Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka sqaruar deklaratën e tij për “kilometrin e fundit”, duke e lidhur atë me fazën përfundimtare të përballjes politike të opozitës me mazhorancën socialiste.
Gjithashtu, ai ka hedhur akuza të forta ndaj ish-kryetarit të PD-së, Lulzim Basha, duke pretenduar se në vitin 2021 kishte një plan për bashkëqeverisje me Partinë Socialiste. Sipas Berishës, një zhvillim i tillë do të kishte qenë, “dramë për vendin”.
Duke sqaruar termin e përdorur, Berisha u shpreh se: “Dua të bëj me këtë rast një sqarim, lidhur me shprehjen time, kilometri i fundit. E kam thënë me bindje të plotë dhe e them përsëri se jemi në kilometrin e fundit”.
Ai theksoi se kjo shprehje lidhet me momentin aktual politik dhe me përballjen e opozitës. Berisha shtoi se, në vitin 2021 kishte tentativa për një marrëveshje politike që do të ndryshonte rolin e opozitës.
“Ne si opozitë në vitin 2021 ishim parashikuar nga Lulzim Brava… të ishim simotër e PS-së në qeveri. Kjo është e vërteta… çka do ishte drama më e madhe për këtë vend”, deklaroi Berisha.
Sipas tij, pas dështimit të këtij skenari, janë ndërmarrë hapa të tjerë politikë që ai i cilëson si të dëmshëm për pluralizmin dhe demokracinë në vend.
“Dua të bëj me këtë rast një sqarim, lidhur me shprehjen time, kilometri i fundit. E kam thënë me bindje të plotë dhe e them përsëri se jemi në kilometrin e fundit. Cili ka qenë dhe cili është kuptimi i kësaj fraze, apo këtij koncepti. Kuptimi është ky që vijon: Ne si opozitë në vitin 2021 ishim parashikuar nga Lulzim Brava dhe jo vetëm nga Lulzim Brava, por dhe nga të tjerë të ishim simotër e PS-së në qeveri. Kjo është e vërteta, unë e kam publike prej kohësh këtë propozim, çka do ishte drama më e madhe për këtë vend.
Pasi kjo nuk realizua, u kalua në një seri masash të tjera, nga Edi Rama armik i egër i pluralizmit dhe demokracisë në Shqipëri, por dhe mafia ndërkombëtare e Xhorxh Sorosit, armike e egër e demokracisë shqiptare por dhe e kombit shqiptar, e cila kishte te PD një kundërshtare të paepur të projekteve të tij antishqiptare, qoftë në ndryshimin e kufijve dhe copëtimin e Kosovës, qoftë në Ballkanin e Hapur, qoftë në denoncimin e organizatave kriminale të ekstremit të majtë, të spronsorizuara prej tij në Shqipëri”, tha Berisha në fjalën e tij.
Lini një Përgjigje