Deri në vitin 2027, Shqipërisë pritet t'i shpërndahen 922 milionë euro nga Plani i Rritjes Ekonomike.
Komisioni Evropian ka miratuar disbursimin e parë të fondeve për Shqipërinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut, si pjesë e zbatimit të Planit të Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor. Ky vendim vjen në njohje të reformave të rëndësishme që vendet kanë ndërmarrë për t’u përshtatur me standardet e Bashkimit Evropian.
Përfitimi i drejtpërdrejtë për Shqipërinë
Shqipëria do të marrë një disbursim fillestar prej 99.3 milionë eurosh. Këto fonde do të ndahen si më poshtë:
46.2 milionë euro do të paguhen direkt në buxhetin e shtetit.
Fondet e mbetura do të mbështesin projekte infrastrukturore përmes Kornizës së Investimeve në Ballkanin Perëndimor (WBIF).
Këto projekte infrastrukturore, pas miratimit nga Bordi i WBIF, pritet të mbështesin fusha të tilla si transporti i qëndrueshëm, energjia e pastër, dhe zhvillimi i kapitalit dixhital dhe njerëzor.
Vlerësim për reformat dhe rajonin
Plani i Rritjes synon të stimulojë përgatitjet e partnerëve të zgjerimit për anëtarësimin në BE, duke ofruar përfitime ekonomike dhe përshpejtim të rritjes përpara integrimit të plotë.
Në total, Shqipëria ka marrë tashmë 99.3 milionë euro nga ky plan, ndërsa Mali i Zi ka përfituar 18.3 milionë euro dhe Maqedonia e Veriut 25 milionë euro.
Ky disbursim konsiderohet një njohje e qartë e Komisionit Evropian për progresin e Shqipërisë në zbatimin e reformave thelbësore të kërkuara nga BE.
Deri në vitin 2027, Shqipërisë pritet t'i shpërndahen 922 milionë euro nga Plani i Rritjes Ekonomike.
Sektorët që do të mbështeten me më shumë financim?
Shumica e fondeve do të shkojnë për reformat në drejtësi, ndjekur më pas nga përmirësimi i klimës së biznesit, fuqizimin e kapitalit njerëzor, energjia dhe tranzicioni i gjelbër, si dhe zhvillimi i teknologjisë.
Në total, vendet e Ballkanit Perëndimor do të përfitojnë 6 miliardë euro nga kjo paketë, ndërsa Serbia dhe Bosnje Hercegovina janë 2 shtetet që do të marrin më shumë kredi dhe grante. Konkretisht, shteti serb do të përfitojë 1.58 miliardë euro, Bosnja dhe Hercegovina 969 milionë, Kosova thuajse 888 milionë euro, ndërsa Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi do t'i jepen përafërsisht 807 milionë dhe 383.5 milionë euro.
Të paktën 50% e shumës totale (grante dhe kredi) do të shkojnë për investime përmes Kornizës së Investimeve të Ballkanit Perëndimor (WBIF), ndërsa shuma e mbetur e kredive do t'i shpërndahet direkt qeverive të Ballkanit Perëndimor.
Pagesat do të bëhen dy herë në vit, në bazë të kërkesave të paraqitura nga vendet e Ballkanit Perëndimor dhe pas verifikimit nga Komisioni Evropian të përmbushjes së kushteve përkatëse të pagesës, parakushteve dhe kushteve të përgjithshme, si stabiliteti makrofinanciar, menaxhimi i shëndoshë i financave publike, transparenca dhe mbikëqyrja e buxhetit.
Në rast se kushtet e pagesës nuk plotësohen, Komisioni Evropian do të pezullojë ose do të zbresë një shumë përkatëse nga pagesa. Shteti i Ballkanit Perëndimor do të ketë 1-2 vjet kohë për të përmbushur kushtet, në të kundërt shuma do të rishpërndahet mes të tjerëve në vitet në vijim.
Ehuu thuaji keture Ca Jane keta qe bejne sikur nuk shohin a nuk lexojne? Nuk ju shkojjne raportet? Japin vete marrin vete sa prodhojne lajme kot. Keta merr me makina e thase. Palo mashtrusa aktor me grada