën 3 milionë euro nëpërmjet mashtrimit me call center,
Foto Ilustrim

Shtatë persona kanë rënë në prangat e Policisë në kryeqytet, pasi akuzohen se zhvasnin para qytetarëve përmes mashtrimit me call center. Mësohet se është arrestuar organizatori i kësaj veprimtarie të paligjshme, si dhe gjashtë operatorë që punonin në këtë qendër të përshtatur për mashtrime kompjuterike.

Call center-i ndodhej në katin e parë të një pallati në rrugën “Janos Hunyadi” në Tiranë dhe, sipas hetimeve, përdorej për të manipuluar qytetarë përmes komunikimit online.

Gjatë operacionit të koduar “Recovery”, të zhvilluar nën drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, u sekuestruan pajisje elektronike që shërbenin për kryerjen e mashtrimeve. Katër persona të tjerë janë proceduar në gjendje të lirë, ndërsa dy nga organizatorë të tjerë vijojnë të jenë në kërkim.

"Drejtoria për Hetimin e Krimeve Kibernetike, në bashkëpunim me Sektorin për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare të DVP Tiranë dhe në drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, finalizon në këtë kuadër, operacionin policor të koduar “Recovery”.

Zbulohet një call center në Tiranë, ku kryhej mashtrim kompjuterik. Vihet në pranga njëri nga 3 organizatorët e kësaj veprimtarie kriminale. Punohet për kapjen e 2 të tjerëve.

Gjithashtu, në pranga 6 punonjës në këtë subjekt, si dhe në hetim 4 të tjerë.
Sekuestrohen pajisje kompjuterike dhe celularë që i shërbenin mashtrimit. Në kuadër të operacionit “Recovery” dhe si rezultat i kontrolleve të kryera në vijim të operacionit ndërkombëtar “Platforma”, shërbimet e Policisë konstatuan se kati i parë i një pallati në rrugën “Janos Hunyadi”, ishte përshtatur si call center.

Nga ndërhyrja në këtë subjekt, u kapën në flagrancë dhe u vunë në pranga, punonjësit, shtetasit I. K., 33 vjeç, banues në Farkë, L. V., 22 vjeç, banues në Krujë, E. H., 38 vjeç, banues në Tiranë, M. M., 33 vjeç, banues në Tiranë, D. R., 34 vjeç, banues në Tiranë dhe A. P., 36 vjeç, banues në Tiranë.

Gjithashtu, u kapën në flagrancë, punonjësit, shtetasit A. P., 40 vjeçe, V. A., 38 vjeçe, K. A., 24 vjeçe dhe S. M., 38 vjeç, të gjithë banues në Tiranë, për të cilët nisi procedim në gjendje të lirë.
Si rezultat i hetimeve të kryera në kuadër të këtij operacioni, u identifikuan 3 organizatorët e mashtrimit kompjuterik, nëpërmjet këtij call centeri, shtetasit A. Sh., 36 vjeç, banues në Tiranë, A. R., 34 vjeç dhe A. G., 38 vjeç.

Shtetasi A. Sh. u kap nga Policia dhe u vu në pranga, në kuadër të operacionit “Recovery”. Ndërkaq, vijon puna për kapjen e 2 shtetasve të tjerë. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtëjshme", njofton policia.

mashtrime me call center

Lini një Përgjigje