
Kryetari i Bashkisë së Vlorës, Ermal Dredha, foli në emisionin “NOW me Erla Mëhillin” në lidhje me aksionin e ideuar nga kryeministri Edi Rama për lirimin e hapësirave publike në qytet.
Ai bëri të ditur ecurinë e këtij aksioni dhe theksoi se pas kritikave të kryeministrit, të gjithë përfaqësuesit dhe zyrtarët e bashkisë janë më të motivuar për të punuar në shërbim të qytetarëve.
Në studio ishte edhe gazetari Bledian Koka, i cili e pyeti kryebashkiakun në lidhje me dorëheqjet e drejtorëve të bashkisë pas kritikave të Ramës dhe nëse vetë Dredha kishte menduar ta japte dorëheqjen.
“Drejtorët nuk janë shkarkuar pa të drejtë, nuk kemi asnjë vendim antikushtetues por ne kërkojmë nga vetja të bëjmë më të mirën e mundshme, dhe këtë e kemi si detyrë ndaj vetes dhe ndaj atyre që punojnë me ne. Jemi gjithmonë në kërkim të mundësive të reja dhe për të dhënë mundësi profesionistëve të rinj,” tha Dredha.
Ai shtoi se po bëhen përpjekje për të gjetur profesionistë të rinj që t’i bashkohen skuadrës së PS-së, me qëllim të avancimit të Shqipërisë drejt një vizioni të qartë.
“Ne duam të bëjmë më të mirën për Vlorën, dhe kjo është një filozofi dhe strategji e re, ku edhe deputetët e rinj dhe ata aktual të PS-së po bashkohen për të punuar në terren”, përfundoi kryebashkiaku.
Lini një Përgjigje