Politike 2 Mars 2024, 17:52

Ligji i ri i PS do të shkatërrojë Zonat e Mbrojtura, Kumbaro u del në mbrojtje oligarkëve: Të anatemosh ata që investojnë, dritëshkurtësi

Shkruar nga Pamfleti

 

Ligji i ri i PS do të shkatërrojë Zonat e Mbrojtura, Kumbaro u
Mirela Kumbaro

Projektligji për ‘Zonat e Mbrojtura’ shkel direktivat e BE-së

Ligji për Zonat Mbrojtura i ndryshuar së fundmi nga mazhoranca socialiste në pushtet ka shkaktuar reagime të shumta, ndërsa opozita ka paralajmëruar dërgimin e tij në Gjykatën Kushtetuese.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro e ftuar në emisionin “Kjo javë” ka mbrojtur ligjin që shkatërron Zonat e Mbrojtura.

Kumbaro gjithashta tha se të gjithë ata që janë kundër këtij ligji (që do lejojë ndërtimin e hoteleve me 5 yje në zonat e mbrojtura nga oligarkët) është dritëshkurtër.

“Draft-ligji përfundimtar, i cili u votua ka pasur shumë përmirësim nga drafti që u iniciua sepse deputetët morën në konsideratë edhe mendimin e organizatave mjedisore të qeverisë, edhe duke gjetur një ekuilibër më të qëndrueshëm midis interesave të ekonomive lokale. Të gjithë duhet të kemi shumë respekt për botën e biznesit sepse janë ata që investojnë, krijojnë punësim dhe sjellin të ardhura për buxhetin e shtetit. Të anatemosh ata njerëz që investimet e tyre i hedhin në këto sektorë, do të thotë në radhë të parë të jesh dritëshkurtër ose nuk e duan këtë vend. Unë nuk besoj se ka shqiptar që nuk e do këtë vend, kështu që rrimë tek dritëshkurtësia”, thotë ajo.

Kumbaro u pyet edhe për ndërtime të mundshme në Parkun kombëtar të Divjakës.

“Parku kombëtar i Divjakës që është një nga lagunat tona më të jashtëzakonshme. Madje në draft ligjin e ri është theksuar që ekosistemet në sipërfaqen ujore janë më të rëndësishme dhe nuk duhet të preken. Një ndër përmirësimet që sjell nënvizon nevojat për kërkesën më strikte për çdo zonë të mbrojtur.Ligji i vitit 2017, vendosi për herë të parë rregulla, por realiteti duhet ta ndjekim nga pas për të gjetur balancën e duhur midis nevojës për zhvillim në disa zona me kritere të forta dhe mbrojtjes së mjedisit. Këto kritere do të kalojnë në katër filtra, agjencia e mjedisit, ministria e Turizmit dhe Mjedisit, Këshilli Kombëtar i Territorit dhe më pas qeveria”, u shpreh ajo.

Në një seancë që nuk zgjati më shumë se 7 minuta, me 74 vota pro të mazhorancës, Kuvendi miratoi me 22 Shkurt ndryshimet në Ligjin për Zonat Mbrojtura.

Ndryshime do të përfshijnë që në disa prej territoreve të klasifikuara si zona të Mbrojtura, do të mund të ndërtohen struktura akomoduese me qëllim zhvillimin e turizmit apo agroturizmit, por me kushtin që të mbahet një ekuilibër mes natyrës dhe aktiviteteve të zhvilluara.

Miratimi i ligjit u kundërshtua nga deputetët e opozitës dhe nga disa protestues të shoqërisë civile, të cilët thanë se është një ligj me porosi dhe që u shërben interesave të oligarkëve.

Deputetja Ina Zhupa tha se me ndryshimet e reja të bëra nga mazhoranca, do t’i hapet rrugë investimeve strategjike në Zonat e Mbrojtura.

‘Një ligj klientelist i bërë për oligarkë të caktuar pranë Ramës. Heq mbrojtjen e Zonave të Mbrojtura i bën ata sheshe ndërtimi ku mund të kryhen investime strategjike sipas kontratave që do të firmosin.’- tha Zhupa.

Deputetja Tabaku tha se ligji është në shkelje të direktivave të BE-së dhe se në këto kushte deputetët e PS-së kanë shkelur angazhimin e konventave për mbrojtjen e mjedisit.

“I morën i përdorën 12 deputetë të PS, ligj që ishte në shkelje të direktivave të BE, me ligjin e miratuar në zonat e mbrojtura do jepen investime strategjike, hotele me 5 yje.’- u shpreh Tabaku.

Edhe  Gazment Bardhi thotë se qeveria kërkon të gllabërojë pasuritë kombëtare të shqiptarëve me ligjin e ri për zonat e mbrojtura. Bardhi nuk përjashtoi as mundësinë për dërgimin e tij në Gjykatën Kushtetuese.

“Ligji për zonat e mbrojtura ku edhe njëherë planifikohet të gllabërohet pasuria kombëtare e shqiptarëve. Seanca vazhdoi të jetë jo një seancë normale sa kohë nuk përmbushen kërkesa e opozitës. (...) Padyshim që do ketë një vlerësim, nëse ka argumente për kundërshtim në GJK do i drejtohemi”, tha Bardhi.

Edhe organizatat e shoqërisë civile që ushtrojnë aktivitetin në sektorin e mbrojtjes së mjedisit kanë ngritur shqetësime për moszbatimin e direktivave të Bashkimit Evropian në projektligjin e propozuar në Kuvend për Zonat e Mbrojtura.

Sipas tyre projektligji për ‘Zonat e Mbrojtura’ shkel direktivat e BE-së.

Ndryshimet në ligjin në fuqi u propozuan fillimisht nga një grup deputetësh dhe mbi draftin e tyre u bënë dëgjesat publike me aktorë të shoqërisë civile, por në momentet e fundit një variant i ardhur nga qeveria u miratua pa konsultim publik dhe duke anashkaluar thirrjen e BE-së për tërheqjen e tij.

Sipas këtij varianti, brenda Zonave të Mbrojtura do të lejohet ndërtimi strukturave të mëdha turistike dhe çdo veprimtari apo infrastrukturë tjetër mbështetëse në funksion të tyre, si dhe kalimin e vendimmarrjes për këto zona në varësi të Këshillit Kombëtar i Territorit, një organ shtetëror që nuk e ka detyrim ligjor konsultimin publik në vendimmarrje./ Pamfleti

mirela kumbaro ligji për zonat mbrojtura