TAGS-AT E JAVËS

Politike29 Maj 2023, 18:58

Basha mban tjetër takim dhe shton sulmet ndaj Berishës, lë të hapur derën e kandidimit për kreun e PD

Shkruar nga Pamfleti

Basha mban tjetër takim dhe shton sulmet ndaj Berishës, lë

Ish-kreu demokrat Lulzim Basha ka intensifikuar takimet në bazë, por dhe sulmet ndaj Sali Berishës. Ai u ndal sot në Durrës, ku bëri fajtor Berishën për 14 majin. Basha tha se nëse ai do të kishte dhënë dorëheqjen ose nëse do ishte larguar nga PD, atëherë më 14 maj partia do kishte një rezultat shumë herë më të suksesshëm.

Për të ardhur bashkimi, Basha tha se njëherë duhet kuptuar situata në të cilën ndodhet PD-sa, duke thënë se Berisha e mori peng për interesat personale.

Të shohim se si mund të bashkohemi, duhet të kuptojmë pse u nda. U ndamë për plaçkë, për interesa personale? U ndamë për bindje, vlera, bindja ime ka qenë dhe mbetet që PD duhet t'i rrijë vlerave që ka shpallur. Aleanca me perëndimin është e patjetërsueshme, pjesë e aleancës me perëndimin është lufta kundër korrupsionit. Kemi pranuar një standard, kur një nga faktorët më të rëndësishëm të perëndimit, mbajnë një qëndrim ndaj një individi në politikë e mbajmë edhe ne. Na erdhi një moment i papëlqyeshëm kur diçka e tillë ndodhi ndaj liderit tonë. Nuk u nguta unë t’i thoja ky është standardi. I kërkova siç i kam kërkuar prej 9 vitesh, me respekt, që të reflektonte për të mirën e familjes së tij politike. Pata besim se do ta bënte, kur në fund kjo nuk u bë, mora një vendim për interesin e demokratëve, jo interesin tim. Ka qenë një vendim i vështirë, por siç e provoi edhe 14 maji, ishte i drejtë. Mendoni nëse do ishte tërhequr, do e kishte lënë PD-në të lirë. Sot do kishim kryetarin e bashkisë në Durrës, do kishim një rezultat tjetër nga ai i 14 majit, do kishim një shpresë të madhe nga rezultati që do vinte anë e mbanë Shqipërisë, por nuk e kemi se dikush vuri interesat e tij para. Për problemin e tij personal, ai vendosi të na çojë në këtë rrugë ku jemi”, tha ai.

Nga ana tjetër Basha la të hapur mundësinë e kandidimit për kreun e PD. Ai u pyet nga të rinjtë që të thotë hapur nëse synon apo jo kreun e PD. Basha tha se do e thotë kur të hapet gara për kreun e PD, duke mos e mohuar ambicien se kërkon rikthimin në krye të partisë.

Të garantoj se kjo nuk është fushata. Kur të nisë fushata, do ta them. Kjo është fushatë për gjendjen politike të vendit pas 14 majit. Nuk më pëlqen që pas 14 majit ka vetëm qetësi. Kam kafshuar gjuhën edhe kur hidhnin baltë ndaj meje. Dhashë dorëheqjen për t’i dhënë një shans bashkimit.

Njerëzit pyesin a ka vizion, a ka shpresë? Ndjej përgjegjësi të them që po, ka një rrugë, ka një shpresë. E para, është të kuptojmë që ne nuk jemi pakicë. Numri i atyre që kanë folur me heshtje në 14 maj, është më i madh se numri i atyre që ka marrë çdo forcë politike. Grupi më i madh i qytetarëve e braktisën 14 majin. Këtu ka vetëm të humbur, edhe ata që e kanë marrë pushtetin e dinë që nuk përfaqësojnë asgjë. As shpresë, as dashuri për vendin. Është për t’i thënë shqiptarëve që ka një rrugë drejt shpresës. 750 mijë shqiptarë që nuk kanë marrë pjesë në votime presin një plan nga opozita. Kur të hapet gara për kryetarin e Partisë Demokratike, atëherë do t’ju kthej përgjigje”, tha ai.

Basha u shpreh se etika nuk e lejon që të shpallë kandidaturën për sa kohë nuk është hapur gara, pasi siç tha ai, do të jetë i barabartë me të gjithë. Sipas tij, qëllimi i takimeve ka të bëjë për situatën në të gjithë vendin dhe jo vetëm brenda në PD.

basha takime

Lini një Përgjigje