
Tubimi i mbajtur në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së, në Tiranë është mbyllur. Ai zgjati pak më shumë se një orë dhe u shoqërua me fjalime nga figura të ndryshme politike, si ish-presidenti Alfred Moisiu dhe kreu i BDI-së Ali Ahmeti.
Përveç fjalimeve, tubimi u shoqëruar edhe me këngë patriotike me motive për luftën çlirimtare të Kosovës.
Pavarësisht pompozitetit dhe pritshmërive të larta për këtë tubim, ai zgjati shumë pak. Ndërkohë që tubime të tjera të kësaj natyre pritet të organizohen edhe në Shkup.

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka mbështetur protestën qytetare që po zhvillohet në Tiranë në mbrojtje të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Përmes një postimi në rrjetet sociale Begaj shprehet: “UÇK-ja është themeli i lirisë së Kosovës. Ajo është krenari e historisë sonë kombëtare. Askush nuk mund të zhbëjë këtë trashëgimi trimërie, sakrifice e heroizmi.”
Protesta e organizuar në sheshin “Skënderbej” ka mbledhur qindra qytetarë dhe përfaqësues të shoqërisë civile, në një akt solidariteti ndaj ish-pjesëtarëve të UÇK-së që po mbahen në paraburgim nën akuza për krime lufte.

Ish-presidenti Alfred Moisiu, mbajti një fjalim gjatë tubimit të organizuar në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së, në Sheshin Skënderbej. Ai deklaroi se UÇK-ja ka bërë detyrën më të lartë që njeh historia, çlirimin e Kosovës dhe mbrojtjen e popullit të vet.
“Të dashur qytetarë të Tiranës, Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë së Veriut Preshëvës e malit të Zi, sot jemi mbledhur në zemër të Tiranës. Jemi mbledhur për të mbrojtur dinjitettin tonë kombëtar për të ngritur zërin kundër padrejtësisë që po I bëhet bijve të Kosovës, luftëtarëve të UCK që luftuan për lirinë e Atdheut. Në 2022 ishim në Hagë në dhomat e paraburgimit për tu takuar me presidentin Thaçi, me Jakup Krasniqin, Kadri Veselin e Rexhep Selimin, kuptova e pash se ata trima nuk ishin frikësuar, por burra të fortë qëndronin të qetë të gatshëm për tu sakrifikuar për tu pastruar nga njollat që duan ti veshin. Ata nuk kanë kryer krime por kanë bërë detyrën më të lartë që njeh historia, clirimin e kosovës dhe mbrojtjen e popullit të vet”, tha ish-presidenti.
Më tej ai shtoi se populli shqiptar njihet si popull luftëtarë, teksa veçoi tre prej tyre; një në kohën e Skënderbeut, ajo gjatë Luftës së dytë Botërore dhe lufta e UÇK-së.
“Drejtësia do bëjë detyrën e saj dhe do jetë në krah të tyre, ata janë burgosur pa prova, me akuza të fabrikuara në qarqet e errëta serbo rusë. Në këtë kuadër, dëshmitarët zyrtarë amerikanë, që po dëshmojnë në gjykatë, po tregojnë prova dhe fakte, që provojnë pafajësinë e UÇK. Por komandandtët udhëheqës, për mbrojtjen popullit të tyre. Dëshiroj t’u them se shqiptarët historikisht njihen si luftëtarë, por 3 raste janë që shqiptarët luftuan. Në kohën e Skënderbeut, në Luftën e dytë Botërore dhe UÇK. Është koha të mos heshtuimn, por të ngremë zërin sa më lartë për të mbrojtur veten tonë. Nuk mund të nëpërkëmbet gjaku i shqiptarëve. Liria e Kosovës është fituar me gjak, sakrifica dhe vendosmëri. Duhet të jemi të vendosur dhe të bashkuar. I bëj thirrje drejtësisë të tregojë veten, që të bëeht mësim për të gjithë”, theksoi ai.

Pas Bujar Leskajt, i cili refuzoi vendimin e PD për të mos marrë pjesë në tubimin për UÇK-së, të njëjtën gjë ka bërë dhe Fatmir Mediu. Ai u shfaq në protestë këtë pasdite.
Mediu ka përcjellë një mesazh duke lënë mënjanë politikën, me qëllimin për të mbështetur një kauzë të drejtë.
“Mesazhi im është që jemi një komb. Ajo çfarë bëhet ndaj drejtuesve të UÇK-së është tendenca për të zhbërë historinë e kombit shqiptar dhe duhet të jemi të gjithë bashkë si shqiptar.
Disa përfaqësues janë dhe të PS dhe të PD, nuk kemi ardhur të bëjmë politikë, por për të mbështetur një kauzë të drejtë”, tha Fatmir Mediu.

Konfirmohen zërat se protesta sot në Tiranë në mbështetje të UÇK, më shumë është një lëvizje politike sesa mbështetje për të burgosurit në Hagë. Opozita në Kosovë ka marrë në mbrojtje kryeministrin Edi Rama, i cili u akuzua dje nga VV se ishte ndër nxitësit për themelimin e Gjykatës Speciale.
Deputetja e PDK në protestën për UÇK në Tiranë, Ganimete Musliu falënderoi dhe mori në mbrojtje Edi Ramën.
“Kur bëhet padrejtësi, duhet të flasë populli. Populli shqiptar sot po flet ndaj padrejtësive që po bëhen ndaj liderëve të UÇK-së në Hagë. Heronjtë tanë nuk kanë bërë krime. Gjenocid ka bërë Serbia,” u shpreh Musliu.
Ajo theksoi se çdo shqiptar që është falënderues për lirinë e fituar duhet të jetë aktivisht pjesë e protestave, duke i cilësuar sheshet si vendi i duhur për të mbrojtur dinjitetin kombëtar dhe historinë e UÇK-së.
“Sot çdo shqiptar që është falënderues për lirinë tonë duhet të jetë në sheshet protestuese kudo,” shtoi ajo.
Musliu gjithashtu falënderoi Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, për qëndrimin e tij në mbështetje të UÇK-së.
“Faleminderit Kryeministrit shqiptar Edi Rama që ka mbështetur UÇK-në që në nisjen e Gjykatës Speciale dhe ka qenë kundër saj,” tha ajo.

Protesta për liderët e UÇK ka nisur me këndimin e himnit kombëtar. Ishte Kastriot Tusha ai i cili këndoi himnin, teksa më pas e mori fjalën një prej organizatorëve, zoti Azgan Haklaj.
Me mijëra qytetarë nga Kosova dhe Shqipëria janë mbledhur në sheshin Skënderbej duke protestuar për mbajtjen në qeli të liderëve të UÇK. Në tubim ka pasur parulla dhe thirrje në mbrojtje të Luftës Çlirimtare të Kosovës.





Deputetë, Ministra, Kryebashkiakë dhe zyrtarë të ndryshëm të Partisë Socialiste i janë bashkuar tubimit të sotëm për ish-luftëtarët e UÇK-së, në Sheshin Skënderbej.
Prezent në protestë u pa ish-ministri i Drejtësisë Ulsi Manja, i cili në një prononcim për mediat tha se kjo protestë nuk është politike, teksa u bëri thirrje qytetarëve që të bëhen pjesë e kësaj proteste.
“Është impresionuese protesta e sotme. Kjo nuk është një protestë politike, është protesta e shqiptarëve, kush ka gjak shqiptari do të duhet që të jetë sot këtu në këtë shesh”, tha Manja.
Gjithashtu në protesë u pa kryebashkiaku i Lezhës Pjerin Ndreu, i cili ishte pranë Ulsi Manjës. Ndërkohë deputeti i PS-së, Taulant Balla u pa teksa shoqëronte djalin e Hashim Thaçit në protestën e sotme.
Partia Demokratike nga ana tjetër deklaroi se nuk do të marrë pjesë në këtë tubim. Por Bujar Leskaj, deputeti i PD për Vlorën, ka thyer këtë urdhër politik të Berishës dhe i është bashkaur protestës.
“Jam këtu për respekt të Hashim Thaçit, drejtuesit politik të UÇK-së”, tha ai.

Një protestë, shumë ndarje: protesta për UÇK më shumë shton ndasitë sesa afron Kosovën me Shqipërinë...
Qindra qytetarë nga Shqipëria dhe Kosova kanë mbushur sot rrugët e Tiranës në një protestë të organizuar në mbështetje të luftëtarëve të UÇK që ndodhen në Hagë.
Me flamuj, simbole të UÇK dhe uniforma ushtarake, protestuesit janë mbledhur në Sheshin Skënderbej, duke shkaktuar një kaos total në qarkullimin rrugor të kryeqytetit.

Ajo që fillimisht u paraqit si një nismë qytetare dhe jopolitike për të përkrahur figurat çlirimtare, ka marrë trajtën e një operacioni politik me prapavijë të qartë. Protesta u bë masive vetëm pasi u promovua publikisht nga vetë kryeministri Edi Rama, i cili fillimisht u përfol se do të merrte pjesë personalisht, por u tërhoq në moment të fundit. Ndërkohë, Albin Kurti e refuzoi kategorikisht ftesën për pjesëmarrje, gjë që e ekspozoi menjëherë ndaj sulmeve politike.
Lëvizja e Ramës shihet nga analistët si një përpjekje për të përçarë politikisht Kosovën dhe për të dëmtuar imazhin e Kurtit në një moment delikat për të; në prag të zgjedhjeve vendore dhe në mes të tensioneve me diplomacinë amerikane. Sipas burimeve nga Kosova, një pjesë e klasës politike atje e konsideron këtë protestë si “manovër politike e Tiranës” për të ushtruar ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimet e brendshme të Prishtinës.
Në mënyrë të pazakontë, qeveria shqiptare vendosi edhe heqjen e përkohshme të tarifës së Rrugës së Kombit, një vendim i lidhur drejtpërdrejt me mundësimin e pjesëmarrjes masive nga Kosova. Ky gjest është lexuar nga kundërshtarët politikë si konfirmim se protesta u mbështet dhe u nxit institucionalisht.
Ndërkohë, për qytetarët e Tiranës kjo ditë u kthye në makth. Rrugët kryesore u bllokuan që në mëngjes, trafiku u paralizua, dhe një pjesë e mirë e qytetarëve nuk arritën në kohë në punë apo shkolla. Kaos që do të vazhdojë edhe gjatë fundjavës për shkak të Maratonës së Tiranës që pritet të mbyllë sërish disa akse qendrore.
Po ashtu kjo protestë krijoi ndasi dhe në Tiranë. PD e refuzoi me argumentin se e organizon Edi Rama. Po ashtu dhe shumë parti të tjera.
Në vend që të përçonte unitet dhe mbështetje për çështjen e Hagës, protesta e sotme duket se ka sjellë më shumë ndasi, tensione politike dhe ka hapur një kapitull të ri përplasjesh mes Tiranës dhe Prishtinës. Mbetet për t’u parë nëse ky ishte thjesht një akt simbolik patriotik, apo një lëvizje e kalkuluar politike nga një Kryeministër që po kërkon ndikim përtej kufirit.
Lini një Përgjigje