
Mënyra se si opozita, më saktë PD si partia më e madhe opozitare, po drejton procesin e negociatave më shumë duket si një pazar, pra se cili do të jetë emri që do të dalë si kandidat, ndoshta i mbështetur vetëm nga subjektet që bënin pjesë në atë që në zgjedhjet parlamentare të 11 majit u pagëzua me emrin “Aleanca për Shqipërinë Madhështore”...
Tirana do të shkojë drejt zgjedhjeve të pjesshme të parakohshme, pasi në më pak se 48 orë, Edi Rama me cilësinë e Kryeministrit dhe kreut të PS-së, përmbylli të gjithë procedurat për shkarkimin e Erion Veliajt si Kryebashkiak.
Pasi këshilltarët socialistë dhe ata demokratë, bashkë me disa aleatë, bashkuan votat në Këshillin Bashkiak të Tiranës, duke propozuar shkarkimin e Veliajt, ishte Edi Rama që në mbledhjen e Qeverisë miratoi vendimin dhe brenda pak orësh ai u publikua në Fletoren Zyrtare.
Në këtë mënyrë, Babloku me shpejtësi përmbylli një proces, në aspektin procedurial, që e njoftoi në 11 shtator, ditën kur në Asamblenë e PS-së, prezantoi kabinetin e ri qeveritar, por edhe Ogerta Manastrilun si kandidate të PS-së për Bashkinë e Tiranës.
Rama udhëzoi të tijët të nisin procesin e shkarkimit të Veliajt, ndërsa zyrtarizoi Manastirliun si kandidate, duke mso lënë asnjë pikë dyshimi se Kryeministri do e çonte deri në fund largimin e Kryebashkiakut të zgjedhur në 2023-in me mbi 60 mijë vota më shumë se rivali opozitar, Belind Këlliçi.
Ky vendim i Ramës kapi të papërgatitur Sali Berishën, kreun e PD-së, i cili edhe dy javë pas artikulimit nga Babloku të emrit të Manastirliut si kandidate të PS-së, nuk po arrin të përcaktojë një emër që do të rivalizojë ish-ministren socialiste.
Pavarësisht se në deklarata publike, demokratët duket se ishin të përgatitur për zgjedhje të pjesshme të parakohshme në Tiranë, koha tregoi se Berisha nuk e kishte gati një emër. Ai mund të ketë pasur në mendje shumë të tillë, por që gjatë rrugës ‘i dezertuan’. Ilir Alimehmeti dhe Jorida Tabaku ishin dy emrat e parë që qarkulluan si kandidatë nga opozita. Të dy deklaruan publikisht se nuk do të hynin në një garë të pjesshme, ndoshta edhe nga fakti se mandati i kryebashkiakut që do të zëvendësojë Erion Veliajn, nuk do të zgjasë më shumë se 18 muaj, deri në zgjedhjet e rregullta lokale që do të mbahen në pranverën e 2027.
Më pas, pati një mori emrash që u vetëofruan si kandidatë për kryebashkiak, sikundër pati edhe propozime që emri që duhej të kandidohej nga opozita nuk duhej të ishte një figurë politike, por duhet të dilte nga shoqëria civile.
Berisha në një prej daljeve publike tha se opozita do të merrte pjesë në zgjedhje, pavarësisht se paralajmëroi se do të ishte proces farsë. Gjithashtu Berisha njoftoi nisjen e negociatave me aleatët, duke caktuar edhe një grup pune në përbërje të të cilit ka përfshirë Flamur Nokën, Belind Këlliçin dhe Ilir Alimehmetin.
E para që refuzoi të paktën publikisht ftesën për daljen me një kandidat të përbashkët ishte Lëvizja Bashkë e Arlind Qorit. Kjo e fundit ka bërë të ditur se nuk ka ndërmend të bashkëpunojë me PD-në e Berishës, ndërkohë që ka ende një shpresë që Shqipëria Bëhet e Adriatik Lapaj apo Nisma Thurje e Endri Shabanit të mbështesin një kandidat të përbashkët nga opozita.
Negociatat duket se po zhvillohen në parim, edhe pse koha është shumë e limituar, pasi zgjedhjet duhet të mbahen mes 15 tetorit dhe 15 nëntorit, ndërkohë që pritet një dekret i Presidentit të Republikës, për datën fikse, pas shpalljes së vakancës nga Këshilli i Ministrave.
Mënyra se si opozita, më saktë PD si partia më e madhe opozitare, po drejton procesin e negociatave më shumë duket si një pazar, pra se cili do të jetë emri që do të dalë si kandidat, ndoshta i mbështetur vetëm nga subjektet që bënin pjesë në atë që në zgjedhjet parlamentare të 11 majit u pagëzua me emrin “Aleanca për Shqipërinë Madhështore”.
Dy nga emrat më potencialë që Berisha kishte si opsione për ti kandiduar, Tabaku dhe Alimehmeti, kanë refuzuar të hyjnë në garë. Qëndrimi i tyre duket se ka shkaktuar pikëpyetje të shumta në rradhët e PD-së, që minimalisht mund të interpretohet si ‘frikë’ për t’u përballur në një garë të pjesshme, pas humbjes shokuese të opozitës në 11 maj.
Dhe pas refuzimit, Berisha ka vënë në funksion skemën tjetër, atë të një procesi negociatash, ndoshta me shpresën se dikush nga partitë e tjera, do të hedhë në tryezë një emër, qoftë edhe nga shoqëria civile si kandidat, duke minimizuar në këtë mënyrë një peshë përgjegjësie në rast humbjeje.
Në fund të fundit, Berisha mund të pranojë si kandidat një emër që mund të vijë si propozim nga parti jashtë aleancës së tij, dhe ai ta mbështesë, duke ndarë faturën në rast të një rezultati negativ.
Kreu demokrat e ka përgatitur terrenin, ai po hyn në një proces farsë, sikundër ka deklaruar disa herë, duke dhënë sinjale të një disfate tjetër elektorale, pas 11 majit. Ndoshta thjesht i duhet të ketë një kandidat, me një pazar sa më të gjerë. Nëse as kjo nuk ndodh, atëherë nga lista e të vetëofruarve si kandidat për Bashkinë e Tiranës, mund të zgjedhë njërin. /Pamfleti/
Lini një Përgjigje