Politike16 Mars 2023, 22:18

Amnistia Fiskale, Varhelyi paralajmëron Ramën: Mbështesim formalizimin e ekonomisë, por jo duke kaluar vijat e kuqe

Shkruar nga Pamfleti

Amnistia Fiskale, Varhelyi paralajmëron Ramën: Mbështesim

Komisioneri për Fqinjësi dhe Zgjerim i Bashkimit Evropian, Oliver Varhelyi ka komentuar projektligjin për amnistinë fiskale, që parashikon që të gjithë shtetasit shqiptarë dhe kompanitë që operojnë në vend do të kenë të drejtë të deklarojnë pasurinë e tyre pa provuar burimet se si e kanë siguruar.

Në një intervistë në A2CNN, Varhelyi tha se BE mbështet formalizimin e ekonomisë, por pa shkelur vijat e kuqe.

Ajo çka është shumë e qartë për ne, gjë që e kemi diskutuar edhe me kryeministrin dhe delegacionin e tij, është që sigurisht pajtohemi me synimin, që është shndërrimi i ekonomisë informale në ekonomi të ligjshme, por duhet të sigurohemi se çdo veprim i ndërmarrë të përputhet me rregullat që kemi në Bashkimin Evropian, por edhe në FATF dhe në Moneyval, të cilat garantojnë se nëse ka veprime të tilla, ato të bëhen në një mënyrë ligjërisht të shëndetshme.

Jemi ende duke shqyrtuar opsionet e ndryshme dhe shpresoj të gjejmë zgjidhjet e duhura teknike në mënyrë që të bëjmë një hap për çrrënjosjen e ekonomisë informale dhe ta reduktojmë edhe më shumë.

Mendoj se ka mënyra të shëndetshme për ta bërë që ne duhet t’i gjejmë. Ka sigurisht vija të kuqe të rëndësishme që duhen respektuar nëse duhen respektuar rregullat dhe normat tona. Dhe ne sigurisht që do të këmbëngulim për këtë, por mendoj se është e mundur, kemi parë shembuj në të kaluarën, por duhet bërë me mënyrën e duhur dhe na duhet ende të punojmë për këtë.

Këto janë çështje shumë të ngatërruara, edhe teknikisht, prandaj kemi nevojë për më shumë kohë, por shpresoj se ashtu si në çdo rast të mëparshëm, gjithmonë do të arrijmë një marrëveshje me qeverinë e Shqipërisë, duke u siguruar që ajo që po ndodh në Tiranë do të jetë në përputhje me rregullat dhe normat tona”, u shpreh Komisioneri Oliver Varhelyi.

amnistia fiskale varhelyi rama