Pas Gazment Bardhit, kreu i PD, Sali Berisha ka reaguar për deklaratën e komisioneres Marta Kos.
Kjo e fundit, ndërsa vlerësoi punën e SPAK një ditë më parë, deklaroi edhe se eliminimi i korrupsionit në një vend, nuk varet vetëm nga ligjet anti-korrupsion që miratohen, por edhe nga mendësia e popullit në raport me fenomenin.
Për Berishën, kjo është një deklaratë raciste dhe akuzoi Kos se po sillet si ortake e kryeministrit Edi Rama, të cilin e quajti hajdut.
“Deklarata e komisioneres Marta, një ditë pasi partia e parë fitoi zgjedhjet në Slloveni dhe që nuk foli gjer dje, është një deklaratë e mirëfilltë raciste dhe korruptive. Nëse kemi të bëjmë me korrupsion politik apo korrupsion monetar, kjo është çështje e institucioneve të hetimit të BE.
Por të akuzosh një shoqëri se pranon korrupsionin, në një kohë kur mbështet hajdutin me të gjithë peshën që ka Komisioni, pak me thënë, po ngjet si ortak i tij. Kaq kam për këtë koment”, tha Berisha.
Komisionerja për Zgjerimin e Bashkimit Evropian, Marta Kos, vlerësoi punën e SPAK në luftën ndaj korrupsionit në Shqipëri.
Teksa theksoi se është nën monitorimin e BE, ajo komentoi edhe mbi çështjen e Ballukut.
“Shqipëria ka bërë një punë të shkëlqyer, jemi në procesin kur po ecet drejt standardeve të sundimit të ligjit. Por sigurisht ka edhe disa raste, si ai i Ballukut, të cilin po e monitorojmë me shumë kujdes. SPAK po bën një punë ekselente, është normale që të zbulojnë raste te tilla. E rëndësishme të shihen edhe reagimet për këto raste, dhe këto po i monitorojmë.’, tha ajo.
Teksa ende po fliste për Shqipërinë gjatë intervistës, zyrtarja e lartë e Bashkimit Europian tha se eliminimi i korrupsionit në një vend, nuk varet vetëm nga ligjet anti-korrupsion që miratohen, por edhe nga mendësia e popullit në raport me fenomenin.
“Një tjetër çështje me antikorrupsionin e cila është tipike do të thosha për të gjithë vendet kandidate, është se mund të kesh legjislacionin më të mirë për të luftuar korrupsionin, por nëse korrupsioni pranohet në atë vend, atëherë juve keni një problem tjetër. Kështu që të gjitha këto vende po kalojnë nëpër procesin e ndryshimit të mendësisë në raport me korrupsionin dhe kjo kërkon kohë”, tha Kos.
Lini një Përgjigje