Nënkryetari i PD, Luçiano Boçi ka komentuar reagimin e komisioneres Marta Kos sot në emër të BE-së, në lidhje me kërkesën e kryeministrit Edi Rama dhe presidentit serb Aleksandër Vuçiç, për anëtarësim të shpejtë në Union pa të drejtë vote, duke ua rrëzuar.
Deputeti demokrat e përshëndeti deklaratën e Kos, duke shtuar se ishte reagim në emër të BE-së dhe jo personal, teksa shpjegoi se dyshja Rama-Vuçiç “kërcejnë tango dhe luajnë basketboll duke bërë kosha së bashku, sepse janë në vështirësi”.
“Veprim për t’u përshëndetur, por jo personal i Marta Kos. Është veprim dhe reagim i mbështetur tek Bashkimi Evropian. Nuk lejon të veprohet jashtë strukturave të BE dhe projekteve ekonomike të BE”, tha ai.
Deputeti shpjegoi se tezat Rama-Vuçiç bëhen për interesa personale dhe të ruajtjes së pushtetit.
“Janë teza politike të ruajtjes së pushtetit të tyre përkatës. Vuçiç kërkon të ruajë pushtetin e tij dhe gjithashtu Rama, ka qenë tango e rakorduar, e luajtur shumë mirë, kanë marrë edhe përkëdhelje nga faktori i huaj, duke bërë edhe basketboll me njëri-tjetrin, duke bërë kosha dhe përgëzuar njëri-tjetrin. Ndaj kanë luajtur këtë tango, sepse janë në vështirësi. Tejkalojnë dhe qëndrimet e tyre personale, ndaj BE nuk mund të lejojë veprime të tilla dhe ka reaguar, sepse këto reagime i shërbejnë shëndoshjes ekonomike dhe politike të saj”, tha deputeti demokrat.
Lini një Përgjigje