TAGS-AT E JAVËS

Politike12 Maj 2025, 13:55

Berisha nuk pranon humbjen: Rama bleu zgjedhjet me 150 mln eurot e gjobave

Shkruar nga Pamfleti

Berisha nuk pranon humbjen: Rama bleu zgjedhjet me 150 mln eurot e gjobave

Berisha tha gjithashtu se edhe nëse humbet, nuk do të heqë dorë nga Partia Demokratike.

Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha ka folur sot për mediat, ndërkohë që procesi i numërimit të votave po vijon. Ai nuk ka pranuar humbjen, edhe pse deri tani rezultatet nxjerrin fituese Partinë Socialiste.

Berisha tha se për Partinë Demokratike, ky proces është themelor i një shoqërie të lirë. Ai iu bën thirrje strukturave të PD, që çdo votë të numërohet me përkushtimin më të madh. 

Teksa vlerëson dhe falenderon të gjithë votuesit e Partisë Demokratike, Berisha ka akuzuar Ramën se bleu zgjedhjet parlamentare me faljen e gjobave 2 ditë para 11 Majit. Ai ngriti akuza të forta ndaj PS për parregullsi dhe manipulim të zgjedhjeve. 

“Për PD procesi elektoral është themelor i një shoqërie të lirë dhe i njerëzve të lirë. Në këtë kontekst jam këtu së pari të shpreh mirënjohje e falënderim për komisionerët, vëzhgues, numërues që e gdhinë gjatë natës duke numëruar votat e qytetarëve. U bëj thirrje strukturave të PD, që të bëjnë gjithçka që të numërohet çdo votë me përkushtimin më të madh. Çdo votë kundër regjimit meriton nderimin më të madh dhe vlerësimin më të madh. Rama fali 2 ditë para zgjedhjeve të lira. 150 mln euro gjoba”, tha Berisha.

I pyetur nëse do të heqë dorë nga PD, Berisha u shpreh se "vetëm Zoti lart mund ta ndalojë Partinë Demokratike".

"Nuk do të ndodhë kurrë, që unë të heq dorë nga PD", theksoi Berisha. 

Kreu i PD hodhi akuza edhe për zyra ilegale apo miliona euro të hedhura për të blerë vota.

“Nese nje votë shitet 100 euro, ky nuk eshte faji im apo i opozites. Hera e parë që jepen 100 euro për votë publikisht. Nese kryeministri fal gjobat 1 dite para zgjedhjeve, nuk është faji i opozites”, tha Berisha.

Lini një Përgjigje