TAGS-AT E JAVËS

Politike 8 Shtator 2025, 22:03

Begaj pret trupin diplomatik: NATO, BE dhe SHBA busulla jonë, integrimi europian objektiv strategjik!

Shkruar nga Pamfleti

Begaj pret trupin diplomatik: NATO, BE dhe SHBA busulla jonë, integrimi

Kreu i shtetit i dha rëndësi të veçantë partneritetit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe NATO-n, duke i cilësuar si garanci e sigurisë kombëtare dhe mburojë në një botë të pasigurt. Ai shtoi se orientimi euroatlantik i Shqipërisë është i pakthyeshëm.

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, priti mbrëmjen e sotme trupin diplomatik shqiptar që shërben në vende të ndryshme të botës, ku paraqiti vizionin e tij për një rol më të fuqishëm të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare.

Në fjalën e tij, Begaj theksoi se Shqipëria, megjithëse një vend i vogël në përmasa, ka treguar se mund të kontribuojë për stabilitet, bashkëpunim dhe zgjidhje të përbashkëta. Ai nënvizoi se kjo është rruga që forcon pozitën dhe imazhin e vendit në botë dhe e kthen Shqipërinë në partner të besueshëm dhe faktor stabiliteti në rajon e më gjerë.

Kreu i shtetit i dha rëndësi të veçantë partneritetit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe NATO-n, duke i cilësuar si garanci e sigurisë kombëtare dhe mburojë në një botë të pasigurt. Ai shtoi se orientimi euroatlantik i Shqipërisë është i pakthyeshëm.

Në të njëjtën linjë, Presidenti Begaj ritheksoi se anëtarësimi i plotë në Bashkimin Evropian mbetet objektivi strategjik i vendit, që përmbledh aspiratat e qytetarëve për zhvillim, mirëqenie dhe sundim të ligjit. Ai shtoi se Shqipëria mbështet zgjerimin e BE-së në Ballkan, duke u shprehur se shqiptarët janë faktor stabiliteti dhe kohezioni në rajon.

Begaj solli në vëmendje edhe suksesin e organizimit të Samitit të Komunitetit Politik Evropian në Tiranë në maj, si dhe angazhimin për të pritur në vitin 2027 Samitin e NATO-s dhe Kongresin Botëror të Ligjit, duke i cilësuar këto si prova se Shqipëria mund të jetë një urë e rëndësishme dialogu dhe bashkëpunimi në Evropë e më gjerë.

Presidenti foli edhe për rolin e diplomacisë shqiptare, duke e cilësuar atë si “arkitekt të marrëdhënieve të reja” dhe “promovues të vlerave shqiptare”. Ai u bëri thirrje ambasadorëve të jenë më proaktivë dhe të mbajnë gjithmonë të hapura dyert e ambasadave për diasporën shqiptare, të cilën e konsideroi aset kombëtar.

Në fund të fjalës së tij, Begaj përmendi çështjen e Kosovës, duke theksuar se Shqipëria do të vazhdojë të punojë për njohje të reja ndërkombëtare dhe për integrimin e saj në BE dhe NATO, pasi Kosova është tashmë pjesë integrale e familjes së vendeve demokratike.

Fjala e plotë e Presidentit Bajram Begaj:

Kam kënaqësinë t’ju mirëpres në institucion.

E çmoj mundësinë e këtij takimi për të reflektuar mbi rrugëtimin e vendit tonë në funksion të një Shqipërie me demokraci të konsoliduar, të përparuar dhe së shpejti anëtare të Bashkimit Evropian.

Dëshiroj ta filloj me një vlerësim për punën tuaj, për përkushtimin që tregoni dhe sakrificat që bëni larg vendit dhe shpesh larg familjeve tuaja duke mbajtur lart flamurin dhe emrin e Shqipërisë.

Jetojmë në një botë ku trazirat politike dhe konfliktet e armatosura po lënë gjurmë të dhimbshme. Lufta në Ukrainë ka rikthyer në Evropë plagët e një historie që shpresonim ta kishim lënë pas, duke rrezikuar sigurinë dhe stabilitetin e kontinentit.

Ne riafirmojmë mbështetjen tonë të palëkundur për integritetin territorial, sovranitetin dhe pavarësinë e Ukrainës, me besimin se SHBA-të dhe BE-ja do të bashkërendojnë përpjekjet e tyre për një paqe të drejtë dhe garanci sigurie afatgjata për Ukrainën. Lindja e Mesme vazhdon të digjet nga një rreth vicioz dhune që merr jetë të pafajshme dhe minon shpresën për paqe.

Ne do të vazhdojmë të mbështesim të gjitha përpjekjet e komunitetit ndërkombëtar për t'i dhënë fund konfliktit nëpërmjet bisedimeve dhe dialogut. Ne jemi të qartë dhe të bindur se një zgjidhje e përhershme dhe e drejtë respekton ekzistencën e dy shteteve të pavarura, që jetojnë në paqe, në bashkëpunim dhe fqinjësi të mirë. 

Po jetojmë një periudhë ndryshimesh dhe tranzicioni në marrëdhëniet ndërkombëtare, çka na shtyn që në politikën e jashtme dhe diplomaci të jemi me qasje më proaktive, më kritikë e të thelluar në analiza, si dhe më largpamës në prognozën e së ardhmes.

Partneriteti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe anëtarësia në NATO përbëjnë shtyllat themelore të politikës sonë të jashtme. Aleanca me SHBA-të dhe NATO-n është garancia jonë për sigurinë kombëtare, mburoja jonë në një botë të pasigurt dhe, njëkohësisht, dëshmi e vlerave dhe orientimit tonë Euroatlantik. 

Shqipëria është pjesë e pandashme e Evropës dhe synimi ynë madhor mbetet anëtarësimi i plotë në Bashkimin Evropian. Ky është objektivi strategjik që përmbledh aspiratat e qytetarëve tanë për zhvillim, mirëqenie dhe sundim të ligjit. Ky është horizonti që orienton reformat tona dhe garanton rrugëtimin e pakthyeshëm të vendit drejt familjes evropiane.

Anëtarësimin në Bashkimin Evropian nuk e shohim si rrugëtim vetmitar, sepse besojmë në një rajon të integruar në BE, me shqiptarët si faktor stabiliteti dhe kohezioni. Këtë e kemi dëshmuar nëpërmjet angazhimit tonë dhe kryesimit të iniciativave madhore rajonale.

Suksesi i organizimit të Samitit të 6-të të Komunitetit Politik Evropian në maj të këtij viti, organizimi i Samitit të NATO-s në vitin 2027, si dhe Kongresi Botëror i Ligjit po në këtë vit tregojnë se vendi ynë mund të jetë urë e rëndësishme dialogu dhe bashkëpunimi në Evropë e më gjerë.

Shqipëria beson fuqimisht në multilateralizëm, në rendin ndërkombëtar të bazuar në rregulla dhe në fuqinë e dialogut. Si një vend i vogël në madhësi, por i madh në vullnet, ne kemi treguar se mund të kontribuojmë për stabilitet, për bashkëpunim dhe për zgjidhje të përbashkëta. Ky është roli që forcon pozitën dhe imazhin tonë në botë, si dhe rrit identitetin e Shqipërisë si partner i besueshëm dhe faktor stabiliteti në rajon e më gjerë.

Në këtë mision ju jeni instrumenti ynë më i vyer, sepse roli juaj dhe i diplomacisë si instrument i politikës së jashtme është i pazëvendësueshëm. Diplomati i sotëm nuk është vetëm përfaqësues protokollar i shtetit, por ai është arkitekt i marrëdhënieve të reja, ndërtues i urave të bashkëpunimit, zëdhënës dhe promovues i vlerave tona në një botë gjithnjë e më të ndërlikuar.

Në punën tuaj keni jo vetëm mbështetjen e shtetit, por edhe një aleat të jashtëzakonshëm: shqiptarët që banojnë jashtë atdheut. Ata janë një aset i çmuar nëse angazhohen dhe kontaktet me ta transformohen në një rrjetëzim të mirëfilltë. Mbajini dyert e hapura të ambasadës për bashkëkombësit! Ata nuk janë vetëm statistika, por janë anëtarë të familjes së madhe shqiptare. Ky vit shënoi një hap historik për Diasporën shqiptare, duke iu mundësuar për herë të parë shtetasve tanë votimin nga vendi ku jetojnë.

Kujdesuni që ambasadat tona të jenë jo vetëm qendra graviteti të marrëdhënieve midis shteteve, por edhe streha të sigurta dhe nyje të lidhjeve të forta midis Shqipërisë dhe shqiptarëve kudo ku ata janë.

Kjo do të thotë, ndër të tjera, shërbime konsullore në kohë dhe me cilësi, promovim agresiv të vendit dhe mbështetje proaktive për gjuhën, kulturën dhe identitetin shqiptar.

Shqipëria nuk e ka luksin të ketë përfaqësues diplomatikë pasiv, që presin vizitën zyrtare të radhës për të bërë diplomatin, e sidomos tani, në këtë pragbote të re. 

Në kohën kur bota është e mbërthyer nga kriza dhe pasiguri, diplomacia është bërë një nga mjetet më të çmuara për mbrojtjen e interesave kombëtare.

Për Shqipërinë, një diplomaci proaktive është domosdoshmëri jetike. Ajo është mënyra jonë për të mbrojtur sigurinë, për të ndikuar në zhvillimin tonë dhe për të kontribuuar me dinjitet në çështjet globale.

Kjo kërkon, ndër të tjera, bashkëpunim, nevojitet më shumë komunikim, më shumë bashkërendim hapash. Politika e jashtme e Shqipërisë është më e fortë kur flet me një zë, kur institucionet tona veprojnë në sinkron dhe kur të gjithë punojmë për të njëjtin qëllim të përbashkët. Ky është kushti që forcon shtetin dhe që i jep zë më të fuqishëm Shqipërisë në arenën ndërkombëtare.

Por, edhe me një Shqipëri të fuqishme ndërkombëtarisht, Shqipëria dhe shqiptaria nuk do të ishte përfaqësuar plotësisht pa një Kosovë anëtare e të gjitha organizmave ndërkombëtarë. Ju duhet të vazhdoni të punoni në bashkëpunim me partnerët tanë për njohje të reja të Kosovës dhe integrimin e saj në Bashkimin Evropian dhe në NATO, të bindur se Kosova është tashmë pjesë integrale e vendeve dhe shoqërive demokratike.

E ardhmja do të sjellë sfida të reja dhe të paparashikuara, por me përkushtim, me mençuri dhe me vizion Shqipëria do të dalë më e fortë, më e respektuar dhe më e pranishme në botë.

Ju falënderoj për shërbimin tuaj, për punën e palodhur, për rolin që luani në rritjen e dinjitetit të shtetit tonë dhe ju siguroj për vijimin e bashkëpunimit tonë edhe në të ardhmen!

 

Lini një Përgjigje