
Tetë punonjës policie kanë mbetur të plagosur nga protesta e opozitës para godinës së Kuvendit. Pas hedhjes së molotovëve nga protestuesit në mes të kordonit të policisë, disa prej tyre u përfshinë nga flakët.
Efektivët janë transportuar për ndihmë mjekësore, pasi kanë pësuar djegie e dëmtime fizike nga sendet e forta.
“Nga vijimi i tubimit para Parlamentit, si pasojë e sulmit me bomba molotov, lëndë piroteknike dhe sende të forta, u dëmtuan edhe tre punonjës policie, të cilët janë transportuar për ndihmë mjekësore, pasi kanë pësuar djegie e dëmtime fizike nga sendet e forta. Përgjatë gjithë tubimit u dëmtuan 8 punonjës policie”, njofton policia.

Moltov dhe gaz lotsjellës para Kuvendit...
Një situatë e tensionuar dhe kaotike është krijuar mbrëmjen e sotme në zonën përpara Kuvendit të Shqipërisë, ku protesta e opozitës u zhvendos pas përplasjeve të mëparshme para Kryeministrisë.
Pas tensioneve te godina qeveritare, protestuesit e Partisë Demokratike u drejtuan drejt Kuvendit. Fillimisht, situata para Parlamentit u paraqit relativisht e qetë, megjithëse kishte shtyrje të kordonit policor dhe një prani të shtuar të forcave të rendit, të pozicionuara për të mbrojtur godinën.
Megjithatë, pas disa minutash qetësie, situata u përshkallëzua. Molotovë janë hedhur papritur nga protestuesit, të cilët ranë mes efektivëve të policisë dhe turmës, duke shkaktuar flakë, tym dhe momente paniku. Sipas pamjeve nga vendngjarja, disa efektivë policie u kapën në befasi dhe u tërhoqën me vrap për t’i shpëtuar flakëve. Mësohet se disa efektivë kanë pësuar djegie dhe janë dërguar në spital. Po ashtu janë dëmtuar dhe disa qytetarë.
Si kundërpërgjigje, policia ka ndërhyrë duke përdorur autobotë me ujë dhe gaz lotsjellës për të shpërndarë protestuesit dhe për të rimarrë kontrollin e situatës. Për disa minuta, zona përpara Kuvendit u mbulua plotësisht nga tymi, si pasojë e molotovëve dhe përdorimit të gazit lotsjellës.
Momentalisht, situata mbetet e tensionuar, ndërsa forcat e policisë vijojnë të mbajnë të bllokuar perimetrin e sigurisë rreth Kuvendit.

Protestuesit u larguan nga zona e Kryeministrisë dhe nisën tubimin para Parlamentit...
Pas hedhjes së bombave molotov dhe fishekzjarreve drejt godinës së Kryeministrisë, protesta e opozitës është zhvendosur para Kuvendit të Shqipërisë.
Ndërsa disa protestues po përpiqeshin të tërhiqnin kangjellat rrethuese para Kryeministrisë, Gazment Bardhi iu afrua atyre dhe u kërkoi të mos qëndronin më aty, por të zhvendoseshin para Kuvendit.
Pas kësaj thirrjeje, protestuesit u nisën para Parlamentit.Ky zhvillim ngjan shumë me skenarin e protestës së fundit të PD-së, ku tubimi filloi para Kryeministrisë dhe më pas u zhvendos drejt Kuvendit.
Duhet theksuar se, krahasuar me protestën e mëparshme, dhuna nga ana e protestuesve (përfshirë molotovët) ka qenë dukshëm më e moderuar. Po ashtu, reagimi i forcave të rendit ka qenë më i përmbajtur: është përdorur vetëm topi me ujë për të shpërndarë turmën, pa gaz lotsjellës, së paku deri në këtë moment.
Ndërkohë, njëjti si tubimin e shkuar, kreu i PD-së është llarguar me automjet drejt selisë pas përfundimit të fjalimit të tij para Kryeministrisë.
Protestuesit hodhën shishe molotovi drejt godinës qeveritare, ndërsa policia ndërhyri për të shuar flakët dhe për të kontrolluar situatën.
Tensionohet situata në protestën e opozitës para Kryeministrisë. Protestuesit kanë sulmuar me molotovë dhe fishekzjarrë godinën qeveritare, duke i vënë flakën.
Ky veprim ka ardhur menjëherë pasi Sali Berisha ka mbyllur fjalimin e tij në protestë.

Skenar ky i paralajmëruar dhe përdorur edhe në protestat e kaluara.
Molotovët u hodhën drejt fasadës së Kryeministrisë, duke i vënë flakën disa pjesëve të jashtme të godinës.

Menjëherë pas shpërthimit të flakëve, forcat e Policisë së Shtetit ndërhynë me fikëse zjarri për të neutralizuar situatën dhe për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të dhunës.
Ata u përpoqën të mbajnë nën kontroll perimetrin përreth Kryeministrisë.
Ndërkohë që Berisha është larguar dhe shumica e protestuesve janë shpërndarë, disa qytetarë vijojnë të qëndrojnë duke thirrur "Rama ik".

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka vijuar fjalimin e tij në protestën kombëtare para Kryeministrisë me akuza të forta ndaj kryeministrit Edi Rama, duke e akuzuar se ka tentuar, sipas tij, një grusht shteti për të mbrojtur abuzime financiare në projekte infrastrukturore.
Në fjalën e tij para protestuesve, Berisha u ndal te një nga projektet rrugore, të cilin e cilësoi si simbol të korrupsionit dhe shpërdorimit të fondeve publike.
“Milionë euro janë shpenzuar për të mbrojtur bashkëhajdutën që ndërtoi rrugën Qukës–Qafë Plloç, në një segment 9 milionë euro kilometrin, pa asnjë urë, pa asnjë tunel, aq sa ka kushtuar Rruga e Kombit, e cila ka dhjetëra ura dhe tunele më të gjata dhe është afërsisht tre herë më e gjerë,” deklaroi Berisha.
Ai akuzoi kryeministrin se për dy muaj rresht ka tentuar të destabilizojë institucionet për të mbrojtur, sipas tij, aferat korruptive, duke shtuar se qëndron vetë pas tyre.
“Dy muaj, Edi Rama u përpoq të bëjë grusht shteti për të mbrojtur këtë aferë, sepse mbrapa saj është vetë ai, është vetë Edi Rama. Mirëpo, faza e parë e këtij grushti shteti dështoi,” u shpreh Berisha.
Në këtë moment, fjalimi i tij u ndërpre nga duartrokitje dhe brohoritje të forta nga turma, me thirrjet “Rama ik! Rama ik!”. Berisha iu drejtua më pas protestuesve, duke i falënderuar për pjesëmarrjen dhe rolin e tyre në, sipas tij, ndalimin e këtij skenari.
“Dhe këtu, ju, burra dhe gra, djem dhe vajza në këtë shesh, ju qytetarë shqiptarë guximtarë, keni të gjithë pjesën e kontributit tuaj, me protestën tuaj. Keni falënderimet dhe mirënjohjen time më të thellë,” tha ai.
Sipas Berishës, protesta e mëparshme ka dhënë një sinjal të fortë si brenda ashtu edhe jashtë vendit, se opozita dhe qytetarët nuk do të pranojnë, sipas tij, mbrojtjen e korrupsionit përmes ndërhyrjeve institucionale.
“Revolta juaj në protestën e kaluar dha një sinjal të qartë, brenda dhe jashtë vendit, se ne nuk do të tolerojmë kurrë grushte shteti për të mbrojtur vjedhjet e Edi Ramës,” deklaroi kreu i PD-së.
Duke iu drejtuar drejtpërdrejt kryeministrit, Berisha paralajmëroi se edhe çdo përpjekje tjetër do të dështojë.
“Ja ku jemi këtu, Edi Rama. Edhe grushti i dytë që po përgatit do të dështojë. Shkurti është muaji kur ne zvarritëm diktatorin. Shkurti është muaji kur ne do të çlirojmë Shqipërinë,” përfundoi Berisha.
Gjatë protestës para Kryeministrisë, anëtari i Këshillit Bashkiak të Tiranës nga radhët e Partisë Demokratike, Xhonatan Pano, mbajti një fjalë të fokusuar te roli i të rinjve në përballjen me pushtetin aktual.
Pano tha se të rinjtë përballen me një klimë frike dhe heshtjeje, të ushqyer nga propaganda, e cila sipas tij synon të bindë shoqërinë se ndryshimi është i pamundur. Ai theksoi se brezi i ri duhet të marrë përgjegjësinë për ta sfiduar këtë realitet.
Sipas Panos, pushteti aktual është i lidhur me struktura kriminale dhe përfaqëson një shtet të kapur, ku qytetarët nuk gjejnë drejtësi dhe ku vota e lirë vihet në diskutim. Ai nënvizoi se të rinjtë nuk kërkojnë favore, por funksionimin e shtetit ligjor dhe respektimin e të drejtave themelore.
“Sot Goliati vishet me kostum, drejton bandat. Ejani të lëvizim malin jo për një parti por për shtëpitë tona, fëmijët tanë, të lëvizim malin e frikës, malin e heshtjes. Ne jemi gjenerata që do të shkulim degjeneratën”, u shpreh këshilltari i PD, në Këshillin Bashkiak të Bashkisë së Tiranës, Xhonatan Pano.
Xhonatan Pano: Ne do ta lëvizim këtë mal se përfaqësojmë të rinjtë që nuk gjejnë vend në vendin e tyre, duhet të themi mjaft me një shtet të kapur, sepse nuk kërkojmë lëmoshë por drejtësi. Sepse pa votën e lirë nuk kemi shtet. Ata thonë se mali nuk lëvizet. Propaganda thotë se ne nuk ja dalim. Sot Goliati vishet me kostum, drejton bandat. Ejani të lëvizim malin jo për një parti por për shtëpitë tona, fëmijët tanë, të lëvizim malin e frikës, malin e heshtjes. Ne jemi gjenerata që do të shkulim degjeneratën.

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka marrë fjalën në protestën e sotme kombëtare të opozitës para Kryeministrisë, ku mbajti një fjalim të gjatë me tone historike dhe politike, duke u ndalur te e shkuara e Shqipërisë dhe, sipas tij, pasojat e rënda që diktatura komuniste i la vendit dhe shoqërisë shqiptare.
Në fjalën e tij, Berisha theksoi se shqiptarët kanë kaluar shekuj të tërë të mbushur me vuajtje dhe përballje me armiq të pamëshirshëm, duke nënvizuar se disa prej tyre i kanë shkaktuar kombit dëme të thella dhe afatgjata.
“Nuk mund të mohohet se ne kemi qenë, apo kemi përjetuar, shekull pas shekujsh mallkime. Në një farë mënyre, ne kemi përjetuar dhe provuar armiq të egër, të pamëshirë ndaj nesh. Armiq që padyshim i kanë sjellë dëme më serioze kombit tonë,” u shpreh Berisha.
Kreu i PD u ndal veçanërisht te periudha e diktaturës komuniste, duke e cilësuar atë si një nga plagët më të rënda të historisë shqiptare, që sipas tij nuk duhet harruar kurrë.
“Kurrë ne nuk duhet të harrojmë shekullin që lamë pas, diktaturën hoxhiste të Enver Hoxhës, krimet shtazaroke që ajo kreu ndaj shqiptarëve, vrasjet, persekutimet, pushkatimet, kampet e përqendrimit, policinë sekrete famkeqe,” deklaroi Berisha.
Në vijim të fjalës së tij, ai theksoi se pasojat e regjimit komunist nuk ishin vetëm në humbje jetësh dhe dhunë, por edhe në izolimin ekstrem të vendit nga Evropa dhe bota demokratike.
“S’duhet të harrojmë kurrë izolimin më të thellë që përjetuam, shkëputjen e plotë të Shqipërisë nga trungu i familjes së vendeve të qytetëruara që i përkiste, izolimin e saj nga Evropa dhe bota demokratike. Të gjitha këto ia vodhën Shqipërisë, jua vodhën shqiptarëve,” theksoi Berisha përpara protestuesve.
Gjatë protestës së sotme të opozitës para Kryeministrisë, ka mbajtur një fjalim edhe aktivisti, Aulon Kalaja, i cili u shpreh me tone të forta kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama. Në deklaratën e tij, Kalaja tha se Shqipëria, sipas tij, ndodhet nën sundimin e një pakice që ushtron pushtetin në mënyrë të padrejtë, duke e cilësuar këtë realitet si një formë tiranie.
Sipas Kalasë, problemet kryesore të vendit burojnë nga keqqeverisja dhe korrupsioni, ndërsa ai theksoi se pushteti aktual ka humbur legjitimitetin moral.
“Çdo pushtet që shkel ligjin nuk quhet qeveri, por mafie. Historia na ka mësuar se mafia i zgjidh problemet me mafie”, u shpreh Kalaja gjatë fjalës së tij përpara protestuesve.
Aktivisti i PD-së kritikoi gjithashtu, sipas tij, mungesën e reagimit qytetar përballë padrejtësive, duke theksuar se situata aktuale nuk lidhet vetëm me veprimet e qeverisë, por edhe me heshtjen e shoqërisë.
“Nuk vuajmë vetëm nga ajo që bën pushteti, por edhe nga mungesa e reagimit tonë. Liria dhe ndryshimi nuk vijnë vetë, ato fitohen me përpjekje dhe guxim. Asgjë e madhe nuk është arritur pa sakrifica”, deklaroi ai.
Kalaja u bëri thirrje qytetarëve të mos qëndrojnë pasivë dhe të mos presin zgjidhje nga faktorë të jashtëm, por të marrin vetë përgjegjësi për të ardhmen e vendit.
“Mos prisni nga Zoti dhe as nga ndërkombëtarët, sepse çdo komb çlirohet me përpjekjet e veta. Prandaj fati i popullit tim është edhe fati im”, theksoi ai.
Në protestën kombëtare të Partisë Demokratike, një prej zërave që mori fjalën ishte Desada Xhetani, nënkryetare e Forumit Rinor të PD-së. Ajo paraqiti kritika të drejtpërdrejta ndaj qeverisë për mënyrën se si, sipas saj, po trajton rininë, arsimin dhe familjet shqiptare.
Xhetani tha se të rinjtë përballen çdo ditë me mungesë perspektive, kosto të larta jetese dhe një treg pune ku, sipas saj, nuk vlerësohet dija. Ajo theksoi se pas më shumë se një dekade qeverisjeje, durimi i qytetarëve është kthyer në dorëzim përballë padrejtësive dhe pasigurisë ekonomike.
Sipas saj, studenti nuk mund të përqendrohet vetëm te studimet, pasi duhet të përballojë qira, ushqim dhe nevojën për punë shtesë, ndërsa familjet kanë vështirësi për të mbajtur financiarisht fëmijët në shkollë. Në këtë kontekst, ajo nënvizoi se emigrimi po shihet si zgjidhja e vetme për shumë të rinj.
Xhetani kritikoi gjendjen e arsimit, duke përmendur trajtimin e mësuesve dhe mungesën e kushteve dinjitoze për pensionistët. Ajo argumentoi se sektori arsimor nuk trajtohet si prioritet dhe se kjo, sipas saj, lidhet me frikën e pushtetit nga mendimi kritik.
Në lidhje me punësimin, ajo deklaroi se përzgjedhja nuk bazohet në meritë, por në lidhje personale dhe angazhim politik, duke e cilësuar këtë si pengesë serioze për të rinjtë e arsimuar.
Xhetani: Mirëmbrëma Shqipëri! Mirëmbrëma komb që ke mbijetuar pushtime, diktatura dhe sot po rrezikon të mbytesh nga një pushtet që nuk të meriton. Mirëmbrëma popull që ke duruar më shumë se ç'duhet dhe ke heshtur më gjatë se ç'lejohet. I nderuar lider i opozitës shqiptare, profesor doktor Sali Berisha.
Të dashur të rinj e të reja, studentë, gjimnazistë, arsimtarë, njerëz të thjeshtë, profesionistë, prindër, pensionistë që sot keni mbushur sheshin plot. Unë jam Desada Xhetani, një 22 vjeçare plot ëndrra e shpresë. Një studente ekselente që erdha sot këtu pas provimit. Jo sepse më pëlqen rrëmuja e shesheve, por sepse ky vend e ka bërë të pamundur luksin e qetësisë. Sepse sot në Shqipëri, kush studion pa protestuar, thjesht po përgatit valixhen të largohet.
Sepse në Shqipërinë e sotme, studenti nuk ka luksin të jetojë vetëm me libra. Ai duhet të mendojë për qiranë, për ushqimin, për punën e dytë, për prindërit që nuk ja dalin dot. Unë përfaqësoj një brez që është rritur mes varfërisë, mes emigrimit dhe gënjeshtrave politike. Një brez që e ka parë Shqipërinë të zbrazet shtëpi më shtëpi, fshat më fshat, familje më familje. Dhe sot e them pa hezitim, kjo qeveri ka dështuar, ka dështuar ndaj rinisë, ka dështuar ndaj arsimit, ka dështuar ndaj prindërve tanë, ka dështuar ndaj pensionistëve. Dhe mbi të gjitha, ka dështuar ndaj Shqipërisë tonë.
Na kanë thënë të kemi durim. 13 vjet durim, 13 vjet pritje, 13 vjet justifikime. Durimi i zgjatur përballë padrejtësisë nuk është më virtyt, është dorëzim. Po s'dorëzohen shqiptarët e ndershëm, kurrë nuk dorëzohen. Sot, një student shqiptar kur shkon të kërkojë punë, nuk pyetet çfarë di, por kë njeh. Nuk pyetet çfarë vlen, por pyetet a je patronazhist. Nuk gjejmë askund meritokraci, por gjithkund mediokritet. Unë studioj për arsim dhe po, e di, kjo qeveri e përbuz arsimin, sepse arsimi prodhon mendim kritik dhe pushtetet e dobëta kanë frikë nga mendimi kritik.
Analfabetizmi politik është aleati i tyre më i madh. Kjo qeveri nuk kursen askënd të dashurit e mi. As fëmijët, as të rinjtë, as prindërit, as gjyshërit, as vendin, as kombin tonë. Prindër shqiptarë, ju që punoni dy ose tre punë për të mbajtur fëmijët në shkollë, a është kjo Shqipëria që ëndërruat? Sa net pa gjumë keni kaluar duke llogaritur si ta mbyllni muajin? Po ju pensionistë, që keni ndërtuar këtë vend me djersë, a është kjo pleqëria me dinjitet që ju premtuan?
A është kjo Shqipëria për të cilët punuat gjithë jetën? Arsimtarë, si mund të kërkohet cilësi kur ju trajtoheni si shpenzim dhe jo si themel i kombit? Arsimtarë, ju e dini çfarë paradoksi është të formosh breza, ndërsa vetë ju trajtojnë si të tepërt. Po ne të rinjtë? Pse ëndrra jonë ka gjithmonë adresë emigrimin? Pse na mëson të studiojmë, por jo të qëndrojmë?
Ilir Alimehmeti gjatë fjalës së tij në tubmin e PD-së, para Kryeministrisë, akuzoi Edi Ramën për shpopullimin e Shqipërisë. Ai theksoi se pas 13-vitesh qeverisje, nuk ka më justifikime për Ramën, i cili sipas tij ka marrë pushtet absolut.
Alimehmeti tha se është koha që të rrëzohet ky sistem me në krye Ramën dhe të rikthehet Shqipëria me vlera europiane.
“Është fakt që mbi 1.6 milionë shqiptarë janë jashtë Shqipërisë dhe 1 në 5 mendon të largohet. E gjithë kjo është pasojë e politikave të Edi Ramës dhe Rilindjes. Këto abuzime me lekët, sado kolosale të jenë, janë abuzime që çojnë në shkolla pa nxënës, spitale pa ilaçe, pronarë pa prona. Për të gjitha këto ka një emër: Edi Rama.
Një orë e më parë duhet t’i themi këtij njeriu me pushtet absolut prej 13 vitesh se sot nuk ka më justifikime. Nuk ka më fajtorë të tjerë. Kur ke gjithë pushtetin, ke edhe gjithë përgjegjësinë. Mund të flasim për dështimin e qeverisë, por nuk ka akuzë më të madhe sesa ajo që vjen nga populli kur ikën. Kur populli largohet, kjo është akuza më e madhe: shpopullimi i vendit.
Unë kujtoj një vend ku kishim dy fjalë: nënë dhe baba. Kujtoj mashkull dhe femër. Sot kjo qeveri flet për dhjetëra gjini. Kujtoj një vend ku ndërtonim rrugë kombëtare të sigurta. Kujtoj një vend që hoqi vizat me vendet e BE-së dhe u bë anëtar i NATO-s. Kjo ishte e paimagjinueshme. Ne kemi arritur përpara.
Ta kthejmë Shqipërinë te vlerat europiane. Duhet të largohet Rilindja, duhet të largohet Edi Rama. Kam para syve dhjetëra burra dhe gra që me forcën e tyre mund ta arrijnë këtë për ju dhe për familjet tuaja. Së bashku, po të qëndrojmë, Shqipëria fiton”, tha Alimehmeti.
Ish-deputeti demokrat Ervin Salianji i është bashkuar sot protestës kombëtare të thirrur nga opozita përpara Kryeministrisë, të udhëhequr nga kreu i PD-së, Sali Berisha. Prania e tij në shesh vjen në një moment domethënës politik, pasi Salianji ka qenë më herët një nga zërat kritikë brenda Partisë Demokratike ndaj lidershipit aktual.
Salianji ka ndërmarrë një lëvizje brenda PD-së, duke shprehur publikisht rezerva dhe kritika ndaj drejtimit të partisë nga Berisha, si dhe ndaj mënyrës së funksionimit të strukturave drejtuese. Këto qëndrime e kanë pozicionuar atë si pjesë e debatit të brendshëm në selinë blu.
Megjithatë, pavarësisht këtyre kritikave, Salianji është shfaqur sot në protestë krah strukturave dhe mbështetësve të opozitës, duke iu bashkuar thirrjes për kundërshtimin e qeverisë dhe kërkesave politike të shpallura nga Partia Demokratike.
Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, vlerëson se problemi kryesor për imazhin e Shqipërisë nuk janë protestat, por mënyra se si po qeveriset vendi. Sipas saj, zhvillimet politike dhe institucionale në Tiranë po ndiqen me vëmendje nga partnerët ndërkombëtarë.
Tabaku argumenton se protesta është një mjet normal demokratik dhe nuk dëmton interesat e vendit. Ajo thekson se qytetarët protestojnë për çështje të brendshme dhe për të mbrojtur interesin e tyre, jo për të dërguar mesazhe jashtë vendit. Sipas saj, rreziku real lidhet me drejtimin që ka marrë qeverisja dhe pasojat që ky kurs sjell për Shqipërinë.
Deputetja e opozitës nënvizon se fokusi kryesor duhet të mbetet te qytetarët shqiptarë. Ajo shprehet se bashkëpunimi me partnerët ndërkombëtarë është i domosdoshëm, por beteja politike zhvillohet brenda vendit dhe synon fitimin e besimit dhe votës së elektoratit.
Në lidhje me Shtetet e Bashkuara, Tabaku vlerëson se interesimi për Shqipërinë dhe rajonin mbetet i pranishëm, edhe pse prioritetet globale janë ndikuar nga konflikte dhe ndryshime politike.
Tabaku: Është e vërtetë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës, edhe si rezultat i konflikteve, konfliktit në Gaza, sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës, por edhe të ndryshimit të administratës, kanë pasur sigurisht një mori prioritetesh për të përcaktuar. Por akti i tyre i fundit i mbrojtjes dhe siguria e tyre kombëtare e përcaktoi Ballkanin Perëndimor si një prioritet dhe përcaktoi dy prioritete që kanë lidhje me ne, që është lufta ndaj krimit të organizuar dhe klima e biznesit dhe institucionet e forta, që janë drejtpërdrejt punë e institucioneve shqiptare. Nuk do të thotë që ne bashkëpunojmë me partnerët tanë strategjikë duke na vendosur ata emrin në krye të listës. Ne bashkëpunojmë për standarde, për vlera, për norma që i ka dhe duhet t’i ketë edhe Shqipëria njësoj si partnerët.
Tabaku shtoi se Kryeministri Rama nuk është i qetë për këtë situatë në të cilën ndodhet vendi, pavarësisht diskutimeve në publik.
“I pashqetësuar nuk më duket. Po le ta shohim se si do të vijojë. Unë nuk e di se çfarë mburoje politike mund t’i japë, çfarë aureole mund të marrë mazhoranca në këtë moment. Po unë di të të them që shihet me shumë shqetësim ajo që po ndodh në Tiranë nga të gjitha kryeqytetet kryesore, nga Brukseli në Berlin”, tha ajo.
Protesta e sotme e opozitës para Kryeministrisë është hapur nga drejtuesi politik i Partisë Demokratike për qarkun e Lezhës dhe nënkryetari i PD-së, Agron Gjekmarkaj. Në fjalën e tij përpara protestuesve, Gjekmarkaj akuzoi qeverinë dhe kryeministrin Edi Rama se janë të gatshëm të sakrifikojnë të ardhmen evropiane të vendit vetëm për të ruajtur pushtetin.
Sipas tij, pushteti aktual po vepron për vetëmbrojtje politike, duke marrë peng institucionet kryesore të shtetit. “Për të ruajtur veten është gati të marrë peng drejtësinë, të marrë peng Kuvendin. Dje Edi Rama hoqi maskën e fundit për të mbrojtur vartësen e tij, Belinda Balluku”, u shpreh deputeti demokrat.
Gjekmarkaj deklaroi se, sipas opozitës, sistemi i qeverisjes së asaj që e cilësoi si “rilindje” nuk ka më çfarë të ofrojë për qytetarët. Ai akuzoi mazhorancën se ka dhunuar votën e lirë dhe se ka mbijetuar politikisht duke shndërruar shtetin në një vegël në funksion të pushtetit. “Një qeveri mund të qeverisë katër mandate vetëm duke bërë mrekulli për qytetarët. Këtu shteti u mbyt nga babëzia”, tha ai.
Në fjalën e tij, nënkryetari i PD-së u ndal edhe te slogani qeveritar “Shqipëria 2030”, të cilin e cilësoi si një premtim të rremë. Sipas tij, bëhet fjalë për një slogan të “maskuar me fjalë dhe shantazh publik”, pa përmbajtje reale për qytetarët.
Agron Gjekmarkaj: Sistemi i rilindjes dhe Edi Ramës nuk ka më cfarë të prodhojë, ska më alibi, ka dhunuar votën e lirë, ka mbijetuar politikisht duke shndërruar shtetin në vegël të pushtetit.
Një qeveri mund të qeverisë 4 mandate vetëm duke bërë mrekulli për qytetarët. Këtu shteti u mbyt nga babëzia. Shqipëria 2030 është vetëm një slogan, e maskuar me fjalë e shantazh publik.
Pushteti aktual është gati të sakrifikojë Evropën vetëm ëpr të shpëtuar veten. Për të ruaajtur veten është gati të marrë peng drejtësinë, të marrë peng kuvendin.
Dje Edi Rama hoqi maskën e fundit për të mbrojtur vartësen e tij Belinda Balluku. Alternativa e vetme është depersonalizimi, të mos ndjesh, të mos reagosh.
Kur drejtësia i nënshtrohet pushtetit, demokracia vdes ngadalë. Jemi këtu për të mbrojtur shtetin ligjor.

Fillon zyrtarisht protesta e PD para Kryeministrisë, kërkohet largimi i Ramës...
Ka nisur protesta e Partisë Demokratike para Kryeministrisë. Edhe pse orari zyrtar ishte caktuar ora 17.00 tubimi ka nisur me vonesë, kjo edhe për shkak të shiut, pasi Tirana është përfshirë nga rrebeshe të shumta. Pak më parë ka dalë nga selia edhe kreu i PD, Sali Berisha, i cili u është bashkuar protestuesve.
Kjo është protesta e dytë kombëtare për vitin 2026, pas tubimit të 24 janarit. PD kërkon dorëheqja e kryeministrit Edi Rama dhe zëvendëses së tij Belinda Balluku, si dhe krijimi i një qeverie teknike që do të përgatisë zgjedhjet e parakohshme.
Policia ka ngritur tashmë kordonin e parë përpara godinës qeveritare, me efektivë të pozicionuar në një rresht të vetëm. Në total janë mobilizuar mbi 1300 forca policore, përfshirë njësi të FNSH-së, Shqiponjat dhe autobotët me ujë, të pajisur me maska kundragaz.
Protesta e 24 janarit ishte ndryshe nga të tjerat. Persona nga turma hodhën dhjetëra bomba molotov në drejtim të godinës së Kryeministrisë, duke shkaktuar flakë dhe tym përpara hyrjes së saj. Forcat e policisë u tërhoqën për momentin për të shmangur përplasje direkte, ndërsa më pas u përgjigjën me gaz lotsjellës dhe masa të shtuara sigurie. Zona përpara Kryeministrisë u shpall “zonë krimi”.
Më pas turma u zhvendos drejt godinës së Kuvendit. Edhe atje, situata nuk mbeti e qetë. Turma tentoi të çajë kordonin policor, pati përplasje fizike, dhe ndërhyrje me gaz lotsjellës e autobotë me ujë për të shpërndarë protestuesit.
Sinjalet janë se edhe sot mund të ketë situatë të ngjashme. Policia është vënë në gatishmëri, teksa ka paralajmëruar qytetarët që të mos bien pre e provokimeve për dhunë. Forcat policore janë vënë në disa institucione dhe janë marër masa shtesë nisur nga protestat e kaluar.

Kreu i opozitës, Sali Berisha, ka dalë nga selia e Partisë Demokratike dhe, së bashku me mbështetësit që e prisnin jashtë, është nisur në këmbë drejt godinës së Kryeministrisë. Ashtu si në protestat e mëparshme kombëtare, Berisha dhe mbështetësit e tij po përshkojnë në këmbë itinerarin nga selia e PD-së deri te Kryeministria, nën thirrje dhe pankarta proteste.
Me mbërritjen e Berishës përpara Kryeministrisë pritet të nisin fjalimet e përfaqësuesve të opozitës, të cilat do të kulmojnë me fjalën e kreut të opozitës.
Ndërkohë, për shkak të informacioneve për mundësi dhune gjatë këtij tubimi, një numër i madh forcash policie janë angazhuar për menaxhimin e protestës. Policia është e pranishme përgjatë itinerarit të marshimit dhe në zonën përreth Kryeministrisë, me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë publike.
Në protetësn e fundit pati përshkallëzim ku protestuesit e opozitës hodhën gurë, flakadanë dhe molotovë drejt godinës së Kryeministrisë. Nga ana tjetër policia u përgjigj me gaz lotsjellës për shpërndarjen e protestuesve. Mbetet për t’u parë nëse i njëjti skenar do të përdoret edhe ditën e sotme.
Protesta e sotme e Partisë Demokratike në Tiranë po shoqërohet nga kushte të pafavorshme atmosferike, pasi një shi i dendur ka nisur të bjerë në kryeqytet, duke krijuar vështirësi për zhvillimin normal të tubimit para Kryeministrisë.
Reshjet intensive kanë mbuluar bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ku qindra protestues janë mbledhur nën çadra. Pamjet nga terreni tregojnë grumbullime të shpërndara dhe protestues që përpiqen të qëndrojnë të pozicionuar pavarësisht shiut të vazhdueshëm.
Moti i keq ka ndikuar edhe në dinamikën e protestës, duke e bërë më të vështirë organizimin dhe qëndrimin e gjatë të qytetarëve në hapësirën përpara Kryeministrisë. Ndërkohë, forcat e policisë vijojnë të qëndrojnë në gatishmëri, të pajisura me mjete mbrojtëse kundër shiut, ndërsa kordoni i sigurisë mbetet i vendosur përpara godinës qeveritare.
Kjo protestë e opozitës zhvillohet në një klimë të tensionuar politike dhe vjen pas precedentëve të protestave të mëparshme, ku janë shënuar përplasje dhe përdorim mjetesh piroteknike. Autoritetet kanë paralajmëruar qytetarët të shmangin dhunën dhe provokimet, ndërsa kushtet e motit pritet të kenë ndikim të drejtpërdrejtë në ecurinë e tubimit gjatë orëve në vijim.
PD mban protestën e dytë kombëtare brenda vitit...
Partia Demokratike mban sot protestën e radhës para Kryeministrisë. Teksa tubimi është lajmëruar në orën 17.00, ka nisur grumbullimi i militantëve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.
Kreu i opozitës Sali Berisha ka shkuar në seli dhe pritet që pas pak të niset drejt bulevardit. Ndërkohë qindra persona janë mbledhur para selisë së PD.
Kjo është protesta e dytë kombëtare për vitin 2026, pas tubimit të 24 janarit. PD kërkon dorëheqja e kryeministrit Edi Rama dhe zëvendëses së tij Belinda Balluku, si dhe krijimi i një qeverie teknike që do të përgatisë zgjedhjet e parakohshme.
Policia ka ngritur tashmë kordonin e parë përpara godinës qeveritare, me efektivë të pozicionuar në një rresht të vetëm. Në total janë mobilizuar mbi 1300 forca policore, përfshirë njësi të FNSH-së, Shqiponjat dhe autobotët me ujë, të pajisur me maska kundragaz.
Protesta e 24 janarit ishte ndryshe nga të tjerat. Persona nga turma hodhën dhjetëra bomba molotov në drejtim të godinës së Kryeministrisë, duke shkaktuar flakë dhe tym përpara hyrjes së saj. Forcat e policisë u tërhoqën për momentin për të shmangur përplasje direkte, ndërsa më pas u përgjigjën me gaz lotsjellës dhe masa të shtuara sigurie. Zona përpara Kryeministrisë u shpall “zonë krimi”.
Më pas turma u zhvendos drejt godinës së Kuvendit. Edhe atje, situata nuk mbeti e qetë. Turma tentoi të çajë kordonin policor, pati përplasje fizike, dhe ndërhyrje me gaz lotsjellës e autobotë me ujë për të shpërndarë protestuesit.
Sinjalet janë se edhe sot mund të ketë situatë të ngjashme. Policia është vënë në gatishmëri, teksa ka paralajmëruar qytetarët që të mos bien pre e provokimeve për dhunë. Forcat policore janë vënë në disa institucione dhe janë marër masa shtesë nisur nga protestat e kaluar.

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka mbërritur në selinë qendrore të PD-së pak para nisjes së protestës së paralajmëruar nga opozita.
Në seli janë mbledhur militantë të Partisë Demokratike, për të pritur daljen e Berishës dhe deputetëve nga selia dhe marshimin drejt kryeministrisë
Protesta e sotme është thirrur nga opozita në kuadër të kundërshtimeve ndaj qeverisë dhe zhvillimeve të fundit politike.
Masat e sigurisë në zonën përreth selisë së PD-së janë shtuar, ndërsa pritet pjesëmarrje e mbështetësve nga Tirana dhe rrethet.
Nënkryetari i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi ka deklaruar se me protestën e sotme opozita synon të krijojë qëndrueshmëri, për të arritur më pas drejt një faze palëvizshmërie deri në arritjen e qëllimit të saj kryesor.
Sipas Boçit kryeministri Rama është i kapur me presh në duar dhe ka afera të tjera ku përfshihet ai dhe rrethi i tij i ngushtë.
“Sot jemi në këtë protestë, në një cikël protestash që duan të krijojnë qëndrueshmëri për të arritur më pas në një fazë palëvizshmërie deri në arritjen e qëllimit kryesor. Kërkesa vjen për shumë arsye, ka arsye të shtuara. Rama është kapur jo thjesht me presh në duar por kërkon që këtë pras ta shesë si spektër fuqie. Ka afera të tjera ku Rama del më i plotë në kapjen e tij me presh në duar, në korrupsionin galopant, është AKSHI ku është i përfshirë Rama, rrethi i tij i ngushtë familjar, jo familjar, dhe ku më herët PD ka denoncuar me fakte që AKSHI është kopshti privat i Ramës.
Gjithçka ku ka para, ku janë miliona dhe miliarda euro është emri i Ramës. Jo më kot nga raportet është përcaktuar që Rama nga kjo xhiro financash në Shqipëri është përfitues i 14 miliardë eurosh, të përdorura pastaj për blerje votash, për lobim të pistë, për çdo gjë të pistë që ka ndodhur për të shitur Shqipërinë”, tha Boçi në një intervistë për ‘A2CNN’.
Lini një Përgjigje