Me flamuj kuqezi dhe thirrje kundër Ramës e Berishës, protestuesit paralajmërojnë vijimin e mobilizimit edhe nesër
Pas më shumë se dy orësh tubim para Kryeministrisë, qytetarët kanë nisur marshimin në rrugët e kryeqytetit, duke e çuar protestën në një fazë tjetër mobilizimi.
Me flamuj kombëtarë dhe pankarta në duar, protestuesit po ecin në mënyrë paqësore nëpër Tiranë, ndërsa brohorasin vazhdimisht "Ju erdhi fundi dhe nesër më shumë", një slogan që po dominon marshimin dhe që shihet si një mesazh i drejtpërdrejtë ndaj klasës politike.
Gjatë marshimit nuk mungojnë as thirrjet "Revolucion", "Rama ik", "Dorëheqje", "Rama në burg, Berisha në burg" dhe slogane të tjera që janë kthyer në simbol të protestave të ditëve të fundit.
Protesta e sotme u karakterizua nga pjesëmarrje e lartë dhe nga një sërë mesazhesh politike që shkuan përtej kauzës fillestare të Zvërnecit. Qytetarët kërkuan dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, ndërsa nuk kursyen kritikat as ndaj opozitës së drejtuar nga Sali Berisha.
Një nga zhvillimet më të rëndësishme të ditës ishte fakti se për herë të parë nga podiumi i protestës u hodh publikisht ideja e krijimit të një force të re politike, me argumentin se qytetarët nuk ndihen më të përfaqësuar nga partitë tradicionale.
Ndërsa marshimi vijon në rrugët e Tiranës, protestuesit kanë bërë të qartë se mobilizimi nuk do të ndalet me protestën e sotme. Mesazhi që po përcillet nga turma është se qytetarët do të rikthehen sërish nesër në shesh, duke synuar një pjesëmarrje edhe më të madhe në ditën e nëntë të protestës.

Një nga momentet më prekëse të protestës së zhvilluar para Kryeministrisë ishte fjalimi i një nëne të një fëmije me autizëm, e cila ngriti shqetësimet e familjeve që përballen çdo ditë me mungesën e mbështetjes institucionale.
E ngjitur në podium, ajo tha se shteti nuk ofron shërbimet bazë për fëmijët me spektrin e autizmit, ndërsa theksoi vështirësitë me të cilat përballen prindërit për të siguruar trajtim, terapi dhe kujdes shëndetësor.
Protestuesja kërkoi më shumë qendra të specializuara, shërbime mjekësore dhe mbështetje konkrete për familjet, duke denoncuar atë që e cilësoi si diskriminim dhe neglizhencë ndaj kësaj kategorie.
“Unë jam një prind me fëmijë me autizëm! Këtu sot jemi mbledhur shumë! Do ju lutesha, të na dëgjoni në këtë kauzën tonë! Zoti na e dha sfidë, por ne do ta kthejmë në mision! Shteti ynë na ka shkelur dhe vazhdon të na shkelë! Na jep 150 mijë lekë! Duam qendra, duam mjekësi, dentistë dhe shërbime minimale! Shkojmë në spitale dhe na refuzohen sa themi kemi fëmijë me autizëm! Ju lutem, mos i diskriminoni më! Gjendja është alarmante, mos të përmendim nënat e divorcuara me fëmijë me autizëm, jetimët! Mos i diskriminoni! Boll na mposhtët, boll na mashtruat! Mjaft më!”, tha protestuesja.

Një prej protestuesve kërkoi bashkimin e qytetarëve dhe ngritjen e një qeverie teknike, ndërsa sulmoi ashpër klasën politike.
Në protestën e zhvilluar para Kryeministrisë nuk munguan as thirrjet e forta kundër qeverisë dhe klasës politike. Një prej protestuesve mori fjalën para qytetarëve, duke u bërë apel që të bashkohen dhe të mos heqin dorë nga kauza e tyre.
Gjatë fjalës së tij, ai akuzoi politikën shqiptare për gjendjen e vendit dhe kërkoi largimin e qeverisë aktuale, duke mbështetur idenë e krijimit të një qeverie teknike.
Protestuesi deklaroi se qytetarët duhet të vazhdojnë mobilizimin dhe të ushtrojnë presion për ndryshime politike, ndërsa kritikoi ashpër kryeministrin Edi Rama dhe marrëdhëniet e tij me liderët europianë.
“Politika qelbsirë që na ka shkatërruar jetën. Nëse ne bëhemi bashkë, i them kryeministrit kriminel. Ne jemi shqiptarë o budallenj. Shqiptarët kanë dhënë prova që kanë rrëzu, grek, serb turq, jo 35 vjet këta pederastë që kanë shit familje. Bëhuni bashkë. Edi Rama i lëpihet Melonit në gjunjë, dhe shkel shqiptarët. Nuk ka negociata, duam qeveri teknike…Nëse është nevoja me derdh gjak si në 21 janar, jam i gatshëm me lon 4 fëmijë në rrugë…I rrëzoni këto plehra… Jemi gati të derdhim gjak…Veç të rrëzohen këto plehra nga pushteti”, tha ai.
Thirrje për dorëheqjen e Ramës, kundër patronazhistëve dhe klasës politike, ndërsa qytetarët premtojnë se nuk do të tërhiqen
Protesta para Kryeministrisë po merr gjithnjë e më shumë tiparet e një lëvizjeje qytetare që bashkon breza dhe shtresa të ndryshme të shoqërisë. Në tubimin e zhvilluar këtë të diel nuk munguan fëmijët, familjet, të rinjtë dhe të moshuarit, në atë që pjesëmarrësit e konsiderojnë një nga protestat më qytetare të viteve të fundit.
Një nga momentet më emocionuese të tubimit ishte fjala e një fëmije, i cili nga podiumi përcolli një mesazh që u prit me duartrokitje nga turma e mbledhur para Kryeministrisë.
"Shqiptarët kanë luftuar në shekuj për Atdheun tonë! Pas gjithë këtyre sakrificave ne nuk ia shesim askujt tokat tona! Shqipëria është e jona!", tha ai.
Mes thirrjeve "Rama në burg", "Berisha në burg" dhe "Poshtë patronazhistët", protestuesit kërkuan largimin e kryeministrit Edi Rama dhe ndryshime të thella në mënyrën se si qeveriset vendi.
Në emër të brezit të ri foli edhe një protestues i ri, i cili tha se protesta përfaqëson shpresën për një Shqipëri ndryshe dhe një refuzim ndaj modelit aktual të zhvillimit.
"Kam dalë sot në shesh dhe çdo ditë sepse shoh dritë në fund të tunelit. Shpresoj se këtë vend mund ta bëjmë vetëm ne. Rama na tha nuk i doni investimet strategjike, e gabuar; tha nuk i doni turistët, e pavërtetë. Ne nuk duam investime që dëmtojnë natyrën tonë. Nuk duam investime që tjetërsojnë kulturën. Këto janë vlerat tona dhe këta jemi ne. Ka ardhur koha që populli shqiptar, rinia shqiptare të ndryshojë një koncept të gabuar e të kalbur. Duhet të ndërtojmë shtetin. Gjyshërit tanë kanë vuajtur komunizmin, baballarët kanë luftuar komunizmin, tani është radha jonë. Mos u dorëzoni", tha ai.
Vendosmëria për të vijuar protestën u shpreh edhe nga qytetarë që prej ditësh janë pjesë e tubimeve para Kryeministrisë.
"Të qëndrojmë deri sa ta largojmë. Edi Rama shko në burg", tha një protestuese.
Mesazhe të forta pati edhe ndaj deklaratave të fundit të kryeministrit, i cili i ka cilësuar protestuesit me etiketime që kanë shkaktuar reagime të shumta.
"Jemi quajtur honxho-bonxho, pa tru, pa mend. E sot na se po bllokojmë turizmin. Por jo, je ti ai që rrethove Zvërnecin. A më thua dot se duhet të jem nga Zvërneci apo Rrjolli që të mbroj këto vende? Nëse nuk ke kurajë, të përgjigjem unë ty. Shqipëri quhet toka ku ka pasur shtëpinë. Ke kaq ditë që flet për kontrata. Trembëdhjetë vite më parë ke nënshkruar për mua. Dola në protestë më vonë, ju thamë arsimi është i dështuar. Ti numëron votat, e ne njerëzit që ikin", tha një qytetare.
Ndërsa protesta hyn në ditën e tetë, pjesëmarrja e familjeve, e të rinjve dhe e fëmijëve po i jep asaj një profil të ndryshëm nga protestat tradicionale politike. Nga sheshi para Kryeministrisë po artikulohen jo vetëm kundërshtime ndaj projektit në Zvërnec, por edhe kërkesa më të gjera për ndryshim politik, llogaridhënie dhe një Shqipëri që, sipas protestuesve, duhet t'u përkasë qytetarëve të saj.

Dy turistë italianë që ndodheshin në Tiranë iu bashkuan simbolikisht protestës së mbajtur para Kryeministrisë, duke komentuar deklaratat e kryeministrit Edi Rama, i cili më herët tha se protestat mund të ndikojnë negativisht te turistët dhe sezoni turistik.
Njëra prej turisteve italiane u shpreh se ajo dhe grupi me të cilin udhëton nuk ndihen të shqetësuar nga protestat. Sipas saj, është e rëndësishme që qytetarët të shprehin qëndrimet e tyre dhe të kërkojnë më shumë transparencë nga qeveria.
“Përshëndetje, ne jemi nga Italia. Jemi të lumtur që ndodhemi këtu me ju, si turistë në vendin tuaj. Vëllezër dhe motra shqiptarë, ne nuk kemi frikë. Protesta juaj nuk na tremb. Është e rëndësishme të ngrini zërin për të drejtat tuaja dhe për transparencën e qeverisë. Faleminderit për mikpritjen”, tha ajo.
Edhe një turist tjetër italian tha se gjatë ditëve të qëndrimit në Shqipëri ka vënë re një popull krenar që nuk ndikohet nga interesi financiar.
“Këto ditë që kam kaluar këtu kam parë një popull krenar. Kam parë njerëz që nuk përkulen para lekëve. Disa mund të mendojnë se ju blejnë, por nuk është kështu. Shqipëria u përket shqiptarëve. Vazhdoni përpara. Forca, Shqipëria”, u shpreh ai.
Nga sulmet ndaj protestuesve te imitimet e influencerëve, kryeministri duket gjithnjë e më i shqetësuar nga revolta që po rritet para Kryeministrisë
Në vend që të fliste për protestën që prej ditësh po mbledh mijëra qytetarë para Kryeministrisë, Edi Rama zgjodhi të tërhiqte vëmendjen me një tjetër shfaqje të pazakontë në Elbasan.
Gjatë aktivitetit të Partisë Socialiste, kryeministri la mënjanë fjalimin politik dhe nisi të imitojë vajza të njohura të rrjeteve sociale që kanë shprehur mbështetje për protestën kundër projektit në Zvërnec. Gjeste, mimika dhe spërdredhje që më shumë ngjanin me një skeç humori sesa me një dalje të një kryeministri që përballet me protestën më të madhe të muajve të fundit.
Pamjet u shpërndanë me shpejtësi në rrjetet sociale, duke shkaktuar reagime të shumta dhe duke e kthyer momentin në një nga episodet më të komentuara të ditës politike.
Në pamje të parë, Rama dukej sikur ishte në humor dhe po tallej me kundërshtarët. Por pas ironive dhe imitimit të protestuesve, shumëkush sheh një shqetësim në rritje përballë një lëvizjeje që po fiton terren nga dita në ditë.
Ajo që bie më shumë në sy është fakti se energjia kryesore e protestës po vjen pikërisht nga brezi i ri. Studentë, aktivistë, blogerë, krijues përmbajtjeje dhe përdorues të rrjeteve sociale po kthehen në motorin kryesor të mobilizimit qytetar, duke shpërndarë vazhdimisht video, foto dhe mesazhe në mbështetje të protestës.
Paradoksi është se shumë vite më parë, një pjesë e kësaj energjie rinore ishte në anën e vetë Edi Ramës. Në fillim të viteve 2000, kur rrjetet sociale nuk ekzistonin, Rama shihej nga shumë të rinj si simbol i politikës së re dhe alternativës ndaj establishmentit të kohës. Pikërisht ajo mbështetje e brezit të ri u shndërrua më vonë në një nga shtyllat kryesore që e çoi drejt pushtetit.
Sot, pas më shumë se një dekade në qeveri, duket se raporti është përmbysur. Ata që dikur e shihnin si simbol ndryshimi, po dalin në protestë kundër tij. Ndërsa protesta vazhdon të zgjerohet dhe të marrë përmasa politike, reagimet e fundit të kryeministrit po interpretohen nga shumë qytetarë si shenjë se presioni i rrugës po ndihet gjithnjë e më shumë brenda mureve të pushtetit.
Në vend të përgjigjeve për kërkesat e protestuesve, nga Elbasani mbetën kryesisht imitimet, batutat dhe një video që për shumëkënd e bëri kryeministrin personazhin më të komentuar të ditës.

Protesta e qytetarëve para Kryeministrisë në Tiranë ka vijuar edhe ditën e sotme, ku në qendër të kërkesave mbetet dorëheqja e kryeministrit Edi Rama dhe ndryshimi i klasës politike në vend.
Mes pankartave, flamujve kuqezi dhe thirrjeve “Rama në burg, Berisha në burg”, në protestë kanë marrë fjalën edhe emigrantë shqiptarë të ardhur nga vende të ndryshme të botës, të cilët kanë shprehur mbështetjen e tyre për lëvizjen qytetare.
Një qytetar i ardhur nga Zvicra tha se emigrantët, pavarësisht largimit nga Shqipëria, nuk e kanë harruar vendin dhe kombin e tyre, ndërsa u bëri thirrje bashkatdhetarëve që t'i bashkohen protestave.
“Kemi ardhur nga Zvicra, por kemi qenë të parët që kemi ikur. Por kombin tonë gjuhën tonë nuk e kemi harruar. 'Rama në burg, Berisha në burg'. I bëj thirrje të gjithë Diasporës dhe mërgatës shqiptare. Ndoshta ne kemi ikur dhe ju kemi lënë këtu, por kurrë nuk ju kemi harruar dhe kurrë nuk e kemi harruar kombin tonë. Ato biletat e lira që Rama i shet sikur na ka bërë nder, i shet që ne të ikim sa më parë. Hajdeni me 10 qershor, ta lidhim besën me njëri-tjetrin”, tha ai.
Ndërkohë, një tjetër protestues i ardhur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës deklaroi se emigrantët nuk janë larguar për të braktisur Shqipërinë, por me shpresën për t’u rikthyer dhe kontribuar për vendin.
“Kam ardhur nga Amerika. Dua të kuptoni që nuk kam ikur për të mos u kthyer më në Atdhe. Kështu si puna ime janë edhe emigrantët kudo nëpër botë. Do kthehemi për ta ndërtuar. Të bashkohemi kundër pushteti diktatorial, që nuk e paskemi rrëzuar dot në ’91. I bëj thirrje rinisë të bashkohet. Dorëheqje pa kushte për Ramën e Berishën që janë fajtor për gjithçka ka ndodhur”, tha ai.
Në protestë mori pjesë edhe një emigrante nga Shkodra, e cila prej më shumë se tre dekadash jeton jashtë Shqipërisë. Ajo akuzoi klasën politike për gjendjen e vendit dhe u bëri thirrje qytetarëve të mos largohen nga Shqipëria.
“Jam shkodranë kam 34 vite në emigrim. Na ka ardhur në majë të hundës. Mos e lëshoni Shqipërinë, këtu ta bëjmë luftën deri në vdekje. Nuk është askush i lumtur në emigrim. Qëndroni, Sali Berisha e Edi Rama duhet të shkojnë në burg. Ata na kanë bërë me ik, ta marrin rrugën. Na kanë grabitur pronën. Ju përgjërohem, mos e lëshoni Shqipërinë, mos ua lini derrave. Boll më. Emigracionit i bëj thirrje që të vijnë këtu. Këtu të vijnë. Të marrin pushime të vijnë këtu. Shqipëria e duam më të mirë”, tha ajo.
Protesta para Kryeministrisë vijon me fjalime dhe thirrje kundër qeverisë dhe klasës politike, ndërsa organizatorët kanë paralajmëruar vazhdimin e mobilizimit edhe në ditët në vijim.

Në protestën e zhvilluar para Kryeministrisë, qytetarët kanë sjellë një gomone, duke e kthyer atë në një simbol të emigracionit masiv që ka prekur Shqipërinë gjatë viteve të fundit.
Sipas protestuesve, gomonia përfaqëson mijëra shqiptarë që janë larguar nga vendi në kërkim të kushteve më të mira të jetesës dhe mundësive ekonomike jashtë vendit, ndërsa shumë prej tyre nuk janë rikthyer më prej vitesh.
Përmes këtij veprimi simbolik, pjesëmarrësit në tubim kërkuan të tërheqin vëmendjen ndaj fenomenit të emigracionit dhe pasojave që ai ka sjellë për familjet shqiptare dhe për vendin tonë.
Gomonia u vendos mes protestuesve që prej ditësh kundërshtojnë projektin në Zvërnec dhe kërkojnë rrëzimin e qeverisë, ndërsa mesazhi i tyre ishte se largimi i të rinjve dhe familjeve shqiptare mbetet një nga plagët më të mëdha sociale të vendit.
Në fund, protestuesit i vunë flakën gomones, veprim që përfaqëson revoltën ndaj kushteve që kanë detyruar mijëra shqiptarë të emigrojnë dhe të ndërtojnë jetën larg Shqipërisë.

Protesta shkund kastën e të korruptuarve në PD dhe PS
Përveç thirrjeve kundër qeverisë dhe klasës politike, protesta para Kryeministrisë po artikulon gjithnjë e më qartë edhe propozime konkrete për ndryshime në sistemin politik dhe institucional të vendit.
Duke brohoritur sloganin "Shqipëri e Re", qytetarët paraqitën disa kërkesa që sipas tyre synojnë reformimin e mënyrës së qeverisjes dhe funksionimit të institucioneve. Mes propozimeve kryesore ishte kufizimi i mandateve të kryeministrit dhe presidentit në jo më shumë se dy mandate, si dhe ndalimi i mbajtjes së njëkohshme të disa posteve politike.
Një prej protestuesve deklaroi se përqendrimi i pushtetit në duart e një personi ose një grupi të vogël ka sjellë degradimin e institucioneve dhe mungesën e kontrollit demokratik.
"Kryeministri dhe presidenti të mos kenë më shumë se 2 mandate. Kryeministri dhe ministrat të mos jenë më deputetë e kryetar partish. Shohim kryeministra, ministra, deputetë dhe kryetar parlamenti që është një kukull. Kryetar partie me të gjitha pushtetet. Duhet të mbarojë kjo se prej këtu na vjen e keqja", u shpreh qytetari.
Ai ngriti gjithashtu shqetësime për sistemin e drejtësisë, duke kërkuar përgjegjësi më të madhe për vendimmarrjen e gjyqtarëve.
"Gjyqtarët japin vendime të padrejta, e kemi vuajtur vetë, drejtësi e degjeneruar. Duhet të mbajnë përgjegjësi penale për vendimet e gabuara", tha ai.
Protestuesi u ndal edhe te situata politike në vend, duke kërkuar largimin si të kryeministrit Edi Rama, ashtu edhe të kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha.
"Rama duhet të dorëhiqet, të ikë edhe Berisha, është një opozitë false", deklaroi qytetari.
Kërkesa të tilla po dëgjohen gjithnjë e më shpesh në protestat e ditëve të fundit, të cilat nga një kundërshtim ndaj projektit në Zvërnec po shndërrohen në një platformë më të gjerë pakënaqësie ndaj sistemit politik dhe institucioneve të vendit.

Pogradeci i është bashkuar lëvizjes së protestave që po përhapet në qytete të ndryshme të vendit, ku dhjetëra qytetarë dolën në një tubim të organizuar në qendër të qytetit.
Të mbledhur në sheshin e kinemasë, protestuesit shprehën solidaritetin e tyre me qytetarët që prej ditësh protestojnë në Tiranë dhe në zona të tjera të Shqipërisë, duke theksuar se kauza e tyre është pjesë e një reagimi më të gjerë qytetar.
Protestuesit mbajnë në duar pankarta të ndryshme si “Oligarkët s’kanë limite”, apo “sot flamingot, nesër unë”.
"Gjino fikun, jo pallatin buzë liqenit", ishte një tjetër pankartë që mbante një qytetar.

Qytetarët deklaruan se synojnë të sensibilizojnë opinionin publik dhe të mbështesin kërkesat që po ngrihen në protestat mbarëkombëtare, ndërsa kërkuan më shumë angazhim qytetar.
Me hyrjen e Pogradecit në këtë valë protestash, numri i qyteteve që po organizojnë tubime kundër qeverisë vijon të rritet. Organizatorët kanë bërë të ditur se protestat do të vazhdojnë edhe në ditët e ardhshme.

Përpara godinës së Kryeministrisë qytetarët i janë përgjigjur pyetjes që ka mbizotëruar prej ditësh se kush e organizon ‘revolucionin e Flamingove”. Me tone ironike një protestues u ngjit në podium duke shpalosur ‘listën’, e drejtuesve.
Lista e drejtuesve të protestës rezultoi të ishte një renditje e problemeve dhe pakënaqësive që qytetarët kanë ndaj qeverisë.
“Kam një njoftim shumë të rëndësishëm për emrat e grupit organizator, momenti i shumëpritur. I pari është një djalë 35-vjeçar që quhet Shpopullim. E dyta është një vajzë po ashtu 35-vjeçare, quhet Prona Private! E treta dhe më e rëndësishmja është shpirti i gjithë këtij organizimi këtu, quhet Rinia Shqiptare! Të katërtit janë Fëmijët tanë për të cilët kemi dalë të gjithë këtu në shesh dhe unë jam krenar! E pesta është një zonjë për nga mosha që ka lënë të paktën 160 mijë familje që presin me vite për një vendim drejtësie, Drejtësia është një nga arsyet dhe organizatoret e kësaj proteste! Shqiptarët s’mund të presin më me 10-15 vite për të marrë të drejtën e tyre! E gjashta, sot thonë mos shkofsh nëpër spitale sepse sistemi shëndetësor është një tmerr i vërtetë që mos vaftë as hasmi. I shtati, e ka lënë postulat Naim Frashëri, Arsimi! Duam arsim cilësor! E teta është Bujqësia, fermerët tanë duhet të jenë këtu, duhet tu ofrohen kushtet minimale për të prodhuar për fëmijët tanë. Të nëntët, Pensionistët! Ta bëjmë këtë luftë për gjyshërit e gjyshet tona! E fundit, minatorët, naftëtarët, ata që kanë dalë nga shtëpitë e tyre pa ditur nëse do të kthehen dhe sot janë në mëshirë të fatit!”, tha i riu.

Teksa në Tiranë po zhvillohet dita e tetë e protestës qytetare kundër qeverisë Rama, tubime janë mbajtur paralelisht edhe në Shkodër, ku qytetarë të moshave të ndryshme, mes tyre edhe fëmijë, kanë dalë në rrugë në mbështetje të kërkesave të protestuesve për rrëzimin e qeverisë.
Kjo është dita e dytë radhazi që qytetarët e Shkodrës organizojnë protestë kundër projektit të ndërtimit të resortit në Zvërnec, duke e lidhur kauzën me kërkesat më të gjera për ndryshim politik në vend.
Protestuesit marshuan përgjatë pedonales së qytetit dhe më pas u grumbulluan para Bashkisë së Shkodrës, ku përcollën mesazhet e tyre përmes pankartave dhe thirrjeve publike.
“Çohuni nga kafja”, ishte një nga thirrjet më të dëgjuara gjatë tubimit, me të cilën protestuesit u bënë apel të rinjve dhe qytetarëve të tjerë t’u bashkohen protestave dhe të angazhohen në kauzën qytetare.

Mijëra qytetarë u mblodhën para Kryeministrisë në ditën e tetë të protestës, duke marshuar me pankarta dhe flamuj kuqezi në kërkim të ndryshimit politik dhe largimit të kryeministrit Edi Rama.
Sot shënohet dita e tetë e protestës së qytetarëve kundër klasës politike dhe qeverisë Rama. Mijëra protestues janë mbledhur para Kryeministrisë në Tiranë, duke vijuar thirrjet për ndryshim politik dhe largimin e kryeministrit Edi Rama.
Të pajisur me pankarta dhe flamuj kuqezi, qytetarët marshuan fillimisht nga Sheshi Skënderbej drejt Kryeministrisë, ku më pas nisën fjalimet dhe mesazhet kundër qeverisë.
Gjatë tubimit, protestuesit artikuluan një sërë kërkesash, ku në qendër mbetet dorëheqja e kryeministrit. Në mesin e turmës u dëgjuan thirrje si “Shqipëri e re”, “Jep dorëheqje” dhe “Edi Rama, o tradhtar”, "Shqipëria nuk shitet", "Boll është boll".
“Zëri ynë, dinjiteti ynë, e ardhmja jonë”, thuhet në sloganin ku qytetarët ftohen të marrin pjesë.
Pamjet nga protesta tregojnë një pjesëmarrje të lartë të qytetarëve, ndërsa organizatorët deklarojnë se mobilizimi do të vijojë edhe në ditët në vijim.

Protestuesit deklaruan se lëvizja qytetare do të vijojë deri në largimin e qeverisë, duke e krahasuar situatën me heqjen e gardhit me tela në Zvërnec, ngjarje që shënoi fillimin e revoltës qytetare.
Sipas tyre, reagimi kundër projektit në Zvërnec u shndërrua në një kauzë më të gjerë, e cila tashmë ka tejkaluar kufijtë e Shqipërisë dhe ka gjetur mbështetje edhe te diaspora shqiptare në shumë vende të botës.
“Gardhi u hoq, të heqim edhe këta!”, ishte një nga mesazhet e protestës, ku qytetarët kërkuan vazhdimin e mobilizimit qytetar.
“Jemi sërish këtu për një qëllim. Gardhi u hoq, të heqim edhe këta! Koha që të kthejmë në Shqipëri fëmijët e larguar në emigrim. Boll është boll! Zoti kryeministër, kam një lajm për ty, diaspora këtë radhë nuk do të vijë për pushime por për protestë”, u shpreh një nga protestueset gjatë tubimit.
Thirrje kundër Edi Ramës dhe Sali Berishës, ndërsa protesta po shtrihet edhe në qytete të tjera dhe jashtë vendit
Për të tetën ditë radhazi, protesta para Kryeministrisë ka mbledhur një numër të lartë qytetarësh, duke konfirmuar se mobilizimi nuk po zbehet. Që në orët e para të grumbullimit, bulevardi para godinës së qeverisë është mbushur me protestues që kanë ardhur nga Tirana dhe zona të ndryshme të vendit.
Ndryshe nga protestat tradicionale politike, këtë herë zemërimi i qytetarëve është drejtuar njëkohësisht ndaj kryeministrit Edi Rama dhe kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha. Thirrjet "Rama ik", "Rama në burg", "Berisha në burg", "Revolucion" dhe "Shqipëri e Re" kanë dominuar atmosferën e protestës gjatë gjithë tubimit.
Pjesëmarrja masive ka qenë elementi më i spikatur i ditës së tetë. Turma ka vijuar të mbetet e madhe për orë të tëra, ndërsa protestuesit kanë deklaruar se nuk ndihen të përfaqësuar nga asnjë prej forcave tradicionale politike dhe se kërkojnë një ndryshim më të thellë se sa një rotacion i zakonshëm pushteti.
Në pankarta dhe mesazhe publike është shfaqur hapur kundërshtimi ndaj figurave që kanë dominuar politikën shqiptare ndër vite. Shumë protestues e kanë cilësuar si të papranueshme përplasjen e vazhdueshme mes Ramës dhe Berishës, duke kërkuar një kapitull të ri politik për vendin.
Ndërkohë, protesta nuk po mbetet vetëm në Tiranë. Tubime dhe aktivitete mbështetëse janë zhvilluar edhe në qytete të tjera, ndërsa shqiptarët në diasporë kanë vijuar organizimet në disa vende europiane, duke i dhënë lëvizjes një shtrirje më të gjerë.
Pas tetë ditësh mobilizimi, pjesëmarrja e lartë dhe mesazhet e drejtuara njëkohësisht kundër Ramës dhe Berishës po e dallojnë këtë protestë nga tubimet e zakonshme politike, ndërsa në shesh vazhdon të dominojë kërkesa për një "Shqipëri të Re" dhe për ndryshime të thella në jetën politike të vendit.

Revolucioni Flamingo ka hyrë sot në ditën e tetë të protestave. Qytetarë nga Tirana dhe qytete të tjera të vendit kanë nisur të mblidhen në Sheshin Skënderbej, dhe po marshojnë drejt Kryeministrisë.
Ajo që nisi si një reagim kundër projektit të diskutueshëm në Zvërnec është shndërruar tashmë në një revoltë më të gjerë kundër qeverisë. Në pankartat e protestuesve dominojnë mesazhe si “Rama ik”, “Rama dorëhiqu”, “Atdheu nuk shitet”, ndërsa nuk mungojnë as thirrjet kundër gjithë klasës politike me sloganet “Rama në burg, Berisha në burg”.
Sipas organizatorëve, protesta nuk është më vetëm për Zvërnecin. Ajo përfaqëson zemërimin e akumuluar prej vitesh ndaj asaj që qytetarët e konsiderojnë si arrogancë të pushtetit, vendimmarrje pa konsultim publik dhe favorizim të interesave të një pakice në dëm të interesit publik.
Protestuesit kanë dorëzuar pesë kërkesa, ku e para dhe më e rëndësishmja mbetet largimi i qeverisë së Edi Ramës. Sipas tyre, Shqipëria po përballet me një krizë përfaqësimi dhe besimi, ndërsa kauza e Zvërnecit ishte vetëm shkëndija që ndezi revoltën.
Përgjatë javës, protestat janë shtrirë në disa qytete të vendit, ndërsa kanë gjetur mbështetje të fortë edhe te diaspora shqiptare. Tubime të ngjashme janë zhvilluar në Londër, Berlin, Mynih, Milano, Vjenë, Tornto, Nju Jork dhe më gjerë.
Kryeministrin Edi Rama nuk e lanë të shijonte i qetë as festën e 35-vjetorit të Partisë Socialiste.
Teksa aktiviteti në Elbasan ishte menduar si një ditë feste për socialistët, një qytetar vendosi t'i kujtonte kreut të qeverisë debatin që prej ditësh po dominon aktualitetin, duke shfaqur një pankartë kundër projektit të investimit në zonën e Zvërnecit.
Pankarta nuk i shpëtoi vëmendjes së Ramës, i cili reagoi menjëherë nga skena, duke i kërkuar qytetarit ta ulte atë.
“Ule atë, ule. Bravo! Thashë ta ulni atë parullën, meqë shkruanit: ‘Çfarë ka Vlora, ta bëjmë dhe ne fora’. Vlora, duke filluar nga ata që janë pjesë e atij zhvillimi, janë të gjithë për atë zhvillim. Mos i ngatërroni këto gjëra”, u shpreh Rama.
Më pas, kryeministri mbrojti projektin në Zvërnec, duke këmbëngulur se ai mbështetet nga njerëzit e përfshirë në zhvillimin e zonës.

Shqiptarët në Paris, Stuttgart dhe Toronto kanë dalë në protesta në mbështetje të revoltës qytetare që po zhvillohet në Shqipëri.
Vala e protestave kundër qeverisë Rama po kapërcen kufijtë e Shqipërisë, duke mobilizuar gjithnjë e më shumë shqiptarë në diasporë. Nga Amerika e Veriut në zemër të Europës, qindra qytetarë janë mbledhur në sheshe dhe rrugë kryesore për të shprehur solidaritet me protestuesit në atdhe dhe për të ngritur zërin kundër qeverisjes aktuale.
Pas tubimit të zhvilluar në Toronto të Kanadasë, qindra shqiptarë të diasporës u grumbulluan edhe në Stuttgart të Gjermanisë dhe në Paris të Francës. Të rinj, fëmijë dhe të moshuar mbanin në duar flamuj kombëtarë dhe pankarta me mesazhe kundër qeverisë, ndërsa tubimet u dominuan nga thirrje si: “Shqipëria është e jona!”, “Rama ik!”, “Revolucion!” dhe “Shqipëria nuk është e pushtetarëve!”.
Protestat e diasporës po shtrihen paralelisht me ato që prej ditësh mbajnë të ndezur klimën politike në Shqipëri. Nga Tirana deri në Londër, Vjenë, Milano, Berlin, Mynih, Uashington dhe Stokholm, shqiptarët po organizohen për të mbështetur njëri-tjetrin dhe për të përcjellë të njëjtin mesazh: kërkesën për ndryshim dhe dëgjimin e zërit qytetar.
(Shqiptarët në Paris)
Protestat e shqiptarëve në diasporë kanë vijuar edhe në Hagë, ku qytetarë të shumtë janë mbledhur për të kundërshtuar projektin për investim në zonën e Zvërnecit. Me flamuj kuqezi dhe pankarta në duar, protestuesit brohoritën “Rama në burg” dhe “Shqipëria është e jona”, duke shprehur mbështetjen për kauzën.
Ajo që nisi si një reagim ndaj zhvillimeve në Zvërnec po shndërrohet gradualisht në një lëvizje më të gjerë me ngarkesë politike, duke bashkuar shqiptarë brenda dhe jashtë vendit. Për shumë prej protestuesve, pjesëmarrja në këto tubime nuk është vetëm një akt solidariteti, por edhe një mënyrë për të treguar se lidhja me Shqipërinë mbetet e fortë pavarësisht distancës.
Ndërsa protestat në Tiranë kanë hyrë në ditën e tetë, diaspora po shfaqet gjithnjë e më shumë si një faktor i rëndësishëm në këtë valë reagimi qytetar, duke i dhënë jehonë ndërkombëtare kërkesave që po artikulohen në Shqipëri.
(Shqiptarët në Stuttgart)

Protestat e shqiptarëve në diasporë kanë vijuar edhe në Kanada, ku qindra qytetarë janë mbledhur në Toronto për të shprehur pakënaqësitë e tyre ndaj qeverisë shqiptare.
Tubimi u zhvillua në kuadër të protestave të organizuara nga komunitetet shqiptare në vende të ndryshme të botës, të cilat kanë përcjellë mesazhe për ndryshim politik dhe largimin e kryeministrit Edi Rama.
Gjatë protestës, pjesëmarrësit brohoritën slogane në mbështetje të Shqipërisë dhe theksuan se vendi u përket qytetarëve dhe jo pushtetarëve. Thirrjet për ndryshim u shoqëruan me mesazhe të ngjashme me ato që janë dëgjuar në protestat e zhvilluara në Tiranë, qytete të tjera të Shqipërisë dhe në disa kryeqytete evropiane.
“Shqipëria është e jona, jo e pushtetarëve”, “Revolucion!”, “Rama ik!”, "Sazani nuk është i Kristaqit", "Kam gjak shqiptari, jo tradhtari", ishin disa nga thirrjet.
Ndërkohë, kryeministri Rama ka reaguar sërish lidhur me protestat dhe komentet në rrjetet sociale. Në një postim në Facebook, ai kritikoi gjuhën fyese të përdorur nga disa komentues, duke i cilësuar ata si “klounë”.
“Merruni me mua sa të doni, se mua vetëm shëndet dhe vullnet më bëhen sharjet e mallkimet tuaja, po boll e ndotët tërë mexhlisin shqipfolës të rrjeteve sociale me fjalorin tuaj me 40 fjalë ku 20 janë sharje e pisllëk”, shkroi Rama.




Lini një Përgjigje