TAGS-AT E JAVËS

Politike10 Shkurt 2026, 18:18

"Qeveria ka dështuar", nënkryetarja e FRPD: Kush nuk proteston, po bën gati valixhen!

Shkruar nga Pamfleti
"Qeveria ka dështuar", nënkryetarja e FRPD: Kush nuk
Desada Xhetani

Në protestën kombëtare të Partisë Demokratike, një prej zërave që mori fjalën ishte Desada Xhetani, nënkryetare e Forumit Rinor të PD-së. Ajo paraqiti kritika të drejtpërdrejta ndaj qeverisë për mënyrën se si, sipas saj, po trajton rininë, arsimin dhe familjet shqiptare.

Xhetani tha se të rinjtë përballen çdo ditë me mungesë perspektive, kosto të larta jetese dhe një treg pune ku, sipas saj, nuk vlerësohet dija. Ajo theksoi se pas më shumë se një dekade qeverisjeje, durimi i qytetarëve është kthyer në dorëzim përballë padrejtësive dhe pasigurisë ekonomike.

Sipas saj, studenti nuk mund të përqendrohet vetëm te studimet, pasi duhet të përballojë qira, ushqim dhe nevojën për punë shtesë, ndërsa familjet kanë vështirësi për të mbajtur financiarisht fëmijët në shkollë. Në këtë kontekst, ajo nënvizoi se emigrimi po shihet si zgjidhja e vetme për shumë të rinj.

Xhetani kritikoi gjendjen e arsimit, duke përmendur trajtimin e mësuesve dhe mungesën e kushteve dinjitoze për pensionistët. Ajo argumentoi se sektori arsimor nuk trajtohet si prioritet dhe se kjo, sipas saj, lidhet me frikën e pushtetit nga mendimi kritik.

Në lidhje me punësimin, ajo deklaroi se përzgjedhja nuk bazohet në meritë, por në lidhje personale dhe angazhim politik, duke e cilësuar këtë si pengesë serioze për të rinjtë e arsimuar.

Xhetani: Mirëmbrëma Shqipëri! Mirëmbrëma komb që ke mbijetuar pushtime, diktatura dhe sot po rrezikon të mbytesh nga një pushtet që nuk të meriton. Mirëmbrëma popull që ke duruar më shumë se ç'duhet dhe ke heshtur më gjatë se ç'lejohet. I nderuar lider i opozitës shqiptare, profesor doktor Sali Berisha.

Të dashur të rinj e të reja, studentë, gjimnazistë, arsimtarë, njerëz të thjeshtë, profesionistë, prindër, pensionistë që sot keni mbushur sheshin plot. Unë jam Desada Xhetani, një 22 vjeçare plot ëndrra e shpresë. Një studente ekselente që erdha sot këtu pas provimit. Jo sepse më pëlqen rrëmuja e shesheve, por sepse ky vend e ka bërë të pamundur luksin e qetësisë. Sepse sot në Shqipëri, kush studion pa protestuar, thjesht po përgatit valixhen të largohet.

Sepse në Shqipërinë e sotme, studenti nuk ka luksin të jetojë vetëm me libra. Ai duhet të mendojë për qiranë, për ushqimin, për punën e dytë, për prindërit që nuk ja dalin dot. Unë përfaqësoj një brez që është rritur mes varfërisë, mes emigrimit dhe gënjeshtrave politike. Një brez që e ka parë Shqipërinë të zbrazet shtëpi më shtëpi, fshat më fshat, familje më familje. Dhe sot e them pa hezitim, kjo qeveri ka dështuar, ka dështuar ndaj rinisë, ka dështuar ndaj arsimit, ka dështuar ndaj prindërve tanë, ka dështuar ndaj pensionistëve. Dhe mbi të gjitha, ka dështuar ndaj Shqipërisë tonë.

Na kanë thënë të kemi durim. 13 vjet durim, 13 vjet pritje, 13 vjet justifikime. Durimi i zgjatur përballë padrejtësisë nuk është më virtyt, është dorëzim. Po s'dorëzohen shqiptarët e ndershëm, kurrë nuk dorëzohen. Sot, një student shqiptar kur shkon të kërkojë punë, nuk pyetet çfarë di, por kë njeh. Nuk pyetet çfarë vlen, por pyetet a je patronazhist. Nuk gjejmë askund meritokraci, por gjithkund mediokritet. Unë studioj për arsim dhe po, e di, kjo qeveri e përbuz arsimin, sepse arsimi prodhon mendim kritik dhe pushtetet e dobëta kanë frikë nga mendimi kritik.

Analfabetizmi politik është aleati i tyre më i madh. Kjo qeveri nuk kursen askënd të dashurit e mi. As fëmijët, as të rinjtë, as prindërit, as gjyshërit, as vendin, as kombin tonë. Prindër shqiptarë, ju që punoni dy ose tre punë për të mbajtur fëmijët në shkollë, a është kjo Shqipëria që ëndërruat? Sa net pa gjumë keni kaluar duke llogaritur si ta mbyllni muajin? Po ju pensionistë, që keni ndërtuar këtë vend me djersë, a është kjo pleqëria me dinjitet që ju premtuan?

A është kjo Shqipëria për të cilët punuat gjithë jetën? Arsimtarë, si mund të kërkohet cilësi kur ju trajtoheni si shpenzim dhe jo si themel i kombit? Arsimtarë, ju e dini çfarë paradoksi është të formosh breza, ndërsa vetë ju trajtojnë si të tepërt. Po ne të rinjtë? Pse ëndrra jonë ka gjithmonë adresë emigrimin? Pse na mëson të studiojmë, por jo të qëndrojmë?

desada xhetani protesta

Lini një Përgjigje