Nuk ndalet revolucioni...
Pas përfundimit të fjalimeve në podiumin e ngritur përpara Kryeministrisë, qytetarët që prej 42 ditësh protestojnë kundër qeverisë dhe klasës politike kanë nisur marshimin në rrugët e kryeqytetit.
Ashtu si në mbrëmjet e mëparshme, qindra protestues u larguan nga bulevardi “Dëshmorët e Kombit” duke e shndërruar marshimin në një tjetër demonstrim force, ndërsa mbanin në duar pankarta dhe flamuj kuqezi.
Gjatë ecjes në rrugët e Tiranës nuk kanë munguar thirrjet që tashmë janë kthyer në sloganet kryesore të protestës. Në kor dëgjoheshin brohoritjet “Rama në burg, Berisha në burg”, “Shqipëri e re”, “Ju erdhi fundi” dhe “Revolucion”.
Atmosfera përgjatë marshimit është shoqëruar nga thirrje ritmike, flamuj kombëtarë dhe pankarta me mesazhe kundër qeverisë, ndërsa protesta ka vijuar pa incidente.
Protesta ka hyrë në ditën e 42-të radhazi dhe, sipas organizatorëve, do të vazhdojë çdo mbrëmje deri në përmbushjen e kërkesave të tyre. Ajo nisi si kundërshtim ndaj projektit turistik në Zvërnec, por tashmë është shndërruar në një lëvizje më të gjerë kundër qeverisë dhe sistemit politik në vend.
Lini një Përgjigje