Politike18 Prill 2024, 13:35

Sulmet e Metës ndaj Altin Dumanit, BE i del në mbrojtje kreut të SPAK

Shkruar nga Pamfleti
Sulmet e Metës ndaj Altin Dumanit, BE i del në mbrojtje kreut të
Ambasadori i BE në Tiranë, Silvio Gonzato

Ambasadori i BE në vendin tonë, Silvio Gonzato, i cili ishte i pranishëm në një aktivitet rinor në Vlorë ka bërë një koment sa i përket sulmeve të Metës ndaj gjyqësorit.

Duke mos dashur të dalë nga kuadri i aktivitetit, Gonzato nuk ka pranuar ta komentojë shumë ngjarjen, por ka theksuar se sulmet ndaj gjyqësorit nuk janë të denja për demokracinë.

“Nuk mendoj se sulmet ndaj gjyqësorit janë të denja për demokracinë. Kemi folur kështuqë dua ta lë me kaq”, u shpreh Gonzato.

Kreu i Partisë së Lirisë ka lëshuar një lum akuzash ndaj Kreut të SPAK Altin Dumani, duke e etiketuar si palaço. Në një konferencë gazetarësh Meta tha se Dumani vret pluralizmin politik dhe e akuzoi se është në shërbim të kryeministrit Rama.

Meta i intensifikoi sulmet personale ndaj kreut të SPAK, Altin Dumanit duke i shtuar edhe pseudonime të tjera.

“O palaço, o dumduman. Thirri mendjes, reflekto, thellohu. Nuk të mbron ty as KLP dhe as Zoti. Ky është këshillim, ndihmë që po të jepet, injorant. Ti hape Cez-Dia në dhjetor 2019 me urdhër të Edi Ramës në kulmin e luftës për Kushtetutën. Ça presim në që ti të thuash kam takuar Mc Gonigal. O torollak...”, tha Meta.

Shqetësimin se SPAK do ta fusë në burg Ilir Meta nuk e fshehu, ndërsa  përmendi edhe sekuestrime florinjsh e pasurish të tij. Meta aludoi se Amerikanët i kanë thënë Altin Dumanit që ta fusë në burg. Kreu i Partisë së Lirisë, ashpërsoi tonet duke thënë se nga burgu do ta shkrijë atë celulë kriminale, referuar këtu SPAK.

 

silvio gonzato spak ilir meta