TAGS-AT E JAVËS

Politike 9 Shtator 2025, 12:00

Celibashi: Notën zgjedhjeve të 11 majit ia vendos OSBE/ODIHR, procesi i përmbushi standardet e një vendi kandidat për në BE

Shkruar nga Pamfleti

Celibashi: Notën zgjedhjeve të 11 majit ia vendos OSBE/ODIHR, procesi

Ilirjan Celibashi, Kryekomisioneri Shtetëror për Zgjedhjet, u shpreh se notën procesit zgjedhor të 11 majit do ia vendosë raporti përfundimtar i OSBE/ODIHR.

Në një konferencë për mediat, Celibashi tha se ky raport është një analizë e paanshme dhe profesionale, që mat cilësinë e procesit zgjedhor.

Ai u shpreh se qëndrimi i opozitës, e cila ka refuzuar të njohë rezultatin e zgjedhjeve, është një sinjal shqetësues.

“Deklaratat e opozitës që nuk njeh zgjedhjet është problem dhe të bën të mendosh që diçka nuk ka shkuar mirë në këtë proces,” tha Celibashi, duke shtuar se çdo kontestim duhet adresuar përmes institucioneve dhe rrugëve ligjore.

Celibashi shprehu bindjen se zgjedhjet e 11 majit përmbushin standardet që kërkohen nga një vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

“Tej çdo problematike të evidentuar, mendoj se këto zgjedhje janë zgjedhje që i bën një vend kandidat për në BE,” përfundoi ai.

Lidhur me pagesat e papërfunduara ndaj kompanisë postare DHL, e cila asistoi në procesin e votimit nga diaspora gjatë zgjedhjeve të 11 majit, Celibashi theksoi se nuk ka asnjë refuzim për të kryer pagesat, por ato do të realizohen vetëm në përputhje me parashikimet kontraktuale.

Ai sqaroi se KQZ i ka paraqitur kompanisë disa kërkesa teknike dhe procedurale për të përmbyllur zyrtarisht procesin e shërbimit dhe për të hapur rrugën për disbursimin e fondeve.

“Kemi pasur disa kërkesa ndaj kompanisë DHL, të cilat i kemi prezantuar zyrtarisht. Jam i sigurt që ato do të plotësohen, sepse janë në përputhje të plotë me kontratën,” deklaroi Celibashi.

Lidhur me kërkesën e DHL për kamatëvonesa, kreu i KQZ-së e cilësoi atë të pabazuar, duke theksuar se nuk ka mbështetje as në kontratë dhe as në parashikimet ligjore.

“Kërkesa për kamatëvonesa është komplet e pambështetur në përmbajtjen e kontratës dhe në parashikimet ligjore dhe kjo besoj është e qartë,” tha ai.

Celibashi konfirmoi se vlerësimi përfundimtar i performancës së kompanisë ende nuk është përmbyllur, dhe vetëm pas këtij hapi KQZ do të procedojë me pagesën.

 

Lini një Përgjigje