
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka marrë fjalën në protestën e sotme kombëtare të opozitës para Kryeministrisë, ku mbajti një fjalim të gjatë me tone historike dhe politike, duke u ndalur te e shkuara e Shqipërisë dhe, sipas tij, pasojat e rënda që diktatura komuniste i la vendit dhe shoqërisë shqiptare.
Në fjalën e tij, Berisha theksoi se shqiptarët kanë kaluar shekuj të tërë të mbushur me vuajtje dhe përballje me armiq të pamëshirshëm, duke nënvizuar se disa prej tyre i kanë shkaktuar kombit dëme të thella dhe afatgjata.
“Nuk mund të mohohet se ne kemi qenë, apo kemi përjetuar, shekull pas shekujsh mallkime. Në një farë mënyre, ne kemi përjetuar dhe provuar armiq të egër, të pamëshirë ndaj nesh. Armiq që padyshim i kanë sjellë dëme më serioze kombit tonë,” u shpreh Berisha.
Kreu i PD u ndal veçanërisht te periudha e diktaturës komuniste, duke e cilësuar atë si një nga plagët më të rënda të historisë shqiptare, që sipas tij nuk duhet harruar kurrë.
“Kurrë ne nuk duhet të harrojmë shekullin që lamë pas, diktaturën hoxhiste të Enver Hoxhës, krimet shtazaroke që ajo kreu ndaj shqiptarëve, vrasjet, persekutimet, pushkatimet, kampet e përqendrimit, policinë sekrete famkeqe,” deklaroi Berisha.
Në vijim të fjalës së tij, ai theksoi se pasojat e regjimit komunist nuk ishin vetëm në humbje jetësh dhe dhunë, por edhe në izolimin ekstrem të vendit nga Evropa dhe bota demokratike.
“S’duhet të harrojmë kurrë izolimin më të thellë që përjetuam, shkëputjen e plotë të Shqipërisë nga trungu i familjes së vendeve të qytetëruara që i përkiste, izolimin e saj nga Evropa dhe bota demokratike. Të gjitha këto ia vodhën Shqipërisë, jua vodhën shqiptarëve,” theksoi Berisha përpara protestuesve.
Lini një Përgjigje