
Ka dështuar plani i Berishës për të kapur komisionin e reformës zgjedhore. Të hënën pati një mbledhje mes grupit të tij dhe Gazmet Bardhit në Kukës dhe u arrit pazari për të ndryshuar anëtarët e Zgjedhores. Ata propozuan që të mos jetë më Enkelejd Alibeaj bashkëkryetar, por të jetë Oerd Bylykbashi. Po ashtu Bardhi kërkoi të futen në komision besnikët e tij.
Kjo gjë ka shkaktuar sot debate në Konferencën e Kryetarëve. Vetë Alibeaj dhe Damian Gjiknuri kërkuan që të zgjatet afati i komisionit, por Bardhi ka këmbëngulur të ndryshohen anëtarët.
Shumica vendosi të zgjasë afatet e komisionit duke lënë anëtarët aktualë. Në këtë mënyrë duket se deputetët e Berishës dhe Bardhit kanë mbetur jashtë. Kjo u konfirmua dhe nga Bardhi në një konferencë për mediat.
“Kemi propozuar një projekt vendim të ri për ngritjen e komisionit të reformës zgjedhorë me dy ndryshime, në objektin e punës të përfshihet edhe raporti i pritshëm OSBE/ODIHR për zgjedhje lokale dhe të kërkojmë ekspertizën e ODIHR që të asistojë këtë komision.
Për këtë kërkesë tonë mazhoranca votoi kundër, pra thjesht vendosi të zgjasë edhe me 6 muaj komisionin e reformës zgjedhore, ndërkohë që nuk mori në shqyrtim një tjetër propozim të opozitës që ka të bëjë me përbërjen e reformës zgjedhore. Çka tregon se nuk e kanë prioritet reformën zgjedhore. Sot në reformën zgjedhore ka deputet që kanë një vit që kanë dorëzuar mandatin”, tha Bardhi.
Lini një Përgjigje