Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, vlerëson se problemi kryesor për imazhin e Shqipërisë nuk janë protestat, por mënyra se si po qeveriset vendi. Sipas saj, zhvillimet politike dhe institucionale në Tiranë po ndiqen me vëmendje nga partnerët ndërkombëtarë.
Tabaku argumenton se protesta është një mjet normal demokratik dhe nuk dëmton interesat e vendit. Ajo thekson se qytetarët protestojnë për çështje të brendshme dhe për të mbrojtur interesin e tyre, jo për të dërguar mesazhe jashtë vendit. Sipas saj, rreziku real lidhet me drejtimin që ka marrë qeverisja dhe pasojat që ky kurs sjell për Shqipërinë.
Deputetja e opozitës nënvizon se fokusi kryesor duhet të mbetet te qytetarët shqiptarë. Ajo shprehet se bashkëpunimi me partnerët ndërkombëtarë është i domosdoshëm, por beteja politike zhvillohet brenda vendit dhe synon fitimin e besimit dhe votës së elektoratit.
Në lidhje me Shtetet e Bashkuara, Tabaku vlerëson se interesimi për Shqipërinë dhe rajonin mbetet i pranishëm, edhe pse prioritetet globale janë ndikuar nga konflikte dhe ndryshime politike.
Tabaku: Është e vërtetë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës, edhe si rezultat i konflikteve, konfliktit në Gaza, sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës, por edhe të ndryshimit të administratës, kanë pasur sigurisht një mori prioritetesh për të përcaktuar. Por akti i tyre i fundit i mbrojtjes dhe siguria e tyre kombëtare e përcaktoi Ballkanin Perëndimor si një prioritet dhe përcaktoi dy prioritete që kanë lidhje me ne, që është lufta ndaj krimit të organizuar dhe klima e biznesit dhe institucionet e forta, që janë drejtpërdrejt punë e institucioneve shqiptare. Nuk do të thotë që ne bashkëpunojmë me partnerët tanë strategjikë duke na vendosur ata emrin në krye të listës. Ne bashkëpunojmë për standarde, për vlera, për norma që i ka dhe duhet t’i ketë edhe Shqipëria njësoj si partnerët.
Tabaku shtoi se Kryeministri Rama nuk është i qetë për këtë situatë në të cilën ndodhet vendi, pavarësisht diskutimeve në publik.
“I pashqetësuar nuk më duket. Po le ta shohim se si do të vijojë. Unë nuk e di se çfarë mburoje politike mund t’i japë, çfarë aureole mund të marrë mazhoranca në këtë moment. Po unë di të të them që shihet me shumë shqetësim ajo që po ndodh në Tiranë nga të gjitha kryeqytetet kryesore, nga Brukseli në Berlin”, tha ajo.
Lini një Përgjigje