Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi se qeveria po e çon përpara procesin e integrimit në Bashkimin Europian përmes lobimeve korruptive dhe jo mbi bazën e standardeve të vendosura nga BE.
Ai i bëri këto komente nga jashtë Kuvendit, gjatë një komunikimi me gazetarët.
Berisha kërkoi që institucionet europiane të reagojnë dhe të denoncojnë, sipas tij, këtë mënyrë veprimi të mazhorancës. Ai kundërshtoi gjithashtu akuzat ndaj opozitës, e cila sipas qeverisë po pengon integrimin, duke theksuar se denoncimi i aferave është detyrim ndaj qytetarëve.
Sipas tij, ndryshe nga vendet e tjera që janë në proces negociues dhe informojnë publikun pas çdo zhvillimi, në Shqipëri mungon transparenca për takimet dhe vendimmarrjet që lidhen me integrimin.
“Shqipëria i vetmi vend që negocion bazuar në lobime korruptive dhe jo në parimet themelore të përcaktuara nga BE për integrimin. Me lobimin korrutiv të saj ,arrin të përjashtojë totalisht shqiptarët nga procesi i integrimit. Nëse serbët, maqedonasit marrin informacion të saktë pas çdo takimi në Bruksel, qeveria shqiptare nuk publikon qoftë edhe një fjalë të vetme në ato mbledhje të cilat vendosin për fatin e integrimit të të gjithë shqiptarëve. Nëse në të gjitha vendet përreth nuk keni dëgjuar raportin IBAR, opozita merr vesh nëpërmjet miqve të saj në takimet e COELA-s se qeveria nuk jep asnjë njoftim.
Nuk është proces i mbyllur brenda përfaqësuesve të vendeve anëtare, aty merr pjesë përfaqësuesit shqiptar, i cili merr përsipër të mos i thotë asnjë fjalë vendit të tij përveç kryeministrit dhe ministrit të tij. Shqipëria nuk e bazon procesin e integrimit në gjithëpërfshirje por në lobime të turpshme korruptive. I bëj thirrje KE, BE, dhe vendeve anëtare të denoncojnë këtë praktikë të turpshme. Asnjë vend tjetër nuk e ndjek dhe akuzojnë opozitën për fjalimet në Strasburg dhe kërkesat që paraqet.”, tha Berisha.
Lini një Përgjigje