Me këtë deklaratë publike, Irena Beqiraj, ish-zv.ministre e Financave, ka reaguar ashpër ndaj argumenteve të qeverisë Rama për dëmtimin e infrastrukturës rrugore me reshjet dhe rrëshqitjet gjeologjike.
Shembja e rrugës Librazhd-Prrenjas tregon një problem strukturor në mënyrën si ndërtohen dhe financohen veprat publike, shkruan ish-zv.ministrja e Financave.
Nga krahasimi mes vlerës totale të investuar në infrastrukturë dhe vlerës aktuale të stokut të kapitalit, amortizimi mesatar i veprave publike në Shqipëri rezulton rreth 20 për qind.
Sipas Beqirajt, në nivel ndërkombëtar shkalla e amortizimit për veprat publike varion nga 4.25 për qind deri në 10.4 për qind.
Diferenca prej rreth dy herë më shumë, sipas saj, tregon se ose kostot e ndërtimit janë të larta, ose cilësia e punimeve mbetet e dobët, duke e bërë infrastrukturën të paqëndrueshme dhe të varur nga rikonstruksione të shpeshta.
"Është ligësi e madhe të thuash se rrugët na i prishi shiu! Disa fakte të thjeshta që mund ti kuptojë çdo partonazhist, tregojnë se: Nga vlera totale e investuar në infrastrukturë në Shqipëri dhe vlera aktuale e stokut të kapitalit del që amortizimi mesatar i veprave publike shqiptare është rreth 20 përqind. Shkalla e amortizimit për veprat publike në botë varion nga 4.25 përqind deri në 10.4 përqind. Niveli i amortizimit te veprave infrastrukturore dukshëm 2 herë më i lartë, tregon 1) se kostot me të cilat rrugët janë ndërtuar janë tepër të larta, 2) që rrugët ndërtohen keq dhe si rrjedhim infrastruktura rezulton e paqëndrueshme , si e tillë kërkon rikonstruksione më të shpeshta.
OECD po ashtu konfirmon se vetëm për ndërtimin e rrugëve, Shqipëria investon çdo vit rreth 400 milionë euro, me një mesatare prej 12.9 milionë euro për kilometër ,më e larta në rajon. Por, siç vë në dukje OECD në raportin e saj për konektivitetin edhe infrastrukturën këto “rrugë të shtrenjta" rezultojnë ndër më të dobëtat për nga cilësia dhe funksionaliteti. E pra është ligësi e madhe ti thuash edhe Zeqinesë, që rrugët më të shtrenjta në rajon na i prishën rrëshqitjet gjeologjike të shkaktuara shiu", shkruan Irena Beqiraj, ish zv.ministre e e Financave.
Lini një Përgjigje