TAGS-AT E JAVËS

Politike 2 Qershor 2025, 16:36

Berisha në “luftë” me ish-ministrin e tij, KAS rrëzon kërkesën për përjashtimin e Ilir Rusmalit

Shkruar nga Pamfleti

Berisha në “luftë” me ish-ministrin e tij, KAS rrëzon

Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS) ka rrëzuar sot kërkesën e paraqitur nga Partia Demokratike për përjashtimin e anëtarit Ilir Rusmali nga shqyrtimi i ankimimeve të kësaj force politike për rezultatin e zgjedhjeve në disa qarqe.

Kërkesa, e depozituar me shkrim nga përfaqësuesi ligjor i PD-së, Marash Logu, ngrinte dyshime mbi paanshmërinë e Rusmalit, duke theksuar lidhjen e tij me institucionin e Presidencës, si këshilltar. Logu shtoi gjithashtu se anëtari në fjalë ka shfaqur sjellje të papërshtatshme gjatë seancave, përfshirë ofendime personale ndaj përfaqësuesve të PD-së.

Në shkresën zyrtare drejtuar KAS, theksohet: “Anëtari Rusmali, në pamundësi për të kontrolluar shpërthimet emocionale dhe bindjet e tij të brendshme ndaj pales ankuese, Partisë Demokratike dhe lidershipit të saj, degradon në sharje dhe ofendime personale ndaj përfaqësuesve ligjor të subjektit zgjedhor “Partia Demokratike – Aleanca për Shqipërinë Madhështore”.

Sjellje, veprime dhe shprehje, të cilat jo vetëm cenojnë solemnitetin e shqyrtimit administrativ, por dëshmojnë për probleme të thella karakteriale, siç mund të jetë mllefi i akumuluar ndër vite i këtij anëtari ndaj Partisë Demokratike dhe lidershipit të saj, që e bën të humbasë objektivitetin dhe të mos ruajë etikën minimale të komunikimit njerëzor/institucional, që duhet të karakterizojë anëtarët e një trupe kolegjiale të një organi publik”.

Pavarësisht pretendimeve të PD-së, KAS vendosi të mos e pranojë kërkesën, duke lënë Rusmalin pjesë të trupës që po shqyrton ankimimet e opozitës pas zgjedhjeve të 2025.

Lini një Përgjigje