Politike 2 Mars 2024, 18:44

Berisha shpërbleu Gazment Bardhin, a do pranojë Jorida Tabaku të futet në kryesinë e Rithemelimit?

Shkruar nga Pamfleti
Berisha shpërbleu Gazment Bardhin, a do pranojë Jorida Tabaku të
Jorida Tabaku

Pas bashkimit me grupin e Rithemelimit, Gazment Bardhi duket se ka marrë ‘shpërblimin’ nga Sali Berisha, në arrest shtëpie.

Të martën e 5 shkurtit do të mblidhet Këshilli Kombëtar i Rithemelimit, ku anëtarët pritet të miratojnë disa ndryshime statutore të cilat do t’i hapin rrugë ndryshimeve në strukturat e partisë.

Gazment Bardhi dhe Agron Gjekmarkaj do të bëhen nënkryetarë të Rithemelimit.

Sipas ndryshimeve që pritet të miratohen, kreu i grupit parlamentar, Bardhi, merr njëkohësisht edhe funksionin e nënkryetarit. Po ashtu të njëjtin rol do e marrë edhe Gjekmarkaj për shkak të funksionit si nënkryetar i Kuvendit. Me miratimin e këtyre ndryshimeve, Bardhi pritet të marrë edhe një zyrë në selinë e Rithemelimit. 

Kjo lëvizje e Rithemelimit do të afrojë edhe të tjera figura të grupit Bardhi. Gjithashu mësohet se do të ndryshojë edhe përbërja e kryesisë së Rithemelimit. Me rëndësi është emri i Jorida Tabakut, e cila pritet që të bëhet pjesë e Kryesisë, si kryetarja e Komisionit Parlamentar te Integrimit.

Mbetet për t’u parë nëse Tabaku do të pranojë të rreshtohet krah Rithemelimit, pasi ajo ka mbajtur një distancë me këtë grup që kur iu afruan përfaqësuesit e Bardhit. Madje ajo nuk ka marrë pjesë as në mbledhjet që janë zhvilluar në selinë e Rithemelimit.

Pjesë e Kryesisë së Rithemelimit pritet të bëhen gjithashtu edhe deputeti Ervin Salinaji si zv.kryetar i grupit parlamentar, por edhe Zheni Gjergji si kryetare e Komisionit të Shëndetësisë.

 

jorida tabaku berisha gazment bardhi